MagazineMAIN

“Lufta” për mendjen. Propaganda si fishek dhe media si armë

Kushdo që mendon se propaganda është diçka që i përket të kaluarës, apo vetëm regjimeve totalitare, me siguri do të duhet të rishikojë disa ide fikse që mund të ketë krijuar në kokë.

Propaganda sot nuk është domosdoshmërisht një poster i madh në mur që lavdëron liderin suprem, as një film propagandistik bardhë e zi nga koha e Luftës së Ftohtë. Sot, propagandën e shohim të jetojë ngjitur me ne, çdo ditë, brenda ekranit të smartfonit, në një titull të bujshëm lajmesh, apo në një debat televiziv, ku e vërteta humbet mes zhurmës dhe spektaklit bajat.

Shumëkush e identifikon propagandën me gënjeshtrën e thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, por nuk është kështu. Sepse ajo është më e sofistikuar dhe shumë më efektive, seç ka qenë ndonjëherë. 

Propaganda e kohëve tona nuk kërkon domosdoshmërisht të bindë qytetarin mbi një gënjeshtër të vetme. Shpesh mjafton thjesht ta ngatërrojë, t’i krijojë dyshime dhe të relativizojë gjithçka.

Po cilat janë disa prej teknikave që përdoren zakonisht për të kontrolluar mendimin publik dhe për të “ngatërruar” mendime e perceptime?

Përsëritja pa pushim e mesazhit, e kthyer pothuaj në fiksim

Kush e ka vënë re se sa shpesh një mesazh, sado absurd, përsëritet pa pushim? NUk ndodh rastësisht, por bazohet në Psikologji. Eshtë vërtetuar qartë nga studime psikologjike, se përsëritja e vazhdueshme e një ideje rrit besueshmërinë e saj, pavarësisht nëse është apo jo e vërtetë. Nëse të përsëritet në mënyrë të vazhdueshme dhe të shpeshtë, që fjala vjen, “sot ekonomia është më mirë se kurrë”, pas njëfarë kohe ti mund të fillosh të besosh që ndoshta kjo është e vërteta.

Shpërqëndrimi i njerëzve përmes lajmeve të pavlera

Një nga teknikat më të përdorura është prodhimi i lajmeve të parëndësishme, por me potencial për të bërë bujë. Mediat e interesuara dhe të porositura, hedhin mbi “tavolinën” e lexuesve dhe shikuesve histori personale, thashethemnaja politike apo për të ashtuquajturit VIP-a, me qëllim që të largojnë vëmendjen. Ky bombardim i përditshëm me “pseudo-ngjarje” bën që qytetari të harrojë çfarë është e rëndësishme dhe të harxhojë energjitë në debate boshe e të pavlera.

Në një epokë kur vëmendja njerëzore është kthyer në një burim të vlefshëm dhe të limituar, mediat e porositura dhe të ndikuara nga interesa të veçanta kanë mënyrën ideale për të manipuluar perceptimin e publikut, duke e orientuar vëmendjen drejt çështjeve krejt sipërfaqësore. Në këtë situatë, qytetari nuk reagon më ndaj problemeve që e prekin realisht, pasi mendjen e tij e ka të ngarkuar tashmë me episode kalimtare, si sherret në emisionet televizive, polemikat pa lidhje mes personazheve të spektaklit, apo thashethemet e jetës private të njerëzve, që në të vërtetë s’kanë asnjë ndikim në jetën reale të shumicës. Shkurt, krijohet një realitet alternativ, i cili duket argëtues, por është i zbrazët dhe pa përmbajtje. Ky realitet alternativ bëhet aq i zakonshëm saqë publiku gradualisht fillon të mendojë se kjo është norma.

Kaosi informativ

Nëse nuk e bind dot qytetarin, atëherë ngatërroje. Kjo strategji, e njohur edhe si “firehose of falsehood”, konsiston në publikimin masiv të informacioneve kontradiktore, shpesh krejtësisht të rreme. Qëllimi nuk është vetëm të besosh një version të caktuar të historisë, por të humbësh orientimin në atë masë që as nuk di më çfarë të besosh. Në këtë kaos, kush qëndron prapa merr kontrollin më kollaj mbi narrativën, pasi askush nuk ka më siguri mbi faktet.

Diskreditimi

Teknikë klasike, por ende shumë efektive. Në momentin që dikush guxon të bëjë një hap para dhe të bëjë një kritikë, apo të denoncojë një padrejtësi, propaganda nuk merret me përmbajtjen e asaj që thotë. Nuk ka interes të debatojë mbi fakte, mbi logjikë apo mbi të vërtetën. Dhe fillon menjëherë sulmi personal: Kush është ky që flet? Çfarë ka bërë në të kaluarën? A ka pasur ndonjë gabim, ndonjë dobësi, ndonjë mëkat që duhet gërrmuar?

Synimi është i qartë: të zbehet besueshmëria e kritikut, të vihet në dyshim integriteti i tij, dhe të zhvendoset vëmendja nga problemi real, drejt një loje ku dominon balta. Kështu, kush ndjek debatin nuk e kupton më për çfarë po flitet. Diskutimi nuk zhvillohet më mbi temat me interes, por shndërrohet në një dramë personale me përbaltje, insinuata dhe gjykime morale.

Kjo teknikë ka një efekt të dyfishtë: nga njëra anë, frikëson njerëzit e tjerë që mund t’u shkojë mendja të flasin – askush nuk dëshiron që të bëhet shënjestër në media – dhe nga ana tjetër, i krijon publikut përshtypjen se të gjithë janë njësoj. Prandaj nuk ka kuptim të dëgjosh askënd. Rezultati? Një krizë e zgjatur besimi. Askush nuk i beson më askujt.

Frika dhe ankthi kolektiv

Kur mes njerëzve dominon frika, ndodhin automatikisht dy fenomene të tjera: Sprapset logjika dhe mpaket shpresa. Njeriu bëhet më i prekshëm, më i manipulueshëm, më i gatshëm për të pranuar gjithçka që i serviret si “zgjidhje”. Dhe këtu ndërhyn propaganda.

Eshtë mekanizëm psikologjik i mirënjohur. Nisin e përdoren mjeshtërisht lajmet dramatike, alarmet publike, gjuha e katastrofës. Jo për të informuar, por për të ruajtur mes njerëzve një gjendje të vazhdueshme tensioni dhe paqëndrueshmërie emocionale. Frika bëhet instrument. Dhe kur frika bëhet sistem e stresi normë, liria nuk ekziston më. Dhe ata që e kanë në duar instrumentin, janë të lirë të bëjnë ç’të duan.

Në fund të ditës, propaganda nuk synon kontrollin fizik të njerëzve. Shënjestër e saj është mendja.

Propaganda nuk të urdhëron. 

Propaganda të bind që të bindesh.

Propaganda nuk të ndalon të mendosh, por të bën të ndjehesh sikur nuk ke pse lodhesh që të mendosh.

Dhe kur mbërrihet në pikën kur njeriu nuk pyet, nuk dyshon dhe nuk analizon më, kontrolli ka arritur përsosmërinë e vet. 

As me dhunë dhe as me frikë. Thjesht me një mjegull që përhapet çdo ditë nga pak, që të rrethon e të rrethon deri kur nuk je më në gjendje të dallosh se ku përfundon realiteti dhe ku nis rrëfimi.

Sepse kontrolli më i fortë është ai që s’duket. / bota.al

Back to top button