Loretta Napoleoni
Nga Libri: “The Islamist Phoenix: The Islamic State and the Redrawing of the Middle East”
Qysh nga fillimi i verës 2014 liderët botërore po kundërshtojnë fuqinë në rritje e IS-it (Shtetit Islamik). I kemi parë t’u paraqesin elektorateve të tyre një lloj liste gjërash që kanë ndërmend të bëjnë për ta përballuar kërcënimin, i kemi dëgjuar të përdorin një terminologji të re. Presidenti Obama ka folur për “poshtërim” të kësaj ushtrie duke ravijëzuar strategjitë ushtarake dhe kemi dëgjuar premtimin se monstra e re do të shpartallohet. Hap pas hapi, në këtë trajektore, bota ka asistuar edhe përgjigjen e IS-it. Një herë ajo ishte e fshehur ne akte barbarie si kokëprerja e James Foley dhe e pengjeve të tjera. Herë të tjera transmetohej nëpërmjet fjalëve të pengjeve perëndimore, për shembull në videon e John Cantlie, apo nëpërmjet propagandës së anëtarëve europianë dhe të huaj të ISIS-it.
Të mos ishte për milionat e viktimave të konfliktit sirian dhe iraken, mund të thuhet se lufta me fjalë dhe me propagandë që IS-i dhe thelbësisht pjesa tjetër e botës po luftojnë, edhe më shumë në mediat sociale sesa në ato tradicionale, të kujton një finale të Wimbledonit, me të njëjtën ngarkesë suspanse, të papritura, ndërprerje dhe paparashikueshmëri të rezultatit.
Si ka arritur një organizatë e armatosur, 3 vjet më parë pothuajse e panjohur, të kërcënojë botën? Dhe jo vetëm ushtarakisht, në fushëbetejat siriane e irakene, por edhe ideologjikisht, me një denoncim me përhapje virale të kontradiktave dhe të dobësive të demokracive perëndimore në një botë multipolare, duke përdorur të gjitha mjetet moderne të komunikimit?
Përgjigja qëndron në shpërbërjen progresive të shtetit kombëtar në Siri e në Irak. Të zhveshur nga roli i tyre si përfaqësues të popullsisë, këto shtete janë tërhequr deri në gjendjen e enklavave paramoderne.
Shpërbërja e vendeve arabe
Në Siri, pranvera arabe ka hasur reagimin e dhunshëm të al Assadit dhe, në indiferencën e botës, ëndërra e demokracisë është davaritur. Situata u sintetizua shkëlqyeshëm nga Ali Khedery, që nga 2003 në 2010 ka qenë sekretar personal i 5 ambasadorëve amerikanë në Irak dhe këshilltar i lartë i tri krerëve të Centcom-it amerikan. “Të ndodhura përballë ushtrisë së al Assadit dhe shërbimeve të inteligjencës, Hizballahu i Libanit, milicitë islamiste shiite në Irak dhe mbrojtësit e tyre, Gardianët e Revolucionit në Iran, sirianët, fillimisht manifestues paqësorë, brenda pak kohësh janë çliruar nga iluzionet, zhgënjyer dhe delegjitimuar, duke u transformuar së fundmi në militantë të radikalizuar e të dhunshëm”.
Fronte sektare janë hapur nga sot nesër dhe protestat paqësore janë bërë një luftë civile, nga ana e saj e degjeneruar në një luftë moderne me bedel, me shtetet e ndryshme të pasura të Gjirit që financonin grupet e armatosura dhe milicitë e tyre për të goditur Iranin, armikun shiit numër një, dhe al Assadin, aleatin arab të Teheranit. Çdo rregull ndërkombëtar lufte është shkelur, duke filluar nga përdorimi i armëve kimike kundë civilëve, deri në plaçkitjen e vilave të pasanikëve në Aleppo. Sa hap e mbyll sytë, lufta paramoderne ka pretenduar një vend në shekullin e XXI-të.
Në Irak, duke harruar premtimet për ndarjen e pushteteve me etnitë e tjera, Nouri al Maliki e ka konsoliduar në fakt nëpërmjet një fushate sektare që synonte t’i shkatërronte. Ka arrestuar rivalin e tij të madh, Zëvendëspresidentin Tariq al Hashimi, “i mbështetur nga Irani dhe i armatosur me Humvee, M-16 e tanke M1A1 të prodhimit amerikan”. Të njëjtin fat i ka rezervuar një rivali të dytë të shquar sunit, Ministrit të Financave Rafea al Essawi, që ka braktisur politikën dhe është strehuar pranë tribùsë së tij në provincën irakene Anbar. “Përballë trazirave masive, këshillat provinciale arabe sunite të Irakut votojnë për një rend gjysmëautonomie sipas modelit të rajonit fqinj të Kurdistanit. Duke përdorur truke burokratike në kundërshtim me kushtetutën irakene, al Maliki bllokon mbajtjen e një referendumi. Në provincat sunite shpërthejnë manifestimet e mosbindjes civile dhe miliona irakenë edhe një herë akoma konstatojnë se për ta nuk është parashikuar asnjë pjesëmarrje në sukseset e Irakut, por vetëm në dështimet e tij. duke pohuar se është në posedim të informacioneve lidhur me infiltrimin e al Qaedas midis manifestuesve, al Maliki i shtyp me një forcë vdekjeprurëse. Dhjetëra persona mbesin të vrarë gjatë një inkursioni ushtarak në Hawija në prillin e 2013, duke i ashpërsuar akoma më shumë tensionet sektare tashmë të ashpra”.
Dy liderë shiitë – njëri, al Assad, i mbështetur nga Rusia, dhe tjetri, al Maliki, i mbështetur nga Perëndimi – abuzonin me pushtetin e tyre dhe shtypnin me dhunë apelin e popullsisë për një demokraci të vërtetë. Asnjëri nga të dy nuk u përmbahej premtimeve të veta. Kur ishte ngjitur në pushtet pas vdekjes së të atit, al Assad kishte ndezur shpresat e njerëzve duke projektuar reforma demokratike. Al Maliki ishte impenjuar që të qeveriste sipas kushtetutës, duke siguruar se do ta drejtonte qeverinë e parë të Irakut vërtet demokratike.
Në këtë proces rrëshqitjeje drejt një gjendjeje enklave paramoderne Iraku është imazhi spekular i Sirisë. Vetëm se Damasku ndodhet disa vite më përpara në këtë itinerar dëshpërues: shpërbërja e shtetit iraken sapo ka filluar. Dhe shteti ka treguar një aftësi të jashtëzakonshme në kuptimin e ngjashmërive midis dy vendeve, duke i shfrytëzuar me një vrull të jashtëzakonshëm.
Perëndimi dhe bota sillen me Irakun ndryshe nga sa kanë bërë me Sirinë, sidomos tani që IS-i ka krijuar Kalifatin? Është një pyetje të cilës asnjeri nuk është në gjendje t’i përgjigjet. Në të kaluarën, Shtetet e Bashkuara dhe Europa nuk kanë qenë të afta të gjejnë formulën për çbllokimin e vetos së imponuar nga Rusia e Kina në Këshillin e Sigurimit ndaj çdo ndërhyrjeje ushtarake në Siri. Ndërsa të gjithë e dinë se al Assad i garanton eksesin në Mesdhe flotës ruse, ngurrimi i Kinës lind nga mënyra e trishtuar me të cilën europianë dhe amerikanë kanë menaxhuar ndryshimin e regjimit në Libi, duke bërë një vend thellësisht të paqëndrueshëm. Edhe opinioni publik ishte ngurrues që të asistonte në dështimin e radhës së një tentative të ndërtimit të shtetit nga ana e liderëve botërorë. Pas gënjeshtrave të treguara nga Bush e Blair për pushtimin e Irakut dhe çmimit të lartë të paguar nga forcat e koalicionit, Perëndimi nuk kishte kurrfarë dëshire për t’u përzier në përmbysjen e një diktatori tjetër arab. Asgjë nga kjo nuk ka ndryshuar. Perëndimi dhe bota ndodhen përballë të njëjtës moçalishte identike në perspektivën e një ndërhyrjeje ushtarake në Irak e në Siri për të “poshtëruar” ushtrinë e IS-it. Politika e frenimit e adoptuar deri më tani, në Siri dhe në rastin e konflikteve të tjera të ngjashme në botë, mund të jetë e pamjaftueshme përballë një organizate të armatosur që është transformuar në shtet. Praktikisht, natyra e rrezikut të përfaqësuar nga IS-i është shumë ndryshe nga ajo e përbërë nga proliferimi konflikteve në vende në të cilat shteti modern është shpërbërë.
Lufta e Tretë Botërore
Në verën e 2014 Papa Françesku ka folur për një Luftë të Tretë Botërore, një përzierje erëqelbur konfliktesh që ka pak ngjashmëri me dy luftërat botërore e shekullit të XX-të. Këto konflikte të kujtojnë më shumë luftërat paramoderne, të kryera nga shtete josovrane, por nga zotërinj lufte, milicë e mercenarë, objektivi final i të cilëve është pushtimi territorial, me qëllim shfrytëzimin e popullsive dhe resurseve natyrore. Kështu, asnjëra prej këtyre luftërave nuk luftohet në pritje të krijimit të një shteti kombëtar.
Mungojnë llogoret, fushat e betejave dhe deri rregullat ndërkombëtare që në një farë mase u vendosin kode dhe limite sjelljes së palëve ndërluftuese. Konventa e Gjenevës ka përfunduar në kazanin e plehrave. Komponentët e ndryshëm të këtyre luftërave erëqelbura janë njollosur me krime lufte, genocid, spastrim etnik dhe masakra fetare; shumë prej tyre janë grupe të armatosura dhe mercenare. Në Nigeri, Amnesty International ka filmuar ushtarakë nigerianë dhe anëtarë të Civilian Joint Task Force, milicia civile, teksa thernin të burgosur të dyshuar se ishin pjesë e Boko Haram dhe i hidhnin trupat në varre të përbashkëta.
Nga Nigeria në Siri, nga Saheli në Afganistan, viktimat e luftërave të reja janë në pjesën më të madhe civilë. Në Nigeri, sipas vlerësimeve të Amnesty International, në 12 muajt e fundit janë vrarë 4000 njerëz, për më tepër civilë, në sulmet e kryera nga Boko Haram dhe nga ushtria nigeriane. Në Siri, nga fillimi i luftës civile, mbi 1 milion njerëz kanë humbur banesën dhe 200000 kanë humbur jetën.
Luftëra me të dhëna të ngjashme djegin flakë edhe kufijtë e Bashkimit Europian. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se nga prilli 2014, 1129 civilë kanë vdekur në përplasjet e ashpra midis ushtrisë ukrainase dhe milicive separatiste proruse. Llogaritje të tjera, jo zyrtare, na japin një shifër shumë më të lartë.
Ato që kemi përpara syve janë konflikte paramoderne që përdorin teknologjinë moderne, një kombinim vdekjeprurës që i rrit ndjeshëm rreziqet për popullsinë civile. Një shembull flagrant është rrëzimi “gabimisht” i një avioni linje malajzian, që ka pasur fatin e ket të fluturimit mbi Ukrainën lindore në 13000 metra lartësi, kur komandanti i shkujdesur i një njësie raketash nuk e ka kaptuar se çfarë ishte objektivi që kishte vënë në shënjestër.
Mary Kaldor, Docente në London School of Economics dhe autore e “New and Old Wars: Organized Violence in a Global Era”, shkruan se globalizimi ka bërë që disa rajone të bien në gjendje anarkie të ngjashme me atë që filozofi Thomas Hobbes e quante gjendje natyrore. “Gjendja e njerëzve të privuar nga shoqëria civile (gjendje që me plot të drejtë mund të quanim gjendje natyrore) nuk është gjë tjetër veçse një luftë e të gjithë kundër të gjithëve […] me frikën dhe rrezikun e vazhdueshëm e një vdekjeje të dhunshme”. Jeta përpara se të lindte shoqëria ishte “e ashpër, brutale dhe e shkurtër” për shkak të anarkisë në të cilën njeriu ishte e shtrënguar të jetonte. Është kjo gjendja ne të cilën pjesë të Sirisë (për shembull Aleppo) dhe të Irakut janë katandisur sot. Globalizimi ka kompromentuar stabilitetin e shumë regjimeve autoritare, nga Libia në Siri e Irak, duke i vetëdijësuar popujt respektivë për gjendjen politike të tyre. Rënia e Khadaffi ne 2011 është përkthyer në një boshllëk politik që milicitë fisnore rivale – nga liberalët tek islamistët e linjës së ashpër – e kanë mbushur me frikën. Reagimi i dhunshëm ndaj pranverës arabe siriane dhe ngritja e sunitëve irakenë ka krijuar një boshllëk analog. Objektivi i përbashkët i shumë grupeve të armatosura që e kanë mbushur është fitimi i pushtetit politik dhe ekonomik në pritje të një shfrytëzimi, jo të krijimit të një shteti demokratik, as të një kombi të ri në kuptimin modern të fjalës. Në të kundërt, anarkia është terreni më pjellor për plaçkitjen e resurseve dhe shfrytëzimin e njerëzve.
Procesi i degjenerimit dhe rënia e shtetit është kështu shkaku final i karakterit paramodern të konflikteve të sotme dhe është një fenomen gjithnjë e më shumë i lidhur me faktorë ekonomikë, me varfërinë drastike e rajoneve dhe popujve. Globalizimi ka sjellë begatimin në disa zona, si Kina apo Brazili, dhe varfërinë në shumë të tjera, si në Lindjen e Mesme apo pjesë të Afrikës është e lidhur pjesërisht me ndryshimet klimaterike alarmuese, pjesërisht me garën e vendeve të pasura për të shtënë në dorë resurset e kontinentit. Në Lindje të Mesme, fenomene të tjera kanë kontribuar në këtë varfërim. Për shembull, në Irak, një dekadë sanksionesh ekonomike e kanë transformuar vendin me nivelin më të lartë të arsimit në botërabe në një shtet ku gratë nuk kanë të drejtë të punojnë. Procesi i islamizimit dhe i regresionit në një shoqëri paramoderne ka ecur kështu me hap të njëjtë me atë të varfërimit.
Kombinacioni vdekjeprurës i globalizimit dhe varfërisë në rritje ka ngjallur një pasiguri të përhapur midis popullsisë, duke ushqyer konflikte të armatosur nën petkun e fesë dhe të etnisë. Konfliktet janë bërë pashmangshmërisht multipolare. Në Mali, separatistët tuaregë dhe fraksionet islamike po luftojnë midis tyre dhe njëkohësisht kundër qeverisë; në Republikën e Afrikës Qendrore, milicitë kristiane dhe myslimane janë impenjuar në përplasje të përgjakshme, që kërcënojnë të transformohen në gjenocid, ndërsa anëtarët e ushtrisë zyrtare pozicionohen sipas kredos së tyre. Së fundi, në Afrikën Qendrore, al Qaeda në Magreb është aktive praktikisht kudo.
Dhuna brutale karakterizon të gjitha luftërat paramoderne bashkëkohore erëqelbura, ashtu si përhapja mediatike e tyre. Shembulli më flagrant ka qenë vrasja e gazetarit amerikan James Foley nga ana e IS-it; videoja e kokëprerjes së tij ka bërë xhiron e votës nëpërmjet medieve sociale. Por do të ishte gabim të përfshihej lufta pushtuese e Kalifatit në Siri e në Irak në të njëjtën kategori të konflikteve pasmoderne të sapo përshkruara. Megjithëse lufta pushtuese që po kryen ISIS-i futet në atë që papa Françesku e quan si Lufta e Tretë Botërore, ajo përfaqëson një ndryshim themelor respektivisht konfliktit paramodern bashkëkohor që po luftojnë grupe të tjera të armatosura.
Shteti modern i ripërkufizuar
IS-i ndjek objektiva jo më pak ambicioze se ato të themeluesve të shteteve kombëtare evropiane. Në këtë është bashkëkohës dhe moder. Si ai i Izraelit, koncepti i shtetit kombëtar të tij bazohet mbi grupe etniko – fetare, sunite salafite, në vend të një etniciteti të vetëm: territorialitet, sovranitet (për momentin i njohur vetëm nga brenda), legjitimitet dhe burokraci. Në vend që të kënaqet me enklava të vogla, tenton të krijojë versionin e shekullit të XXI-të të Kalifatit të lashtë dhe refuzon idenë e një gjendjeje permanente anarkie. Në të kundër, në territoret e pushtuara, një prej detyrave të para që ISIS realizon është krijimi i gjykatave fetare dhe imponimi i sharias.
Përgjegjësia e “ligjit dhe rendit” është kështu e Kalifatit dhe ai që merret me zbatimin e tyre është aparati administrativ i tyre, megjithëse në mënyrë rudimentare. Kalifati është përgjegjës edhe i mbrojtjes nga sulmet e armiqve nga zona nën juridiksionin e tij. Kështu, IS-i merr përsipër edhe barrën e sigurisë kombëtare. Ligj e rend dhe siguri kombëtare janë dy detyrat kyçe që dallojnë shtetin modern nga enklavat paramoderne e qeverisura nga zotërinjtë e luftës dhe baronët. Elementi tjetër themelor është konsensusi legjitimes i popullsisë, ajo që Rousseau e quante “kontratë sociale”.
Nuk ka kurrfarë dyshimi që IS-i synon ta sigurojë një konsensus të tillë duke ju drejtuar të gjitha strategjive të mundshme. Siç e kemi parë, përdor të hyrat e ardhura nga resurse strategjike edhe për të rindërtuar infrastrukturat socioekonomike në Kalifat. Përdoret një propagandë e sofistikuar me qëllim promovimin e një shteti në kuptimin e vërtetë të fjalës, i legjitimuar nga popullsia myslimane, jo vetëm lokalisht, por edhe në nivel ndërkombëtar. Abu Bakr al Baghdadi i është paraqitur Umma-së si Kalifi i ri, një pasardhës i Profetit. Kalifati përhap imazhe të një ushtrie të rregullt, shumë ndryshe nga bandat e armatosura e al Qaedas apo të Boko Haram, një ushtri që operon në mënyrë tradicionale duke luftuar në fusha e në llogore, duke përdorur armë moderne: Paradoksalisht, armë, në pjesën më të madhe amerikane dhe ruse, të marra respektivisht nga ushtria irakene dhe ajo siriane. Me instrumente të sofistikuara propagande, rekruton luftëtarë të huaj të ardhur nga Europa e nga Shtetet e Bashkuara, nga Azia, nga Afrika Veriore, ashtu si edhe nga Australia dhe deri Zelanda e Re. Edhe pse i impenjuar në një spastrim etnik, Kalifati tregohet ekumenik dhe ofron mundësinë e konvertimit në salafizmin sunit për të siguruar shtetësinë. Ata që refuzojnë dhe nuk mund të arratisen, pushkatohen. Hap negociata më fuqi të huaja lidhur me lëshimin e pengjeve, duke treguar një pragmatizëm që al Qaeda nuk e ka pasur kurrë.
Pika në të cilën IS-i ndryshon nga shteti kombëtar modern është në mjetet që përdor për ta realizuar këtë ngrehinë gjeografike dhe politike: mjetet e terrorizmit. Ndërsa revolucionet konsiderohen një burim i pranueshëm legjitimiteti për shtetin modern, terrorizimi nuk është.
Në kulm të krizës ekzistenciale të demokracive moderne në një botë multipolare dhe në kontekstin e destabilizimit të Lindjes së Mesme, në sfondin e një Lufte të Tretë Botërore që të kujton konfliktet paramoderne, sfida e vërtetë e IS-it mbështetet mbi një formulë të re të ndërtimit të shtetit. Që Kalifati ia arrin apo jo të afirmohet në të ardhmen e afërt, modeli i ri që ka eksperimentuar pashmangshmërisht që do të frymëzojë grupe të tjera ta armatosura. Paaftësia e demonstruar nga Perëndimi dhe nga bota për ta përballuar këtë temë specifike do të ketë pasoja shkatërrimtare për rendin botëror.
Epilog
Ndërsa IS-i ndizte flakë Lindjen e Mesme, Revolucioni i Ombrellave – revolta e radhës që kërkojnë demokraci – ka paralizuar Hong Kongun. Këto ngjarje a janë të lidhura në ndonjë mënyrë? Në këtë rast, cila është lidhja midis pranverës arabe dhe një organizate terroriste brutale, që ka arritur të transformohet në shtet dhe që po e ridizajnon me gjak hartën e Lindjes së Mesme?
Trazirat e dekadës së fundit dhe IS-i janë dy produkte të çrregullimit aktual të një bote multipolare, një fenomen që ka ardhur duke marrë formë qysh nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Në veçanti, pranvera arabe dhe IS-i janë një Janus modern: dy përgjigje ndaj të njëjtit problem, atë të një lidershipi të Lindjes së mesme të korruptuar. Pse i dyti ka pasur sukses, ndërsa i pari ka dështuar?
Siç e kemi parë, IS-i nuk është një lloj terrorizimi i ri, por një fenomen krejtësisht modern. A mund të jetë ky burimi kryesor i suksesit të tij? ka mundësi. Ndërsa Perëndimi dhe aleatët myslimanë të tij refuzonin ta pranonin shfaqjen e një peizazhi politik ndërkombëtar të ri, IS-i jo vetëm është adaptuar me të, por edhe e ka refuzuar plotësisht këtë mjedis politik të ri. Lindja e një sistemi multipolar, në të cilin fuqia e Shteteve të Bashkuara është përballuar nga vende emergjente të rinj si Kina, e ka bërë demode “politikën e jashtme të stilit të vjetër”. Një ndërhyrje perëndimore në Siri, me mandatin e Kombeve të Bashkuara, mbetet një ngjarje e pamundur për shkak të kundërshtimit të Kinës dhe Rusisë, por edhe me legjitimimin e dukshëm të Koalicionit të Madh të grumbulluar nga Presidenti Obama, një ndërhyrje kundër IS-it do të kufizohet tek Iraku dhe do të qëndrojë në limitet e operacioneve ajrore në mbështetje të trupave lokale. Me fjalë të tjera, Koalicioni do të mbështesë këdo që është i gatshëm të luftojë IS-in në terren, duke e zgjeruar diametrin tashmë të luftës moderne me bedel. Kjo qasje rrezikon që të inkurajojë grupe të tjera të ndjekin gjurmët e ISIS-it dhe të përdorin armët dhe paratë e ofruar nga sponsorët për ta kufizuar hapësirën për shtetet e tyre, duke e destabilizuar më tej Lindjen e Mesme.
Vendimi amerikan dhe europian për të armatosur peshmergat dhe PKK-në, akoma të paraqitura zyrtarisht si organizata terroriste, ka riformuluar tashmë linjat e luftimit në luftën për pavarësinë e Kurdistanit dhe Turqia, një vend në të cilin 20 përqind është me origjinë kurde. Përplasje të dhunshme midis kurdëve dhe turqve kanë shpërthyer tashmë në qendra të ndryshme të Turqisë dhe në të gjithë Europën janë organizuar manifestime në favor të një Kurdistani të pavarur. Ka pasur edhe një pushtim të shkurtër të Parlamentit Europian. Ndërkohë, çështja e ndërhyrjes ushtarake vazhdon që të krijojë dyzime midis forcave të Koalicionit. Bombardimet ajrore rezultojnë të pmajaftueshëm për ndalimin e avancimit të ushtrisë së IS-it; për pasojë, hipoteza e dërgimit të trupave në Irak mund të zërë shpejt qendrën debatit. Cilidoqoftë rezultati, është e qartë se ndërhyrja e huaj nuk do ta ndalë destabilizimin e rajonit – nuk e ka bërë kurrë dhe kurrë nuk do ta bëjë – dhe se është e domosdoshme një qasje e ndryshme, më pragmatiste, për të penguar vdekje dhe shkatërrime të tjera. Kjo qasje duhet të marrë parasysh ekzistencën e një fuqie të re në rajon dhe të pranojë se përdorimi i luftës me bedel është një strategji e destinuar që t’i rikthehet në bumerang atij që e përdor. Për pasojë, një qasje e tillë duhet të kërkojë që ta kundërshtojë këtë fuqi të re duke përdorur instrumente të tjera, të ndryshme nga lufta.
Dalja e një sistemi multipolar u ka hapur mundësi të reja atyre që e kuptojnë se cilat janë rregullat e reja të lojës. Kemi parë se në çfarë mënyre IS-i ka shfrytëzuar luftën me bedel në Siri dhe në çfarë mënyre, falë makinës së vet propagandistike të fuqishme, po nxjerr në dritë kontradiktat surreale e Koalicionit të Madh të Obama.
Përtej politikës moderne, IS-i zotëron përsosshmërisht teknologjinë e avancuar për të bërë të konvertuar, rekrutuar militantë dhe grumbulluar fonde dhe kjo është një shenjë e qartë modernizmi. Sukseset që ka pasur në ndërtimin e shtetit fushata dixhitale e tij është një shembull për manual i forcës së komunikacionit. E njëjta gjë mund të thuhet për lëvizjet e shumta të protestës demokratike të dekadës së fundit.
Në 2009 revoltat e shesheve iraniane qenë ushqyer nga Twitter. Në 2011 përdorimi i Facebook nga ana e pranverës arabe i ka treguar botës se çfarë po ndodhte në Kajro. Një vit më pas, lëvizja Occupy përhapte protestën e saj në YouTube. Revolucioni i Ombrellave në Hong Kong përdori Bluetooth për t’ju shmangur censurës së internetit. Por asnjë prej këtyre lëvizjeve nuk ka prodhuar ndryshime politike, ekonomike dhe sociale të masës së atyre të realizuara nga IS-i.
Të vetme, teknologjia moderne dhe një kuptim i qartë i funksionimit të botës tonë multipolare nuk janë të mjaftueshme për të pasur sukses. Është e mundur që “kryengritjet e smartphone”, përfshi pranverën arabe, kanë dështuar aty ku IS-i ia ka arritur, pasi ky i fundit qeveriset nga një elitë profesionistësh që drejton masat, ndërsa të parat janë në mëshirën e ndërveprimit dhe pjesëmarrjes konstante të njerëzve? Nëqoftëse është kështu, modeli i ndërtimit shtetëror të IS-it është më modern sesa ai i pranverës arabe? Janë pyetje të frikshme që demokracitë dhe shtetet legjitime duhet të ngrenë në rast se duan të pengojnë proliferimin e një vale të re autoritarizmi.
A ekziston një opsion i tretë midis dështimit të pranverës dhe sukseseve të IS-it? Po, ekziston dhe ka të bëjë me arsimin, dijen dhe kuptimin e mjedisit politik në evolucion në të cilin jetojmë, të njëjtat instrumente të përdorur në të kaluarën për t’i dhënë jetë me sukses ndryshimit politik jo në mënyrë mizore, por me konsensusin, gjë që shumë të rinj luftëtarë me smartphone, sa edhe jaka të bardha të politikës vazhdojnë të mos e kuptojnë.
Përkthimi: ARMIN TIRANA