Analiza

Macron dhe populizmat e mbivlerësuar

Edgar Schuler

Frikë, ndjesi të errëta: është kjo gjendja e humorit e gazetave evropiane pas zgjedhjeve presidenciale franceze. Megjithatë, gjërat kanë shkuar në mënyrën më të mirë: humbje për Marine Le Pen dhe fitore e shkëlqyer e proevropianit Macron. Komentuesit pan-evropianë, të cilët nuë fillim nuk i panë të vinin populizmat e të djathtës, e kanë fryrë papritmas, deri sa e kanë bërë një kërcënim apokaliptik. Dhe tani, në një lloj rendjeje drejt vdekjes kolektive, vazhdojnë që ta përshkruajnë atë, si një ortek të pandalshëm.

Nga Parisi, “Le Figaro” paralajmëron me tone të ngrysura se “në fakt, Emmanuel Macron përfaqëson vetëm një të katërtën e francezëve, ndërsa gati gjysma e votuesve kanë zgjedhur të djathtën e Marine Le Pen, apo të majtën e Melenchon, dhe janë armiqësorë ndaj vlerave të presidentit të ri”.

Sipas gazetës së Berlinit “Die Wëelt”, koha në dispozicion për Macronin për të rifutur në rrugë vendin e tij, është shumë e pakët: “janë të shumta ndarjet në Francë, dhe opozita është shumë shkatërruese, ajo rri e pret për dështimin e tij”.

Nga Zyrihu, “Tages Anzeiger” paralajmëron: “Vota e një të tretës së votuesve në favor të Marine Le Pen tingëllon si një paralajmërim përfundimtar: në qoftë se do dështojë projekti reformist i Macronit, brenda pesë vitesh, Fronti Nacional do të fitojë shumicën”.

Për komentatorët, pesimizmi është padyshim në modë: katastrofat përvijohen kudo, dhe askush nuk dëshiron të akuzohet për mungesë largpamësie dhe zgjuarsie. Por zgjedhja e Macronit konfirmon në mënyrë të qartë, vazhdueshmërinë e imunitetit të Evropës, nga tribunët e popullit të llojit të Marine Le Pen: humbja e saj është e pesta e një serie dështimesh të populistëve të djathtë.

Ky realitet duket se eklipsohet në sytë e shumëkujt, të sprapsur prej Brexit dhe zgjedhjes së Donald Trumpit. Por në qoftë se tronditja e këtyre dy rezultateve zgjedhore është marrë pa dyshim seriozisht, nuk ka nevojë që ato të interpretohen si ogure të këqia. Në Britani, avokatët e daljes nga Bashkimi Evropian fituan me një rezultat shumë të ngushtë; dhe Trumpi nuk u zgjodh me një shumicë popullore të votave, por në sajë të një mekanizmi të çuditshëm zgjedhor, edhe pse i bazuar në një traditë të respektuar. Me sistemin francez, nuk do të kishin ardhur në presidencë.

Pra, edhe në këto raste, do të kish mjaftuar shumë pak për t’ua penguar rrugën populistëve.

Eshtë e vërtetë që në këtë kuptim, nuk ekzistojnë garanci a priori. Eshtë e domosdoshme të kesh personelin e duhur dhe zgjedhjet e duhura strategjike. Tani, në kuadër të këtyre dy kushteve, Macroni përfaqëson një shembull inkurajues, përballë atyre që vazhdonin të kultivonin dyshime ndaj tij. Me një guxim dhe arrogancë të denjë për Asterix, ia doli që t’u marrë terren të gjithë kuajve të betejës së Republikës së Pestë, duke përfituar nga rrethanat e favorshme të një shumice zgjedhësish, që mezi prisnin të shkëputeshin nga politika e vjetër. Përveç gjithë të tjerave, ia doli që të mundë populistët, pa përdorur armët e tyre. Madje paralajmëroi masa pa shumë mbështetje popullore, si sakrificat e pashmangshme në oraret e punës dhe mbrojtjen e punëtorëve, përballë niveleve rekord të shpenzimeve shtetërore.

Sigurisht, për momentin presidenti i ri, më i riu në moshë, në historinë e Republikës së Francës, nuk ka ende një forcë të tijën parlamentar. Është e vërtetë se në anën tjetër, ende në Francë politika bëhet dhe vendoset në një masë të madhe, nga sheshet. Pra, talenti i jashtëzakonshëm i treguar nga një njeri, që ka ditur të organizojnë një lëvizje popullore dhe një makinë elektorale në mbështetje të kandidaturës së vet personale, meriton më shumë vlerësim se sa taktikat e Sarkozy apo Hollande.

megjithatë, në fund fati i Presidentit Macron do të varet jo aq shumë nga aftësitë e tij, se sa nga gjendja ekonomike gjatë të cilës do të qeverisë. Por edhe në këtë kuptim sinjalet janë pozitive: dhjetë vjet pas krizës financiare dhe nga fillimi i recesionit të madh, në Eurozonë shihen më në fund sinjale të një rimëkëmbjeje të fortë. Në tremujorin e parë produktiviteti u rrit me 1.8%. Ekonomistët shpresojnë që kjo e dhënë të përmirësohet deri në 2%. Rënia e papunësisë është e ngadaltë por konstante, dhe në këto javët e fundit po shihen edhe në Francë sinjale rimëkëmbjeje. Por vetëm rritja ekonomike dhe një rishpërndarje e gjerë e pasurisë, do të jenë çelësat e suksesit të një politike liberale – dhe një helm vdekjeprurës për populizmin. / Tages Anzeiger – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button