Marrëveshja përfundimtare me Iranin, e shpallur nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera të mëdha të botës, mundësoi atë që nuk arritën dikur qëndrimet e ashpra politike, apo kërcënimet e paqarta të veprimit ushtarak.
Ajo vendos kufizime të forta e të verifikueshme ndaj aftësisë së Iranit, për të zhvilluar një armë bërthamore për të paktën 10-15 vitet e ardhshme, dhe është potencialisht një nga marrëveshjet me pasoja më të mëdha në historinë e diplomacisë së kohëve të fundit, me aftësinë jo vetëm për ta mbajtur Iranin larg nga prodhimi i armës bërthamore, por edhe për të rikonfiguruar politikën ndaj Lindjes së Mesme.
Marrëveshja, produkt i 20 muajve të mundimshëm negociatash, padyshim do të kishte dhënë më shumë arsye për të festuar, në qoftë se Irani do të binte dakord për të çmontuar krejtësisht të gjitha objektet e tij bërthamore.
Por shanset që kjo të ndodhte realisht ishin thuajse zero. Madje edhe nëse të gjitha instalimet bërthamore të Iranit do të shkatërroheshin, askush s‘mund të fshijë njohuritë, që shkencëtarët iranianë kanë fituar pas punës së tyre për dekada me radhë në projektet bërthamore.
Sikurse përshkruhet nga zoti Obama dhe zyrtarë të tjerë, marrëveshja duket e shëndoshë dhe qartazi në interes të Shteteve të Bashkuara, por edhe kombeve të tjera që morën pjesë në hartimin e saj, dhe Izraelit gjithashtu.
Në këmbim të heqjes graduale të sanksioneve ekonomike ndërkombëtare, Irani do të reduktojë me 98 përqind të rezervave të tij të uraniumit të pasuruar, që mund të përpunohet më tej në karburant nuklear, si dhe për të zvogëluar numrin e centrifugave operative, që përdoren për të pasuruar atë karburant me dy të tretat, ose në 5.060.
Këto kufizime do të thonë, se nëse Irani vendos ndonjëherë të shkelë marrëveshjen dhe të turret me nxitim drejt ndërtimit të bombës bërthamore, do t’i duhet së paku një vit për të prodhuar materialin e nevojshëm për një bombë të vetme, në krahasim me disa muaj që nevojiten aktualisht tani.
Presidenti Obama në thelb ka vënë bast, që pasi sanksionet të jenë hequr, udhëheqësit e Iranit nuk do të kenë zgjidhje tjetër, veçse të përdorin shumicën e kapitalit të ri që do të qarkullojë, për të përmirësuar jetën e qytetarëve të tyre.
Shumë prej kufizimeve të ndryshme që parashikon marrëveshja, do të jenë në fuqi për 10 deri në 25 vjet. Disa prej tyre, veçanërisht monitorimi i vazhdueshëm dhe i avancuar teknologjikisht nga ana e Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, do të zgjasë për një kohë të pacaktuar, si do ketë për bazë Traktatin e Mospërhapjes Bërthamore, për të mos prodhuar kurrë një armë bërthamore.
Inspektorët do të kenë qasje tek bazat e dyshimta “ku është e nevojshme, kur është e nevojshme”, tha Presidenti Obama, dhe në qoftë se Irani mashtron, gjë që do të zbulohet mjaftueshëm hershëm për t’u kundërpërgjigjur, do të ketë një rivendosje të shpejtë të sanksioneve ose ndërmarrje të veprimeve ushtarake.
Marrëveshja gati u sabotua nga kërkesa e Iranit dhe Rusisë, që Kombet e Bashkuara të hiqnin ndalimin e blerjes dhe shitjes së armëve konvencionale dhe raketave balistike. Por në fund, marrëveshja kërkon që ndalimi i armëve konvencionale të mbeten në fuqi për 5 vjet dhe ndalimi i raketave për 8 vjet – duke supozuar se Irani do të respektojë angazhimet e tij.
Është thellësisht shqetësuese, që kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu e hodhi menjeherë poshtë marrëveshjen si një “gabim historic”. Ai, republikanët në Kongres dhe shumica e kandidatëve për nominimin republikan për president, kanë kundërshtuar që nga fillimi negociatat me Iranin, duke mos ofruar ende asnjë alternativë të besueshme për një zgjidhje e negociuar. Kandidatët presidencialë republikanë përsëritën plot shpresë formulën aktuale – dënimin e marrëveshjes, me asnjë alternativë të besueshme për të ofruar.
Thënë këtë, askush s’duhet të ketë asnjë iluzion mbi Iranin, që e konsideron Izraelin një armik të betuar; shpesh dënon sjelljen e Shteteve të Bashkuara; mbështet Hezbollahun dhe organizata të tjera terroriste; dhe aspiron për një ndikim më të madh në rajon.
Pasi sanksionet të hiqen, Teherani do të përfitojë qasje në miliarda dollarë të ngrira prej vitesh në llogaritë e bankave ndërkombëtare, por edhe për shkak të eksporteve të reja të naftës dhe marrëveshjeve të tjera të biznesit.
Zyrtarët amerikanë thonë se Irani do t’i marrë ato para me kalimin e kohës, dhe se prioriteti i tij i menjëhershëm do të jetë trajtimi i nevojave të ngutshme të brendshme. E rëndësishme është që shumica e sanksioneve amerikane do të qëndrojnë në fuqi, edhe pasi marrëveshja të fillojë të zbatohet, duke përfshirë edhe ato që lidhen me mbështetjen që Irani i jep terrorizmit, si dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut në vend.
Shtetet e Bashkuara, duhet të jenë tejet vigjilente në monitorimin sesi Irani do t’i përdorë këto fonde të reja si dhe mbi zbatimin e këtyre sanksioneve. Dakordësimi mbi marrëveshjen bërthamore, është vetëm hapi i parë. Kongresi do të marrë në shqyrtim, para se të shprehet me votë mbi të.
Forca me rëndësi, si zoti Netanjahu, janë zotuar që ta rrëzojnë paktin, dhe do të ishte mirë që zoti Obama të vinte veton ndaj çdo lloj rezolute mosmiratuese. Do të ishte e papërgjegjshme të humbet ky shans për frenimin e programit bërthamor të Iranit.
Perkthimi: Bota.al