Analiza

Lufta e madhe, lulet, balta dhe faji i trenave

A nuk ka ardhur momenti t’i lëmë të qetë ata djem të gjorë? Që në monumente të mbijë më në fund bari dhe që të marrin fund përkujtimet! Do të doja që të gjithë ata të vdekur të humbisnin rininë e tyre të përjetshme dhe që dielli të perëndonte një herë e mirë, duke ua kursyer një tjetër mëngjes; do të doja që të plakeshin tamam ashtu siç plakemi ne. Bëjmë gjoja edhe në këtë përvjetor, një përsëritje e lodhur e një rituali që nuk ka kuptim

Robert Fisk
German AdvancePyes veten përse nderojmë të rënët e Luftës së Parë Botërore dhe refuzojmë të mësojmë diçka nga ajo eksperiencë? A nuk ka ardhur momenti t’i lëmë të qetë ata djem të gjorë? Që në monumente të mbijë më në fund bari dhe që të marrin fund përkujtimet! Do të doja që të gjithë ata të vdekur të humbisnin rininë e tyre të përjetshme dhe që dielli të perëndonte një herë e mirë, duke ua kursyer një tjetër mëngjes; do të doja që të plakeshin tamam ashtu siç plakemi ne. Bëjmë gjoja edhe në këtë përvjetor, një përsëritje e lodhur e një rituali që nuk ka kuptim. Kjo gjë do të na lejonte të përballeshim – e ndoshta të kuptonim – tragjeditë që i kemi para syve tanë.
Lulëkuqet e Fiandrave dhe lulediellit e Ukrainës
Gaza në vend të Belgjikës; lulediellit e Ukrainës në vend të lulëkuqeve të Fiandrave. Nuk është e vështirë të imagjinohet se çfarë do të kishin menduar ata njerëz që sot duhet t’i respektojmë, t’i duam, kujtojmë, por edhe t’i lëmë më në fund të qetë. Në vend të Horatio Bottomley kemi patur Tony Blairin. Në vend të Woodroë Wilsonit kemi patur Barack Obamën. Dhe na del Netanjahu në vend të një duke austriak. Sot, Gavrilo Princip lexohet Khaled Meshaal.
Pastaj është Putini. Ah po, Putini, statist autentik i viteve 1914-1918, i vetmi gjigand në skenë – që është pjesërisht një prej arsyeve përse politikanët tanë nuk e kuptojnë – i cili e kupton shumë mirë se lufta është një ilaç qetësues, me të cilin ushqehen ambiciet e tij. Mes të vdekurve të Luftës së Madhe dhe neve – neve njerëzve post-bërthamorë, të globalizuar, të informatizuar – është ajo tragjedi gjigande, të cilës do na takojë t’i përkujtojmë 100 vjetorin pas nja 25 vitesh. Duhet të përsërisim të njëjtin ritual? Nuk i kemi nderuar gjithmonë kufomat. Pas betejës së Vaterlosë, kockat e të vdekurve – anglezët e Uellingtonit, francezët e Napoleonit dhe prusianët e Blucherit – u dërguan në Hull dhe u përdorën si fertilizant për t’i bërë gjithnjë e më të gjelbëra fushat e Britanisë së Madhe dhe dhëmbët e të vdekurve të 1815-ës u përdorën për ndërtim protezash. Ndoshta për këtë arsye im atë, që në Luftën e Parë kish marrë pjesë, e përsëriste shpesh herë shprehjen “dhëmbët e Vaterlosë”. Lotë për ata që nuk ishin më, ndjenja trishtimi për trupat pa jetë. Bill Fiskut (i lindur në Birkenhead në 1899, nëntenent, Batalioni 12 i Regjimentit “Kings Liverpool”, beteja e Tretë e Sommes në 1918, i vdekur në Maidstone në vitin 1992), i kishte ardhur në majë të hundës me këta rituale, hodhi poshtë lulëkuqet dhe në 11 nëntor refuzoi të përkujtonte bashkëluftëtarët e vdekur.
Im atë ia hodhi dhe vdiq në moshë të thyer me një zemërim në trup që u bë edhe më i madh kur shihte që armiqtë e tij – si perandoria britanike për të cilën kishte luftuar – bëheshin gjithnjë e më të vegjël. “Mallkuar qofshin, të marrët!”, thoshte duke aluduar për Haig dhe Foch, për paqebërësit dhe për Hugh Gaitskell.
Fotografitë dhe ushtarët e panjohur
Herë pas here shoh fotografitë që miqtë e Billit i dërguan nga Franca përpara se të nisej në zonën e Sommes. Natyrisht, në ato kohë për të dërguar diçka duhej ta fusje në zarf, të ngjisje një pullë përsipër dhe ta fusje në kutinë e letrave. “Eja të na takosh”, i shkruanin miqtë Në një fotografi shihet një toger, i veshur përsosmërisht si një ushtar i Luftës së Parë. Në fund të letrës shkruhet: “Yti, Trevor”. Miqtë e tim eti vdiqën të gjithë në luftë. Nuk arriti asnjëherë t’ua gjente varret. Kam frikë se Trevori ka vdekur në betejën e Sommes, i zhytur në baltë me sytë e mbyllur përgjithmonë. Një prej shumë “ushtarëve të panjohur”. Sa shumë monumente janë ndërtuar për “ushtarin e panjohur”, në kujtim të atyre që u harruan edhe prej Zotit!
Nënoficeri i Artilerisë Wyndham Lewis, piktor dhe shkrimtar mes themeluesve të lëvizjes vorticiste, thoshte me të drejtë se “lufta e 1914-1918 ishte shumë… ishte si një gjigand me trurin e një foshnje… Nuk kishte zgjidhur asgjë dhe asgjë nuk kishte domethënie’. Duhet të reflektojmë për mënyrën si përfundoi. Megjithatë matemi shumë për këtë.
Marrëveshje, kufij dhe varreza
Shumë kohë përpara se të bëhej varr i civilëve palestinezë, Gaza “u çlirua” prej ushtarëve tanë. Ishte viti 1918, e mbani mend? Në Gaza ka varreza të Luftës së Madhe. Baghdadi u “çlirua” nga gjenerali Maude në vitin 1917, shumë kohë përpara çlirimit “triumfator” të dyshes BUsh-Blair në 2003. Njerëzit e Gjeneralit Allenby “çliruan” Jeruzalemin në 1918. Fitimtarët e Luftës së Madhe prodhuan raportin McMahon, marrëveshjen Sykes-Picot për kufijtë, Deklaratën e Balfour dhe ne i kemi tradhëtuar të gjithë ata që jetojnë në ato toka të lara me gjak. Nuk ka pse habitemi, nëse muajin që kaloi, duke pushtuar kufirin Siri-Irak, ata të marrët e Kalifatit islamik kanë vendosur një tabelë ku shkruhej: “Fundi i Marrëveshjes Sykes-Picot”. Që fëmijë – dhe im atë qeshte – ua vija gjithmonë trenave fajin për Luftën e Madhe. Po të mos kish patur trena, sidomos trenat e përsosur gjermanë, do të kish qenë i pamundur transporti i të gjithë atyre ushtarëve. Dhe sa prej atyre trenave transportonin hebrenjtë drejt Aushvicit?
Binarët e historisë nuk ndalen
Disa lokomotiva gjermane, pas Luftës së Madhe iu dorëzuan francezëve nga gjermanët, si haraç lufte dhe disa prej tyre përfunduan në Liban, falë Sykes dhe Picotit. Sot, këto monstra të mëdha janë ende në ekspozitë, si një varrezë, pak kilometra më në veri të shtëpisë time në Beirut. Janë të bërë shoshë prej plumbave të luftës civile 1975-1990 dhe të mbuluara me lule bukënvili. Një ditë hipa madje në një lokomotivë dhe hapa kaldajën. Nga motorri pikon ende vaji që shkon drejt binarëve. Njerëzit vdesin. Makinat mund të plagosen. Dhe historia ecën përpara. Marrëveshja e paqes e 1918 ishte me sa duket vetëm një armëpushim, i destinuar të zgjaste – siç e parashikoi saktësisht Clemenceau – vetëm 20 vjet. Sot armëpushimet shumëfishohen dhe më pas shkelen, refuzohen dhe nuk respektohen. Në Gaza, në Sudanin e Jugut, në Ukrainë. E vërteta? Lufta e Madhe prodhoi revolucionin rus, gjenocidin e pesë milionë ukrainasve, nazizmin dhe Holokaustin e gjashtë milionë hebrenjve. Këtë po përkujtojmë sot? /The Independent/
Përshtatur në shqip nga BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button