Magazine

Magjia e një audience

Mendojeni pak: kur shikoni një film, apo një pjesë në teatër, apo edhe ndonjë lloj tjetër performance bashkë me njerëz të tjerë, si pjesë e një audience, eksperienca që keni është shumë e ndryshme, në krahasim me kur e shikoni vetëm.

Për shembull, mund të shikoni një komedi në një kinema, dhe mund të mbani barkun me dorë nga të qeshurat bashkë me pjesën tjetër të të pranishmëve, por kur e shikoni po atë film vetëm, në dhomën tuaj të ndenies, është pothuajse e sigurt që nuk do të qeshësh aq shumë.

Të qënit pjesë e një audience i ndryshon gjërat, ajo është në vetvete një eksperiencë.

Po çfarë kanë kaq magjike audiencat, si ndodhi që dikujt i erdhi në mendje ideja për të bërë bashkë njerëzit në një grup, për të parë diçka. Dhe si pjesëtarët e audiencët mësuan se çfarë të bënin kur e shihnin?

Audienca nuk është e pranishme në një performancë thjesht për ta parë, por ajo është pjesë e saj.

“A keni qenë ndonjëherë në një shfaqje apo një film. Thonë diçka për të qeshur, dhe e gjithë audienca qesh. Ti nuk qesh, sepse mendon që ‘nuk e kuptova’. Por pas një sekonde, ti e kupton. Eshtë audienca që të ka thënë se ajo gjë është për të qeshur, dhe kështu ti e mbledh atë lloj energjie”, thotë Robert Viagas, autor i librit “Një histori e audiencës”.

“Ose ka njerëz që paguajnë qindra e qindra dollarë për të parë në koncert Teilor Suift”, vazhdon ai. “Ata mund të rrijnë në shtëpi, të shikojnë video, mund të dëgjojnë albumet e saj, por ata ndjejnë që ekziston një lloj elektriciteti special që ata e përjetojnë vetëm kur janë bashkë me fansa të tjerë të këngëtares”.

Stephen King ka shkruajtur një libër shumë interesant, ku shpjegon përse njerëzit shkojnë në kinema për të parë filma horror. Sipas tij, “njerëzit shkojnë për t’u matur përkundrejt asaj që shohin. Pyesin veten nëse janë mjaftueshëm të fortë për ta përballuar atë film. Shkojnë e shohin filmin, shohin skena të tmerrshme vrasjeje për shembull, por mendojnë që ia kanë dalë t’i mbijetojnë duke e parë”.

Historia

Audiencave u është dashur që të trajnohen përgjatë historisë, u është dashur të mësojnë se si të jenë të tilla, pra audienca. Në kohën e grekëve të lashtë, ata e dashuronin poezinë, ata thërrisnin poetë që vinin dhe recitonin në skenë. Shumica e poezive të tyre ishte për perënditë e kohës. Ata u bënë kaq popullorë dhe ndonjëherë thërrisnin dy, tre apo edhe katër njerëz, që ata e quanin kor. Të gjithë ata e recitonin poezinë në mënyrë të njkohëshme. Dhe audiencat e pëlqenin pa masë këtë, teksa dëgjonin rrëfimet poetike “Zeusi bëri këtë, apo Zeusi bëri atë”.

Dhe një ditë, një personazh nga kori, i cili quhej Thespi, bëri diçka radikale. Ai bëri dy tre hapa përpara korit, dhe në vend të thoshte “Zeusi bëri këtë, apo Zeusi bëri atë”, ai tha “Unë jam Zeusi! Ja çfarë bëra unë!”. Audienca në fillim u shokua. “Ai nuk është Zeusi! Ai nuk ngjan si Zeusi, ai ngjan si Thespi”. Por pak e nga pak, audienca nisi të mendojë: “Shiko, unë nuk e di si e ka zërin Zeusi, por vë bast që kështu duhet ta ketë. Mendoj që Thespi po bën një punë të mirë”. Dhe kështu, audiencat nisën të pranojnë se një person në skenë mund të mishërojë një personazh tjetër.

Back to top button