Për më shumë se dy javë, dhjetëra-mijëra qytetarë maqedonas nga disa qytete janë mbledhur bashkë në atë që është pagëzuar “Revolucioni Shumëngjyrësh”, për të protestuar kundër korrupsionit shtetëror dhe pandëshkueshmërisë. Lëvizja e merr emrin nga protestuesit që hedhin bojë mbi ndërtesat e institucioneve shtetërore.
Demonstratat nisën pasi Presidenti gjorge Ivanov shpalli një amnisti për më shumë se 50 politikanë të lartë dhe ndihmësit e tyre, të cilët ishin nën hetim për abuzim me pushtetin. Vitin e kaluar, opozita politike zbuloi se shërbimi i fshehtë i vendit, në kohën e kryeministrit Nikola Gruevski, kishte përgjuar në fshehtësi më shumë se 20 mijë vetë; në ato biseda, zyrtarë të lartë maqedonas duket se implikohen në një sërë aktesh të paligjshme, duke përfshirë mashtrim zgjedhor, që Zyra e Prokurorit Special të Maqedonisë po e hetonte, deri kur presidenti firmosi amnistinë në 12 prill.
Që atëherë, lëvizja është forcuar, dhe pjesëmarrësit ndajnë taktikat e tyre organizuese në internet, me shpresën për të nxitur të tjerë që t’iu bashkohen. Ja se si po e bëjnë.
Përcakto se cili dhe je dhe kush është qëndrimi yt
protestat janë organizuar “horizontalisht” nga një rrjet i gjerë aktivistësh, duke përfshirë pjesëtarë OJFsh dhe nismash civile, si edhe pjesëtarë të disa partive të opozitës – dhe çdo qytetar që dëshiron të bashkohet. Të gjithë i bashkon një grup parimesh të përbashkët, dhe kjo gjë ka qenë thelbësore në përcaktimin e lëvizjes.
Për shembull, një grafik në Tuiter i shpreh qartë ato që besojnë protestuesit:
Përkthimi:
“Përse protestoj dhe çfarë është Revolucioni SHumëngjyrësh?
- Kjo është një betejë kundër regjimit autoritar dhe të korruptuar, të mishëruar nga ish Kryeministri Nikola Gruevski.
- Kjo betejë nuk është paqësore [në kuptimin pasive], por është rreptësisht jo e dhunshme.
- Asnjë organizatë e shoqërisë civile nuk e ka monopolin e betejës kundër regjimit autoritar.
Çdo qytetar që mbështet këto parime është pjesë e “Unë protestoj” dhe Revolucionit shumëngjyrësh. Ne u bëjmë thirrje atyre që bien dakord me këta parime që të dalin dhe të protestojnë”.
Pjesëmarrësit kanë zgjedhur këtë qasje të decentralizuar si një mënyrë për të tërhequr më shumë njerëz dhe për të mos lejuar që dikush të “rrëmbejë” protestën, për kauzën e vet. Protestuesit e Revolucionit Shumëngjyrësh shpesh herë eksperimentojnë dhe nuk bien dakord për qasje të ndryshme, dhe dallimet mes tyre i zgjidhin përmes diskutimeve të hapura.
Gjuhë të ndryshme
Duke reflektuar diversitetin gjuhësor të Maqedonisë, protestuesit kanë ndarë informacione për kërkesat e tyre në gjuhë të ndryshme lokale, si ajo maqedonase, shqipe (#protestoj!), rome, si dhe angleze.
Edhe përkthimi në anglisht i termit #ColorfulRevolution ishte një “urtësi e turmave”. Termi maqedonas #ШаренаРеволуција (“sharena revolucija”) i referohet përzierjes së ngjyrave të ndryshme, dhe mund të përkthehet në shumëngjyrësh.
Megjithatë, lëvizja u pagëzua më shumë pasi televizioni gjerman Deutsche ëelle, në një artikull online shkruante: “Protestuesit në Maqedoni me topa me ngjyra në një Revolucion Shumëngjyrësh”.
Bluza dhe logo që tërheqin vëmendjen
Pjesëmarrësit mbajnë shpesh bluza me një logo të stilizuar, të tre prokuroreve speciale më të spikatura, Lenče Risteska, Katica Janeva dhe Fatime Fetai, nën akronimin “CJO” (Zyra e Prokurorit Special në gjuhën maqedonase). Dizajni fillestar u shpërnda në internet që njerëzit ta shkarkonin dhe të stamponin bluzat e tyre, si një shenjë mbështetjeje për përpjekjet antikorrupsion të prokuroreve.
Shumë shpejt, dhjetëra dizenjatorë nisën që të prodhojnë logo dhe materiale të tjera si dhe duke i postuar në internet në rezolucion të lartë, për t’u përdorur nga publiku. Faqja e internetit sharena-revolucija.ie.mk i koleksionon këto logo dhe materiale në një vend, duke ofruar një burim digjital të kollajtë në përdorim. Pjesëmarrësit i kanë përdorur për të bërë bluza, banera, si dhe flamuj.
Tollumbace të lyera me bojë, në vend të dhunës
Aktet e dhunshme që shkaktojnë përgjegjësi penale janë rreptësisht të ndaluara. Kjo përfshin veprimtari që mund të dëmtojë një person tjetër, sidomos policët. Njerëzit që hedhin gurë apo objekte të tjera të rrezikshme konsiderohen provokatorë. Kjo është në linjë me traditën e jodhunës në protestat e të kaluarës në Maqedoni.
Por veprime si hedhja e vezëve apo bojës, apo shkrimi me grafit në ndërtesa apo statuja konsiderohen shkelje sipas ligjit maqedonas, me gjoba rreth 50 Euro, dhe kështu Revolucioni Shumëngjyrësh ka përdorur këto taktika.
Protestuesit përdorin tollumbace të mbushura me bojë dhe rërë. Në internet kanë vendosur madje këshilla se si të krijohen, si në videon më poshtë:
Përkthimi:
A doni t’i bashkoheni Revolucionit Shumëngjyrësh? Eshtë e lehtë, thjeshtë ndiqni këto hapa:
- Merrni një gyp të madh, ose krijoni tuajin me një shiringë të madhe.
- Pjesën e prerë futeni në një tollumbace boshe.
- Mbusheni gjysmën e tollumbaces me rërë.
- Mbushni një shishe plastike me bojë (përdoret për të transportuar bojën nga shtëpia, në vendin e protestës).
- Lidheni tollumbacen pas shishes për ta mbushur me bojë.
- Lidheni tollumbacen dhe mbusheni me ujë.
- Tani jeni gati për një Revolucion Shumëngjyrësh.
Mes protestuesve ka një konsensus për të bërë me bojë vetëm objektet që simbolizojnë pushtetin dhe atë që ata e quajnë arrogancë e regjimit, si Harku i Triumfit dhe statuja e Prometeut të veshur, që ka ngjashmëri me veprat e Arno Brekerit që simbolizojnë “Partinë”, si sjellëse e dritës dhe dijes për popullin.
Në përgjigje të arrestimit të disa protestuesve nën akuzën e protestimit dhe pjesëmarrjes në banda, lëvizja po ndan informacione në gjuhën maqedonase dhe shqipe për të drejtat e qytetarëve, në rast se ndalohen apo arrestohen.
Kundër narrativës qeveritare, me një sens humori
Emri Revolucioni Shumëngjyrës ka të bëjë vetëm me tollumbacet e mbushura me bojë, por ai vë në lojë edhe pretendimet e qeverisë se protestat janë pjesë e “Revolucionit me Ngjyrë”, që i referohet revolucioneve të dhunshëm që ndodhën në shumë vende që më parë i përkisnin Bashkimit Sovjetik, dhe shiheshin si të nxitur prej forcave të jashtme në Perëndim.
Për njerëzit që e njohin historinë e politikës maqedonase, këto pretendime ngjajnë pakëz ironike. Në vitin 2006, partia në pushtet VMRO-DPMNE ndryshoi skemën e ngjyrave të fushatës elektorale nga të kuqe e të zezë në portokalli, me qëllim që të kapitalizonte prej Revolucionit Portokalli në Ukrainë në vitin 2004, dhe të shfaqej si properëndimore dhe progresiste.
VMRO-DPMNE tani po përpiqet që të paraqitet njëkohësisht si e mbështetur dhe e viktimizuar nga Perëndimi. Partia ka hedhur miliona dollarë për lobing në SHBA, për ta paraqitur opozitën si proruse. Shkuan aq larg, saqë SHBA u desh të nxjerrë një mohim të mbështetjes së vet për VMRO-DPMNE apo cilëndo parti tjetër.
Nga ana tjetër, ish Kryeministri dhe aktualisht kryetari i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski, si dhe presidenti Ivanov, fajësojnë Perëndimin për protestat. Rusia ka nxjerrë notë diplomatike në mbështetje të qeverisë maqedonase, ndërkohë që “Russia Today” e financuar nga qeveria i ka dhënë prioritet mesazhit për kundërprotestë dhe ka raportuar se ata që kundërprotestojnë janë më të shumtë në numër se sa ata që protesojnë kundër korrupsionit. /globalvoices – www.bota.al