Kuriozitete

Marrëdhënia jonë me iluzionet

Screen Shot 2015-07-16 at 21.09.35

Seria: Ja si na i ushqen kultura, të gjithë iluzionet tona. Të mirët dhe të dëmshmit

Antropologia e Universitetit të Stenfordit, Tania Luhrman, shqyrtoi mënyrën sesi pacientët me çrregullime psikotike, ndërvepronin me zëra (haluçinacionet) që ata dëgjonin si pjesë e gjendjes së tyre. Në SHBA, zërat përshkruheshin si kërcënues dhe të ashpër. Në Gana dhe Indi, zërat shpeshherë janë konsideruar të mirë, madje edhe të gjallëruar.

Luhrman, mendon se mjekët amerikanë duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje, si ndaj haluçinacioneve ashtu edhe dallimeve kulturore, në raport me sëmundjet psikiatrike. “Studimi ynë zbuloi, se njerëzit me çrregullim serioz psikotik në kultura të ndryshme, kanë përvoja të ndryshme të dëgjimit të zërave. Kjo do të thotë se mënyra sesi njerëzit i kushtojnë vëmendje zërave të brendshëm, ndryshon nga ato që zërat e tyre thonë. Kjo mund të ketë implikime klinike”.

Gjatë një studimi tek 60 të rritur me skizofreni- nga 20 pacientë nga Gana, India dhe SHBA-Luhrman vërejti se njerëzit në të treja vendet dëgjonin zëra të mirë dhe të këqij, pëshpëritje, dhe një burim të paidentifikuar që tallej. Megjithatë, ndryshimi më i spikatur erdhi nga interpretimet e përvojave të tyre.

Të gjithë pacientët amerikanë, kishin patur përvoja negative që ata i cilësonin se ishin simptoma të sëmundjes së trurit. Ata e konsideronin zërin si një “bombardim” të dhunshëm e të urryer. Për ta ngjante shpesh me një luftë. Rreth gjysma e pacientëve indianë, dëgjuan zërat e të afërmve, që i këshillonin të përmbushnin disa detyra.

Ndonjëherë, ata i etiketonin zërat si të gjallë apo të këndshëm. Shumica e tyre, nuk i përshkruanin haluçinacionet e tyre si pjesë e një sëmundje mendore. E njëjta gjë vlente edhe për pacientët ganezë. Në kulturën e tyre, besohej se shpirtrat mund të flasin, kështu që ata nuk i cilësojnë zërat e brendshëm si një problem psikik.

Gjysma e tyre, i raportuan përvojat e tyre në një mënyrë pozitive. Për më tepër, 80 përqind e tyre mendonte se kishin dëgjuar fjalët e Perëndisë. Luhrmann beson se reagimet e ndryshme, pasqyrojnë kulturën e vetë pacientëve. Amerikanët vleresojnë pavarësinë, individualitetin, dhe kontrollin, ndërsa ganezët dhe indianët e përcaktojnë veten falë marrëdhënieve të tyre me njerëzit e tjerë.

Kjo sugjeron një qasje të re të dobishme të trajtimit të skizofrenisë, siç është emërtimi i zërave të pacientëve dhe forcimi i marrëdhënieve me ta. “Problemi nuk qëndron tek dëgjimi i zërave”-tha për “The Atlantic”, Doktor Marius Rom, themelues i grupit avokator “Intervoice”, “por paaftësia për t’u përballur me përvojën”. Kolegu i Rom, Doktor Dirk Korstens, gjithashtu beson se ne duhet të kufizojnë sasinë e ilaçeve ndaj pacientëve me psikoza, pasi kjo shpesh sjell më shumë dëme sesa dobi./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button