Kryetarët e tjerë të shteteve dhe të qeverive nga 27 shtete të tjera të BE demonstruan unitet në 60 vjetorin e Marrëveshjeve të Romës. Kurse Britania e Madhe do të paraqesë të mërkurën formalisht kërkesën për Brexit.
Ata janë 48 përqindshi: ata britanikë që votuan treçerek viti më parë për Brexit – dhe që vazhdojnë të jenë të trishtuar dhe të zemëruar që Britania e Madhe do të dalë së shpejti nga BE. 35 vjeçarja Brydie mori pjesë në protestën e mijëra vetëve në fundjavë në Londër dhe në qytete të tjera britanike, kundër daljes së Britanisë së Madhe nga BE. Ajo thotë se merr pjesë në protestë “sepse familja ime është pjesërisht britanike dhe pjesërisht evropiane dhe për momentin ne po na përdorin si kapital për negociata. Dhe kjo shkakton një pasiguri të madhe në jetën tonë.”
Një pjesë e familjes së saj dhe i dashuri i saj janë nga Italia. Brydie është e shqetësuar, sepse më shumë se tri milionë vetët nga shtetet e tjera të BE nuk e dinë, nëse do të lejohet të qendrojnë në Britaninë e Madhe pas Brexitit apo jo.
Anja me origjinë nga Polonia ka 30 vjet që jeton në Britaninë e Madhe dhe ka një pasaportë britanike. “Na mashtruan. Brexiti do të kthehet në një katastrofë të vërtetë për Mbretërinë e Bashkuar”.
52 vjeçarja është mësimdhënëse në Universitetin e Canterburyt dhe ka sjellë me vete lule, të cilat i vë para Parlamentit për të përkujtuar viktimat e atentatit terrorist. Shumë demonstrues mbanin në duar pankarta ku kanë shkruar: “Stop Brexit”, “Ne e duam BE”, dhe “Ne jemi familja evropiane”.
Avokati londinez Shaun është mbështjellë në një flamur të madh të BE; ai do të quante më mirë, që Britania e Madhe të mbetej të paktën në BE.
“Besoj se do të ishte më e thjeshtë dhe më mirë për vendin. Po edhe unë mendoj se nuk do të jetë e mundur”.
Brexiti i ashpër do të jetë me siguri i pashmangshëm, thotë 34 vjeçari, meqenëse kryeministrja konservatore Theresa May lejon që t’ia imponojnë kursin ithtarët e vijës së fortë.
Disa nga protestuesit shpresonin se dalja nga BE do të mund të frenohet në fund të negociatave dyvjeçare – ose me anë të një referendumi të dytë ose përmes një vote të Parlamentit. Kjo është shpresa e Chrisit, këshilltarit 61 vjeçar të taksave, i cili ka ardhur në Londër nga Veriperëndimi i Anglisë për demonstratën. “Mendoj se i duhet lënë në dorë Parlamentit që të vendosë në mënyrë të lirë. Sepse më mirë se tani, me siguri që nuk do të bëhet”.
Të mërkurën e kësaj jave, May do t’u dërgojë 27 partnerëve letrën e Brexit-it, që është fillimi i daljes: një ditë e trishtuar, thonë shumë pjesëmarrës të marshit të protestës, të cilën ata nuk donin ta përjetonin kurrë – kështu shprehet edhe mësuesja nga Londra Hannah.
“Ndoshta do të ulem në kolltuk me një verë evropiane në dorë dhe do të qaj”, na thotë ajo.
Po ka edhe të tjerë që janë të ngazëllyer, meqenëse treni i Brexitit po vihet më në fund në lëvizje. Si për shembull Douglas Carswell, deri tani i vetmi deputet i UKIP-it në Parlamentin britanik. Por sot ai bëri të ditur se do të largohet nga partia kundër BE – sepse ajo e kreu punën e saj dhe fitoi.
“Të mërkurën Theresa May do të deklarojë fillimin e procesit të Nenit 50. Partia ime UKIP u themelua para 23 vjetësh për këtë objektiv. Ne fituam”.
Në vitin 2014 Carswelli kaloi nga konservatorët te UKIP, por më vonë u grind me kryetarin e atëhershëm të partisë, Nigel Farage. Në të ardhmen ai do të jetë deputet i pavarur në Dhomën e Poshtme të Parlamentit. / Deutsche Welle