Analiza

Lufta për të mbijetuar

Shtëpia e Bardhë shkon në luftë për të shpëtuar presidencën e Donald Trumpit

Shtëpia e Bardhë u hodh në ofensivë, në lidhje me hetimin për Rusinë këtë javë, pasi Donald Trump, i irrituar, filloi një shkundje të stafit dhe ndihmësve më të afërt, duke krijuar një “sallë lufte” për të trajtuar pasojat politike, ligjore dhe mediatike të skandalit që po fryhej. Alarmi i administratës u rrit shumë, kur artikujt në media javën e kaluar, identifikuan këshilltarin e lartë të Trumpit dhe njëkohësisht dhëndrin e tij, Jared Kushner si “fokus” të hetimit federal nga këshilltari special Robert Mueller, për shkak të përpjekjes së Kushnerit për të krijuar një kanal të fshehtë me Moskën në dhjetor. Salla e luftës, e cila është modeluar sipas skuadrës së presidentit Bill Clinton, e krijuar gjatë skandalit Monica Lewinsky, thuhet se po ngrihet nga kryestrategu Steve Bannon, shefi i shtabit Reince Priebus dhe vetë Kushner. Drejtori i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Michael Dubke dha dorëheqjen i gjendur nën presion këtë javë. Trump thuhet se po mendon ndryshime të tjera të stafit, si dhe afrimin e ish-shefit të fushatës Corey Levandovski dhe besnikëve të tjerë, për të formuar një “ekip krizash”, për ta mbrojtur përballë televizioneve të lajmeve.

Fokusimi i hetuesit tek Kushneri përqëndrohet në një takim të dhjetorit, i zhvilluar Kullën Trump me Sergej Kislyak, ambasadorin e Rusisë në Uashington dhe Michael Flynn, i cili më vonë u shkarkua si këshilltar i sigurisë kombëtare nga ana e Trump. Në atë kohë, administrata e Obamës ishte ende në detyrë. Kushner thuhet se i sugjeroi Kislyakit, që ndihmësit e Trumpit të mund të bisedonin drejtpërdrejt me Kremlinin, duke përdorur pajisjet e sigurta të komunikimit të Rusisë, në ambasadën ose konsullatën e saj në SHBA. Kislyak, përshkrimi i të cilit mbi takimin u interceptua nga zyrtarët e SHBA, u shastis nga sugjerimi dhe kanali i fshehtë nuk u krijua kurrë. Dy javë më vonë, Kushneri u takua me Sergej Gorkov, kryetar i bankës ruse Vnesheconombank, një takim që më vonë ai nuk e raportoi. Sekretari i Homeland Security, John Kelly tha se kanalet e fshehta ishin “të zakonshme, sipas mendimit tim dhe të pranueshme”.

Në zhvillime të tjera, avokati personal i Trumpit, Michael Cohen, u bë fokusi i hetimeve të kongresit, për bashkëpunim të mundshëm me Rusinë gjatë fushatës. Dhe burimet e inteligjencës i thanë CNN-së se zyrtarët rusë ishin dëgjuar duke diskutuar “informacione nënçmuese” rreth Trumpit, ndoshta të natyrës financiare, që mund t’u jepnin atyre hapësirë veprimi mbi administratën.

Çfarë shkruajtën editorialet

Zbulimi i Kushnerit është shumë shqetësues, shkruante The Baltimore Sun. Aleatët e Kushnerit pohojnë se ekipi i tranzicionit ishte thjesht “duke kërkuar ndihmë ruse për Sirinë”. Por e vetmja arsye e besueshme, që ai do të donte të përdorte pajisjet e Rusisë, do të ishte “të shmangte monitorimin e zbulimit amerikan.” Pra, çfarë fshihte ai? Me kontakte të reja të fshehta dhe lidhje që zbulohen çdo javë, “marrëveshja midis fushatës së Trumpit dhe aleatëve të Vladimir Putinit nuk duket më e pamundur”.

Trump patjetër duhet të riorganizojë administratën e tij kaotike, shkruante The Wall Street Journal. Priebusi ka shumë pak kompetenca për të qenë efektiv. Aleatët e Bannon-it “rrjedhin informacione pa pushim”; Dhe sekretari i shtypit Sean Spicer ka një detyrë të pamundur, sepse Trumpi e kundërshton vazhdimisht atë. “Kaosi” që rezulton është duke e bërë përparimin legjislativ të pamundur. Me mbylljen e hapësirave për të miratuar reformën e kujdesit shëndetësor dhe taksimit, përpara zgjedhjeve të 2018, Trumpi “po harxhon asetin e çmuar që është koha”.

Çfarë shkruajtën analistët

Kanalet e fshehta diplomatike “janë përdorur nga çdo president modern”, shkruante David Ignatius në The Washington Post. Është gjithashtu “rutinë për administratat e sapoardhura që të kenë bisedime njohjeje me qeveritë e huaja”. Por nuk është rutinë ose e pranueshme që të “minohen politikat” e presidentit në detyrë, siç ishin sanksionet që Presidenti Obama i vendosi Rusisë për ndërhyrje në zgjedhje. Nuk është gjithashtu normale që qytetarët e SHBA të duan të përdorin “mjetet e komunikimit të një shërbimi të huaj të inteligjencës”. Kushner mund të jetë në telashe të mëdha.

Fokusimi i komisioneve të kongresit tek Cohen “është një shenjë shumë e keqe për Trumpin”, shkruante Josh Marshall në TalkingPointsMemo.com. Cohen është shumë më tepër se thjesht një avokat. Një biznesmen dhe lojtar i madh i pasurive të paluajtshme në Amerikë dhe jashtë, ai ka lidhje të ngushta me disa “emigrantë nga ish-Bashkimi Sovjetik” – disa prej të cilëve, si ish-biznesmeni i mbështetur nga mafia, Felix Sater, janë përfshirë në projektet e Trumpit. Nëse presidenti ka ndonjë lidhje financiare me Rusinë, Coheni di shumë.

Është e mundur që të ketë një shpjegim mjaft të pafajshëm për të gjithë këtë, shkruante Ross Douthat në The New York Times. Provat e deritanishme janë “ende plotësisht të pajtueshme” me një president dhe ndihmësit e tij, si dhe përpjekjen e tyre për të përmbushur një premtim të fushatës, për rivendosjen e marrëdhënieve me Putinin. Trumpi ka sugjeruar të bëjë aleancë me Moskën që nga vitet 1980, dhe gjatë fushatës, “ai nuk veproi si një njeri me një sekret të errët”, kur haptazi dhe në mënyrë të përsëritur u zotua për të negociuar me Putinin në lidhje me Sirinë, ISIS-in dhe çështje të tjera. Presidenti e ka lejuar veten të jetë në shënjestër, shkruante Rich Loëry në NationalReview.com. Ai ka interpretuar fokusin e kritikëve të tij ndaj Rusisë si një sulm fyes mbi legjitimitetin e fitores së tij zgjedhore. Përpjekjet e tij për ta shtypur këtë histori, sidomos duke shkarkuar drejtorin e FBI-së James Comey, vetëm i kanë hedhur benzinë zjarrit.

Një shkundje apo shkartisje e stafit nuk do ta shpëtojë Trumpin nga vetja, shkruante Jennifer Rubin në WashingtonPost.com. Politikanët më të talentuar republikanë nuk duan fare të kenë të bëjnë me këtë administratë, e cila përballet me një kërcënim të rëndë nga hetimi i Muellerit. Më e rëndësishmja, Trump ka një paaftësi të qenësishme për të dëgjuar “ata që dinë më shumë se ai.” Kjo nuk do të ndryshojë, që do të thotë se “shpartallimi do të vazhdojë”. / Përgatiti: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button