Nga Mujtaba Rahman
“Politico.eu”
Në vitin 2017, kandidati presidencial francez Emmanuel Macron e zhvilloi fushatën e tij elektorale si një eurofil i thekur, që premtoi të krijonte një Francë të fortë brenda një Evrope të fortë. Ndërkaq, rivalja e tij në raundin e dytë të zgjedhjeve, udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, u përpoq të shpjegonte propozimin e saj për të shpërfillur disa ngaligjet e Bashkimit Evropian, dhe për ta tërhequr pjesërisht Francën nga eurozona.
Pesë vjet më vonë, tani është Macron ai që do të preferonte të shmangte një debat kaotik mbi çështjet më ekzistenciale rreth BE-së. Dhe ndërsa konfrontimi midis Brukselit dhe një qeverie autoritare të djathtë në Varshavë, po kërcënon që ta dërgojë debatin evropian në Francë në një drejtim shumë më shqetësues, disa kanë pyetur veten se përse Macron – zakonisht i pari që pohonte një linjë të fortë të BE-së – ka marrë tani një qasje më shumë qasje pragmatike ndaj këtij konflikti.
Macron beson se ai mund të mburret me një rekord mjaft të mirë sa i përket çështjeveevropiane, sidomos pas suksesit të tij vitin e kaluar, në bindjen e Gjermanisë për të miratuar planin e ndihmës prej 750 miliardë eurosh, për të rindërtuar ekonomitë e dobësuara nga pandemia të 27 vendeve anëtarëve.
Po ashtu ai është i prirur që t’i përshkruajë krizat që po e godasin Britaninë pas Brexit, si një provë të qartë përfitimeve të neglizhuara të BE-së, të cilat kanë Franca dhe 26 vendet e tjera nga tregu i përbashkët. Megjithatë, problemi për Macron është se në fillim të këtij muaji, Gjykata Kushtetuese e Polonisë vendosi të refuzojë primatin e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian mbi institucionet polake.
Përplasja e fortë Bruksel-Varshavë, kërcënon tani që të rihapë një debat të vjetër në Francë, që të rikujton atë mbi “kontrollin” e sovranitetit kombëtar, i cili ndihmoi në formësimin e vendimit të Britanisë së Madhe për t’u larguar nga BE-ja në vitin 2016.
Në fakt që nga ai vendim, një sërë pretendentësh për postin e presidentit të Francës – duke filluar nga e djathta ekstreme, e djathta e qendrës, deri tek e majta euroskeptike – kanë qenë të gjithë në anën e Varshavës, edhe pse në shkallë të ndryshme.
Ata kanë bërë thirrje që edhe Franca t’i japë përparësi kushtetutës së saj, apo edhe të ligjeve të veta individuale, mbi legjislacionin evropian, diçka që do të rrezikonte ekzistencën e tregut të përbashkët, dhe madje edhe të vetë Bashkimit Evropian.
Ndonëse sondazhet tregojnë se Franca është gjerësisht tolerante ndaj anëtarësimit në BE, shumica e popullsisë ka vetëm një koncept të mjegullt mbi historinë e unionit, bazën e tij ligjore, dhe mënyrën se si funksionon ai, gjë për të cilën është i vetëdijshëm edhe Macron.
Për shembull në një referendum të vitit 2005, francezët rrëzuan projekt-kushtetutën e BE-së, e cila, ndër të tjera, do të kishte mishëruar parimin e epërsisë së ligjit të BE-së mbi ligjetkombëtare – diçka që u pa nënkuptua fuqishëm, por qëë nuk ishte shprehur në Traktatin Ekonomik të Komunitetit Evropian (EEC) të vitit 1957.
Disa votues francezë thanë në atë kohë, se votuan “jo” për të mbrojtur “sovranitetin kombëtar”. Të tjerë, sidomos ata në të majtë, thanë se nuk ishin dakord me “tregtinë e lirë’dhe “konkurrencën e ndershme” midis kombeve evropiane – parime që kishin qenë themeli i BE-së për gati gjysmë shekulli.
Pas atij refuzimi, qeveritë miratuan në vitin 2007 Traktatin e Lisbonës, i cili “rikujtonte” në aneksin e tij se “praktika gjyqësore e konsoliduar e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian” pohonte “prioritetin“ e ligjit të BE-së, dhe traktateve të BE-së mbi të drejtën e vendeve anëtare.
Kohët e fundit, ky pohim disi i zhdrejtë i supremacisë së ligjit të BE-së, është sfiduar nga një mori kandidatësh presidencialë në Francë. Madje është vënë në pikëpyetje – çuditërisht në mënyrë oportuniste – nga dy pretendentë të qendrës së djathtë, të cilët supozohet se janë pro-evropianë:Xavier Bertrand dhe Valérie Pécresse.
Ndërkohë pozicioni i një tjetër pretendenti të qendrës së djathtë, ish-zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian dhe negociatori i Brexit, Michel Barnier, është akoma më i paqartë. Përpara vendimit të Gjykatës së Varshavës, Barnier kishte propozuar një referendum, që t’i lejonte Francës të tërhiqet nga disa aspekte të traktateve evropiane, në mënyrë që të shpallte më pas një moratorium prej 3-5 vjetësh kundër emigracionit.
Por pas vendimit të gjykatës polake, ai mbrojti parimin e prioritetit ligjit të BE-së, dhe hodhi poshtë krahasimet me propozimin e tij “të kufizuar”. Zyrtarë të lartë francezë, po thonë tani se Macron e sheh me shqetësim këtë debat që po zhvillohet në Francë.
Ata thonë se ai është i përgatitur që nëse është e nevojshme, të mbrojë “parimet e para” në raport me Bashkimin Evropian. Ai është i gatshëm të argumentojë se tregu i përbashkët evropian do të shkatërrohet – diçka që do të kishte pasoja katastrofike për Francën – në rast se secili vend do të ishte në gjendje të impononte ligjet e veta, apo nëse si në rastin e Polonisë, do të dëmtohej vetë sundimi i ligjit.
Macron është gjithashtu i gatshëm të pretendojë që ligji i BE-së të mos “imponohet” në Francë, por që ai të adoptohet në mënyrë demokratike nga qeveritë në Këshillin e BE-së, dhe anëtarët e zgjedhur drejtpërdrejt të Parlamentit Evropian.
Po ashtu zyrtarët pranë tij, theksojnë e Macron është i kujdesshëm për t’iu përshtatur debatit si një politikan i thekur pro-evropian. Ata theksojnë se sondazhet tregojnë se rreth 45 përqind e elektoratit, mund të votojnë për kandidatët euroskeptikë apo anti-evropianë të ekstremit të djathtë ose të majtë.
Problemi ndërlikohet edhe nga një mbivendosje e presidencialeve me kalendarin e BE-së. Franca merr drejtimin e presidencës së radhës të Këshillit të BE-së, pikërisht gjatë gjysmës e parë të vitit të ardhshëm, që përkon me muajt vendimtarë të fushatës së tij përpara zgjedhjeve presidenciale me dy raunde që do të mbahen në prill.
Në këto kushte, Macron mund të jetë i detyruar që të udhëheqë negociatat me Varshavën në javët që i paraprijnë zgjedhjeve. Presidenti francez mendon se një sulm frontal ndaj qeverisë euroskeptike të krahut të djathtë në Varshavë, do të ishte kundër–produktiv.
Ai thotë:Është më mirë t’i lëmë të funksionojnë vetë proceset normale të avancuara të konfrontimit dhe kompromisit të BE-së. Në çdo rast, ai pretendon se ka tashmë një reagim të fuqishëm të brendshëm në Poloni kundër politikave që mund të rrezikojnë anëtarësimin e saj në BE, që është mbi të gjitha shumë i dobishëm në aspektin ekonomik.
Kjo shpjegon pjesërisht edhe qasjen e tij të kujdesshme. Por po ashtu edhe konsideratat elektorale dhe ato të brendshme. Padyshim, Macron dëshiron që Brukseli kundër Varshavëstë shndërrohet në një konflikt të gjatë, por gjithsesi të kufizuar në lidhje me mos–respektimin e qeverisë polake ndaj demokracinë dhe sundimin e ligjit. Pra jo një krizë kushtetuese të BE-së, e cila do të kishte padyshim ndikimin e saj në garën presidenciale franceze.