Histori

Lufta e Dytë Botërore, një rishikim i shkaqeve

image

Hitleri shfaqet si njeriu më përgjegjës për luftën. Dhe fakti që kjo figurë e errët mundi të ushtrojë në 1939 një kontroll të tillë mbi fatin e Gjermanisë dhe pjesës tjetër të Europës, duhet të jetë edhe sot një paralajmërim për ne. Nuk duhet shumë fantazi për të kuptuar se cili do të kish qenë fati i botës nëse Hitleri do të kish armë bërthamore. Në fakt, pas shumë studimeve që i kam bërë këtij argumenti, sot besoj që në 30 prill 1945, kur loja kish mbaruar dhe ai i drejtoi pistoletën kokës së tij, po të kish mundur, bashkë me trutë e tij do të kish hedhur në erë edhe të gjithë botën

Laurence Rees
Historian

Në vitet shtatëdhjetë, kur shkoja në shkollë, mësuesit e mi të historisë ishin tërësisht nën ndikimin e Ajp Taylor dhe “Origjina e luftës së dytë botërore”. Ne nxënësve na shpjegonin se përgjigja ndaj pyetjes: “Përse shpërtheu Lufta e Dytë Botërore” duhej kërkuar në pjesën më të madhe tek paaftësia e qeverive britanike në vitet tridhjetë, dhe më në vecanti, në budallallëkun e kryeministrit Neville Chamberlain në Konferencën e Mynihut në Bavari 1938, kur pranoi që Adfolf Hitleri të aneksonte një pjesë të Cekosllovakisë: territori i sudetëve, që flisnin gjermanisht. Udhëheqësi gjerman, në vitet tridhjetë sipas linjës së Taylor, ishte një politikan “si gjithë të tjerët” dhe lufta do të mund të parandalohej nëse Britania e Madhe nuk do të qeverisej nga idiotë.
Tani, 70 vjet pas fillimit të luftës, opinioni mbizotërues nuk mund të jetë më i ndryshëm, gjë që më është konfirmuar nga një seri intervistash që kam realizuar kohët e fundit me historianë të rëndësishëm për një faqe interneti dedikuar kësaj lufte. Në fakt, figura kyce në këtë histori, natyrisht nuk është Chamberlaini, por Hitleri.
“Pozicioni i Adolf Hitlerit ka një rëndësi primare dhe absolute si faktori që provokoi Luftën e Dytë Botërore”, më ka thënë Richard Evans, Profesor në Cambridge. “Falë dokumentacionit që na është vënë në dispozicion vitet e fundit dimë tani që Hitleri që nga fillimi kishte qëllim të ndizte një luftë globale në Europë. Në 1932, 33 ai u thoshte njerëzve, privatisht, teksa po merrte pushtetin, se do të niste një luftë në shkallë të gjerë”.
Ky është një opinion që Sir Ian Kershau, eksperti më i madh botëror mbi figurën e Adolf Hitlerit, e mbështet tërësisht: “Ekspansioni gjerman, sic është pohuar shpesh nga Hitleri, nuk mund të vinte përvecse në mënyrë të dhunshme. Njerëzit sigurisht që skishin ndërmend të dorëzonin tokat e tyre, kështu që duheshin pushtuar. Megjithatë, ky ishte shkaku i nëndheshëm i fillimit të Luftës së Dytë Botërore në Europë”.
Sot, falë studimeve të rinj të kryer mbi historinë ekonomikë të shtetit nazist mund të themi që Lufta e Dytë Botërore ishte lufta e Hitlerit. Në fakt, rritja e armatimeve gjermanë gjatë viteve tridhjetë, urdhëruar direkt nga Fyhreri, është e pabesueshme. Në vitin 1938, për shembull, nazistët projektonin që aviacioni i tyre të zgjerohej duke lënë pas cdo lloj flote ajrore botërore, duke u bërë edhe më i madh në numër nga sa do të kish qenë flota amerikane në fundin e po kësaj lufte.
Planet e ekspansionit të armatimeve nazistë, sipas historianit të famshëm të ekonomisë, Adam Tooze, “sa i përket shpenzimeve të përvitshëm, konsumonin, që përpara nisjes së luftës pothuajse një të tretën e GDP gjermane në kohë paqeje, ndërkohë që shpenzimet normalë ushtarakë zinin 2, 3, 4 përqind të GDP. Kjo do të thotë dhjetë herë më shumë se NATo, për shembull, u kërkonte vendeve anëtarë në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë”.
Hitleri, sipas Tooze, thoshte se “lufta ishte thelbësore për shëndetin e kombit gjerman dhe Gjermania duhej të cante rrethimin. Pra, ideja që nazistët do të mund të kufizoheshin në rritjen e nivelit të prosperitetit krahasuar me vitet tridhjetë, në një lloj të ardhmeje paqësore botërore të modernitetit dhe kënaqësisë… epo kjo nuk ishte mes programeve të regjimit të Hitlerit. Bëhet fjalë për një ekuivok themelor ku bien shumë persona, por në fakt nuk ishte aspak ajo që Hitleri kish në mendje”.
Përkundrazi, Hitleri kish në mendje një përplasje. Një përplasje epike racore. “Nuk ishte një statist në kuptimin normal të fjalës”, thotë Tooze, “që bën përllogaritje racionale, duke u nisur gjithmonë nga supozimi që ka një tjetër mundësi për suksesin final. Bëhej fjalë për një njeri, për të cilin politika ishte një spektakël, një spektakël tragjik që nuk mund të ketë një fund të mirë, dhe si rrjedhim ishte i prirur të ndërmerrte risqe, të pashmangshëm sipas vizionit të tij, edhe nëse sipas të gjitha mundësive ishin kundër Gjermanisë”.
Gjermanët në disavantazh
Por, natyrisht, sic ka theksuar historiani Richard Overy, nuk mund të themi që Hitleri ka qenë shkaku i vetëm i luftës. Problemi në themel ishte një marrëveshje e firmosur në fundin e Luftës së Parë që i linte gjermanët në një pozicion të disavantazhuar, si për nga humbjet në territorin e tyre, ashtu edhe për dëmshpërblimin e kërkuar nga aleatët. Kjo, sic sqaron Overy “ndryshoi rendin ndërkombëtar” dhe ishte një faktor shumë i rëndësishëm në lehtësimin e suksesit elektoral të Hitlerit.
“Gjëja e rëndësishme”, thotë Overy, “është të kuptojmë përse Britania e Madhe dhe Franca hynë në luftë. Personalisht mendoj se përgjigjet janë të shumta dhe komplekse. Mendoj se nga cila anë është arsyeja për faktin që si Britania e Madhe, ashtu edhe Franca elita shihej si mbajtëse e një farë niveli përgjegjësie, jo vetëm në kuptimin që ishte një lloj “padroneje e perandorisë”, por edhe pse konsideroheshin në gjendje që të ruanin stabilitetin e rendit botëror që, pavarësisht imperializmit të tyre, përfaqësonte vlerat perëndimore”.
Në fundin e viteve tridhjetë, Hitleri u tregua i kujdesshëm që të fshihte një cështje – dëshirën e tij për një luftë pushtuese në Europën lindore, me qëllimin që të sillte tokën e pasur bujqësore të Ukrainës në brendësi të perandorisë gjermane – poshtë saj një tjetër dëshirë – të rimerrte territorin gjerman të humbur për shkak të Traktatit të Versajës në fundin e Luftës së parë. Në Gjermani kishte një mbshtetje të qartë publike për objektivin e dytë dhe shumë më pak për të parin.
Në fakt, shumë prej atyre që i përkisnin establishmentit britanik në vitet tridhjetë thoshin se në një farë mënyre Gjermania ishte “trajtuar keq” në fundin e Luftës së Parë Botërore – por po këta njerëz do i mbërthente frika po të kishin imagjinuar se ajo që Hitleri donte vërtetë nuk ishte që të fuste sërish në Rajhun e tretë rajonet e gjuhës gjermane në Europën lindore, por të krijonte një perandori shumë të madhe në lindje që shtrihej deri në Urale, të bazuar mbi skllavërinë.
Momenti kur anglezët kuptuan se Hitleri i kishte mashtruar erdhi në mars 1939, kur gjermanët pushtuan ato që mbeteshin nga tokat ceke – territore që nuk u ishin dhënë si pasojë e marrëveshjes së Mynihut një vit më herët. Hyrja e nazistëve në Pragë u demonstroi anglezëve, thotë Richard Evans, se Hitleri “nuk donte vetëm të integronte etnitë gjermane në Rajh apo të korrigjonte gabimet e Versajës, por po kërkonte të bënte dicka shumë më të madhe”.
Pak pas pushtimit gjerman të tokave ceke, Neville Chamberlain siguroi polakët se nëse do të bini viktima të një agresioni gjerman, anglezët, sipas fjalëve të tij “do të tërhiqeshin pashmangshmërisht në një “deflagracion”. Me sa duket, anglezët vendosën të merrnin pozicion në lidhje me Poloninë vetëm sepse menduan që ndoshta ky vend kish radhën në listën e Hitlerit. “Ishte thjeshtë një vlerësim strategjik”, thotë Anita Prazmovska, docente në London Schoool of Economics. “Ky ndërgjegjësim se ekuilibri i fuqive në Europë po anonte rrezikshëm kundër interesave britanikë, dhe mund të kish pasoja të rrezikshme, i shtyu të veprojnë”.
Siaps profesoreshës, vendimi britanik për të ofruar një garanci polakëve nuk kish një dimension ideologjik; ishte thjeshtë politikë pragmatiste. “Më shumë se sa një politikë e përllogaritur me kujdes, situata u zhvillua në mënyrë të tillë që Chamberlain, me një sekretar të jashtëm të dobët, Lordin Halifax, nuk mund të mos bënte dicka më në fund. Vendimi u mor në mënyrë gjarpëruese dhe i gabuar, sepse u shpall luftë duke ditur mirë që qëllimi nuk ishte të mbrohej Polonia, por t’i bëhej e qartë Gjermanisë papranueshmëria e veprimeve të saj”.
Natyrisht, mund të diskutohet ende deri në infinit, mbi kompetencën e Chamberlain në Mynih, dhe më pas cështjen e garancisë për polakët por, në një anaizë të fndit, i gjithë ky debat rikthehet tek figura e Hitlerit, sepse ai ishte motorri kryesor i ngjarjeve. E vërteta është që Fyhreri nuk udhëhiqej nga argumenta racionalë, por nga bindje ideologjike. Sic pohon Tooze Hitleri “shkoi në luftë” sepse “ishte i bindur që komploti botëror i hebrenjve kish marrë një dimension të ri shqetësues: kjo nisi në verën e 1938 me Konferencën e Evianit ku Amerika u përfshi në cështjet europiane në temën e emigracionit të organizuar të hebrenjve nga Europa Lindore”.
Në 1939, Hitleri kish arritur sa të besonte që “qendra e vërtetë e komplotit hebraik botëror është në Uashington në Ëall Street dhe Hollyëood dhe kjo natyrisht zhvendos tërësish vlerësimin e kuadrit strategjik, sepse prapa Britanisë së Madhe dhe Francës, sic ndodhi në Luftën e Parë Botërore, gjendet forca e madhe e industrisë amerikane të armatimeve. Dhe duke konsideruar këtë situatë, ekuilibri i fuqive në Europë në 1939 shfaqet shumë shqetësues, edhe sepse duke nisur nga fillimi i vitit nisi një riarmatim i vendosur britanik. Gjermanët janë të vetëdijshëm prandaj, edhe pse në këtë vjeshtë të 1939 situata është negative, ata mendojnë me artsye që ajo do të përkeqësohet në 1940, 41, 42 sepse tashmë përballen sërish me kufizimet e ekonomisë së tyre”.
Vec kësaj, Hitleri e nisi luftën “pa e ditur si do të përfundotne kjo përplasje”. Ky vizion e rendit Hitlerin si një prej politikanëve më pak “normalë dhe të parashikueshëm” të hsitorisë së botës. Madje, përkundrazi, ai e dinte që mundësitë ishin kundër vendit të tij – e megjithatë kërkoi një konflikt të dhunshëm. Ishte i gatshëm të vinte bast të ardhmen e miliona njerëzve nga populli i tij, duke menduar që gjermanët do të arrinin të fitonin një luftë të shpejtë dhe vendimtare. Hitleri kishte një vizion thellsisht pesimist për shpirtin njerëzor. “Toka vazhdon të rrotullohet”, tha ai një herë, “edhe kur njeriu vret tigrin, edhe kur tigri ha njeriun”.
E ndërkohë që jithë kjo është vite drite larg nga vlerësimi i ofruar prej AJP Taylor mbi Hitlerin, që prej tij konsiderohej një njeri me të cilin Perëndimi do të mund të bënte marëveshje, është sigurisht e vërtetë që udhëheqësi gjerman do të preferonte të luftonte luftën e tij të pushtimit europian pa përfshirjen e Britanisë së Madhe në konflikt. “Cfarë fatkeqëie e tmerrshme ishte lufta për vendet tanë”, më tha një herë një ish zyrtar i SS, pak përpara se ta intervistoja për serinë e dokumentarëve që realizova 12 vjet më parë. Pasoja e përplasjes sonë ishte që Britania e madhe humbi perandorinë e saj dhe Gjermania u mposht dhe u nda. Po të ishim aleatë do të kishim mundur të qeverisnim botën së bashku!”
Kjo aleancë ishte fantazi e pastër, natyrisht. JO vetëm që Britania e Madhe nuk do të rrinte asnjëherë e të vështronte Hitlerin tek skllavëronte Europën kontinentale, por në pranverën e 1939 rezultoi evidente që nuk mund të besohej që nazistët do të respektonin marrëveshjet që bënin. Herman Gëring, pas luftës tha se traktatet mes shteteve ishin “letër higjenike”.
Pra në këtë pikë, Hitleri shfaqet si njeriu më përgjegjës për luftën. Dhe fakti që kjo figurë e errët mundi të ushtrojë në 1939 një kontroll të tillë mbi fatin e Gjermanisë dhe pjesës tjetër të Europës, duhet të jetë edhe sot një paralajmërim për ne. Nuk duhet shumë fantazi për të kuptuar se cili do të kish qenë fati i botës nëse Hitleri do të kish armë bërthamore. Në fakt, pas shumë studimeve që i kam bërë këtij argumenti, sot besoj që në 30 prill 1945, kur loja kish mbaruar dhe ai i drejtoi pistoletën kokës së tij, po të kish mundur, bashkë me trutë e tij do të kish hedhur në erë edhe të gjithë botën.

Leave a Reply

Back to top button