Nga Francesco Guerrera
“La Repubblica”
Mbyllja e rubinetit nga gazsjellësit rusë, po e shtyn Evropën drejt momentit të së vërtetës. Vendimi i Vladimir Putinit për të reduktuar ndjeshëm furnizimet me gaz ndaj Polonisë dhe Bullgarisë, përfaqëson përshkallëzimin më serioz në luftën ekonomike që Perëndimi dhe Kremlini po zhvillojnë midis tyre paralelisht me konfliktin ushtarak në territorin e shkatërruar të Ukrainës.
Pavarësisht shumë zërave mbi paqëndrueshmërinë e tij mendore, Cari rus bëri një lëvizje cinike shumë racionale. Gazi është në fakt “Thembra e Akilit” e Bashkimit Evropian, dhe ndërprerja e furnizimeve të tij, është mënyra më e mirë për ta përçarë aleancën e demokracive evropiane, duke futur një pykë brenda Evropës, por edhe midis BE-së dhe Shteteve të Bashkuara.
Putin e di shumë mirë se Evropa blen nga vendi i tij më shumë se 1/3 e nevojave të saj për gaz (për shtete si Bullgaria norma është në shkallën 100 për qind), dhe ndryshe nga nafta, për gazin duhet pritur të paktën deri në fund të këtij viti dhe duhen shpenzuar dhjetëra miliarda euro për t’u çliruar nga varësia aktuale.
Rritja e çmimit të gazit në përgjigje të lajmeve të ditëve të fundit, i jep Carit një fuqi tjetër:
të manipulojë tregjet në favor të tij. Tubacionet që transportojnë gazin rus nga Lindja në Perëndim, janë leva ekonomike e fundit që Rusia mund të përdorë kundër Evropës.
Por agresioni energjetik i Putinit është gjithashtu edhe streha e tij e fundit. Nëse Bashkimi Evropian e kupton këtë, dhe reagon me një plan konsensual, konkret dhe të shpejtë, do të jetë në gjendje që ta neutralizojë arsenalin financiar të Kremlinit.
Realiteti është se shitja e gazit dhe e naftës, është burim thelbësor i të ardhurave për një vend që për shkak të sanksioneve, po shkon drejt falimentimit. Vitin që shkoi, eksportet e këtyre 2 produkteve, gazit dhe naftës kontribuan me gati 1/5 PBB-së së Rusisë.
Ana negative e kësaj “medalje” disi të pistë, është se me blerjet e gazit dhe naftës ruse, BE-ja po kontribuon në ekonominë e luftës së Vladimir Putinit. Prandaj ka ardhur koha që të braktiset kjo praktik, dhe për këtë duhet një program me disa faza.
Faza e parë, ka të bëjë me demaskimin e bllofit rus, dhe mos-pranimin e shantazhit të pagesës me rublën ruse. Këtë e kërkoi edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e cila u kujtoi vendeve anëtare se kjo sjellje do të ishte në kundërshtim me sanksionet.
Në këtë rast shembulli që duhet ndjekur është ai i Polonisë, e cila i është përgjigjur shantazhit rus duke ia kthyer shpinën energjisë ruse. Avantazhi i Varshavës, është se 3/4 e stoqeve të saj janë plot, ndërsa mesatarja e BE-së është vetëm 1/3. Për fat të mirë, gjenerali “Dimër” nuk është rekrutuar këtë herë në ushtrinë ruse.
Ne kemi 6 muaj kohë për të rritur rezervat e naftës dhe gazit, një proces që do të kushtojë rreth 50 miliardë euro, dhe që do të kërkojë më shumë se 50 miliardë metra kub gaz nga SHBA-ja, dhe ndoshta një reduktim të konsumit të energjisë nga familjet dhe bizneset.
Është shqetësuese kur mësohet se disa kompani evropiane, për momentin anonime, po e paguajnë gazin rus në rubla, siç po e kërkon së fundmi Putin, pavarësisht rregullave që diktojnë kontratat afatgjata. Çdo shkelje në përgjigjen e përbashkët të Evropës i jep Putinit një fije shprese.
Uniteti do të jetë thelbësor edhe për hapat e tjerë të përgjigjes evropiane: një kufizim në çmimin e gazit, siç është kërkuar disa herë nga qeveria italiane, një fond i përbashkët për të ndihmuar vendet që do të preken më shumë nga rritja e kostos së energjisë, dhe bllokim i eksporteve ruse të naftës (gjë të cilën BE-ja duhet ta propozojë që në fillim të javës së ardhshme).
Pengesa më e madhe për këto masa ka qenë deri më sot Gjermania. Por “muzika” po ndryshon më në fund edhe në Berlin, dhe shumëkush shpreson që së shpejti kancelari Olaf Scholz të përqafojë linjën e ashpër të udhëheqësve të tjerë evropianë ndaj Moskës.
Përkrahësve të BE-së u pëlqen shumë që të flasin për një integrim dhe “thellim” të lidhjeve midis vendeve anëtare. Sulmi ekonomik i Putinit, u jep atyre mundësinë që të bashkohen në luftën për paqen dhe sigurinë energjetike për një kontinent të tërë.