Alan Cowell
Nuk ka radhë me të rinj në zyrat e rekrutimit, si 100 vjet më parë, as edhe gazeta që sapo kanë dalë nga shtypi e që shpallin se lufta është shumë pranë.
Por, ndërkohë që fillonin ceremonitë përkujtimore të Luftës së Madhe këtë javë, është tunduese të pyesësh nëse konflikti global ka rilindur, jo në kuptimin e luftës në shkallë industriale, por në mënyra të tjera, të fshehta që janë duke ribërë nocionet e sovranitetit dhe legjitimitetit, pikërisht ashtu siç bënë fitimtarët e Luftës së Madhe, kur kjo përfundoi në vitin 1918.
Nga Alepo në Tikrit e në Kabul, nga Tripoli, Gaza dhe Donetsku në Juba dhe Bangui, konflikti po përhap dhimbje dhe terror. Një bombë shkund Mogadishun, të krishterët, të kërcënuar me vdekje po largohen nga Mosuli. Një gjeneral amerikan vdes në Afganistan.
Lista e plotë e konflikteve pothuajse i lë pas pararendësit: dy ditë pasi britanikët përkujtuan futjen e tyre në Luftën e Parë Botërore në 4 gusht 1914, Japonia përkujtoi përvjetorin e 69 të bombardimit të Hiroshimës, në 6 gusht 1945.
“Atëherë, çfarë jemi duke mësuar prej këtyre përvjetorëve?” pyeste në mënyrë retorike Geoffrey Durham, një komedian, në një emision radiofonik, duke numëruar tetë luftëra që po shpalosen teksa ai fliste. “Që militarizmi bën punë? Apo që lufta i zgjidh problemet?”
Një tjetër pyetje erdhi nga editorialisti i The Guardian, Simon Jenkins. “E vërteta”, shkruante ai, “është se të nxjerrësh mësime është shndërruar në fjalën e koduar për të festuar fitoren”. Me fjalë të tjera, lavdia është ekskluzivitet i fitimtarëve.
Në vitin 1914, ushtarët europianë të të dy krahëve marshuan në fushata që do i mbërthenin vendet e tyre në luftëra totale, duke u tendosur nga fermat dhe fabrikat, në vijat e fronteve. Të rinj britanikë, të mbushur me patriotizëm, pretendonin me të madhe të drejtën për të shkuar në luftë, pak a shumë ashtu sikurse sot, 100 vjet më vonë, të rinj europianë rrëshkasin nëpër kufijtë e feve për t’iu bashkuar militantëve islamikë në Siri dhe në Irak.
Në krahasim me flakën e madhe të Luftës së Parë, pikat e nxjehta sot mund të duken si zjarre të vegjël pranë Ypresit apo Sommes. Por, siç shkruante Times e Londrës në një editorial të ditëve të fundit, po këta konflikte “po i japin formë botës sonë dhe po e bëjnë atë më të rrezikshme se sa ka qenë për disa dekada”.
Pas Luftës së Parë Botërore, fitimtarët rimodeluan hartografinë ekonomike dhe politike, duke rishpërndarë burimet dhe tokat e të humburve. Këto kohë, hartat po ribëhen sa hap e mbyll sytë, prej ngjarjeve në terren, duke sfiduar kështu gurthemelet e historisë, që u hodhën në shekullin e njëzetë, teksa ndërluftuesit e sotëm kërkojnë një rend të ri.
Rusia ka aneksuar Krimenë dhe akuzohet prej Perëndimit se po nxit rebelimin në Ukrainën lindore. Në Gaza, militantët e Hamasit përpiqen të dëmtojnë premtimin e një mëmëdheu për hebrenjtë, i skalitur në Deklaratën e Balfourit të vitit 1917.
Kur luftëtarët islamikë u “hodhën” nga Siria në Irak për të shpallur shtetin islamik, ata sfiduan gjeografinë e sovranitetit imperial dhe post-imperial, që buronte prej marrëveshjes Sykes-Picot, e firmosur mes zyrtarëve britanikë dhe francezë në vitin 1916, kur po ndanin perandorinë otomane.
Qëllimi i militantëve? Të rikthejnë kalifatin islamik, paraardhësi otoman i të cilit u shemb pas betejës së perandorive mes viteve 1914 dhe 1918.
Shenjat paralajmëruese të Luftës së Parë filluan në mënyrë jtë beftë pas vrasjes së Franc Ferdinandit dhe bashkëshortes së tij, Sofisë në Sarajevë, duke ndërprerë kështu një epokë që Times i Londrës e ka quajtur “një botë e lidhur, e cila nuk do të rrezikonte kurrë konfliktin e armatosur, sepse do të vinte në rrezik begatinë e përbashkët”.
Një shekull më vonë, teksa konfliktet përhapen nga Atlantiku në Afrikë e deri në Hindu Kushin e largët, paralelet me 1914 mund të mos përfundojnë këtu.
Europianët nuk mund të jenë të sigurtë “se nuk po bëjnë piknik mbi të njëjtin vullkan që konsumoi paraardhësit tanë”, shkruante Matthew Engel tek The Financial Times. “Vrasja në Sarajevë, që në atë kohë u pa si një ngjarje e vogël, ishte tamam mishërimi i Teorisë së Kaosit: rrahja e krahëve të një fluture mund të shkaktojë një uragan”. /NYT/
Pershtatur ne shqip nga bota.al
3 minutes read