Brexit e ka dhënë pasojën e parë: Fjala “luftë” nuk ishte dëgjuar qysh prej fillimeve të ndërtimit të projektit të Europës së bashkuar
Mosmarrëveshja mbi sovranitetin e Gjibraltarit që në këto ditë ka vënë përbalë Londrën e Madridin, me një rritje të tensionit dhe tone luftarake që nuk dëgjoheshin prej dekadash, është ndoshta shembulli i parë konkret se sa shumë Brexit përbën një rrezik për vazhdimësinë e projektit të Bashkimit Europian. Problemet janë të njohura. Spanja ka provuar që të përdorë negociatat mbi Brexit, për të garantuar për veten të drejtën e vetos, mbi çdo pjesë të marrëveshjes përfundimtare, që ka të bëjë me Gjibraltarin. Nga ana e saj, Mbretëria e Bashkuar, që po përpiqet të braktisë anijen europiane duke marrë me vete sa më shumë ngarkesë që të mundet, ka reaguar me zemërim. Ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm kanë thënë se do të jenë të palëkundur përballë Madridit, dhe një deputet konservator ka folur madje edhe për “luftë”, gjatë një debati televiziv.
Zyrtarisht, spanjollët kanë bërë thirrje për qetësi, por ndërkohë kanë deklaruar se Spanja nuk do të vendosë veto parandaluese, nëse Skocia vendos të kërkojë anëtarësim në BE (deri tani spanjollët kishin thënë se do të vendosnin veton, për të ndalur edhe shtytjet separatiste të Katalonjës).
Me një fjalë, u desh një grindje e vogël diplomatike, për të nxjerrë një fjalë e cila, në korridoret europiane nuk dëgjohej prej vitit 1945. Shtytjet populiste bëjnë që polemika të jetë e ndezur dhe e dhunshme nga të dyja palët. Por lëshimi ndaj këtyre instikteve, nga të dyja palët, shpie në rreziqe të cilët, shumëkush kishte menduar se ishin lënë pas, me ndërtimin e një Europe të bashkuar. /bota.al