NGA ÉTIENNE FRANÇOIS *
Në vitin 2003, rreth 6.000 qytetarë të BE-së u anketuan, për të gjetur se kush e përfaqëson më mirë identitetin evropian. Ndër figurat e para vitit 1800, Martin Luteri renditej i treti. Si mund të shpjegohet ky vend i privilegjua, në parteonin e “Njerëzve të mëdhenj” të historisë europiane?
Duhet theksuar që në krye të herës, se Luteri nuk ndjehej aspak evropian, në kuptimin modern të fjalës. Ambicia e tij nuk ishte për të reformuar Evropën, por krishterimin, duke filluar me pjesën e perandorisë në të cilën ai kishte lindur: Saksoninë. Për më tepër, horizonti i tij ishte i kufizuar në atë të Krishtërimit Latin, dhe ai e injoronte krishtërimin grek, duke e parë të ndarë tashmë prej shekujsh, dhe i cili, në një masë të madhe, i ishte nënshtruar tashmë autoritetit të Perandorisë Osmane që po zgjerohej.
Por është e pamohueshme se shkrimet e tij gjetën menjëherë një jehonë në shumicën e vendeve evropiane. Bashkë me shumëfishimin e mundësive që solli revolucioni i shtypshkrimit, si dhe përdorimin e përbashkët të latinishtes dhe gjermanishtes, mesazhi i Luterit u përhap shumë shpejt në hapësirën gjermano-folëse, duke prekur pothuajse të gjitha vendet që formonin Krishtërimin latin. Gjatë jetës së tij, pati përkthime të shkrimeve të Luterit, në anglisht, danisht, spanjisht, polonisht, suedisht dhe gjuhën çeke …
Impulset e dhëna nga Luteri në tekstet e tij të vitit 1520, përfaqësuan mbi të gjitha një “revolucion Kopernikan” (Thomas Kaufmann), që do të transformonte strukturat e Krishtërimit latin. Për herë të parë, papati, hierarkia katolike dhe aleatët e tyre të kohës, nuk arritën që ta vënë përfund një lëvizje, apo ta luftonin si herezi. Për këtë arsye, në hapësirën e një gjysmë shekulli, ndarja e Europës në tre grupe fetare dhe politike, do të krijonte kujtime të ndryshme të Martin Luterit.
Tri grupe fetare
Grupi i parë përbëhet nga rajone dhe vende, në të cilat kalimi në Reformim ndodhi, në shenjë besnikërie ndaj impulseve të vetë Luterit: një pjesë e mirë e Perandorisë së Shenjtë Romake dhe Skandinavisë. Kët, mbi të gjitha, është ndërtuar kujtimi i Luterit: një kujtim pozitiv, bazuar në përkthimin në gjermanisht të Shkrimeve, vepra e tij teologjike arsimore, si dhe polemikat mbi liturgjinë e re në gjuhë e folur dhe strukturat kishtare, ngritur mbi bazën e kompetencave të përkohshme.
Përhapja e kësaj memorie është realizuar përmes katër rrugëve: gjuha gjermane, promovuar nëpërmjet përkthimit të Biblës; muzikës, me peshën që ajo merrte në ritualet fetare të përditshme dhe me koret e Luterit dhe pasardhësve të tij; botës së pastorëve; ndryshimet hagjiografike të Luterit që, kombinuar me një kanonizim legjendar, e bënë atë një profet të ri, ose ungjilltarin e pestë.
Grupi i dytë fetar përbëhet nga vendet ku kalimi në Reformim, u realizua mbi themelet teologjike dhe strukturat e llojeve të ndryshme (kalvinizmit në Zvicër dhe Holandë, Anglikcanizmit në Angli, Presbiterianizmit në Skoci etj). Këtu, figura e Luterit është e pranishme, si një shenjë paralajmëruese. Por ajo vjen e dyta, pas përgjegjësve të vënies në zbatim të protestantizmit.
Grupi i tretë fetar përbëhet nga vende – kryesisht Spanja dhe Portugalia, Italia dhe Franca, si dhe një pjesë e perandorisë – në të cilat Kisha Romake ngriti një digë kundër të ideve Luterit dhe reformatorëve të tjerë, përmes influencës së saj, forcës bindëse, institucioneve dhe aleancave të saj me autoritetet në këto vende.
Në këto vende, Kisha ishte reformuar në rrugën e saj, e gjendur nën sfidën e protestantizmit, përmes vendimeve të Këshillit të Trentit (1545-1563) dhe zbatimit të tyre. Në këtë grup, kujtimi i Luterit është edhe shumë i pranishëm, edhe shumë negativ.
Deri në shekullin e tetëmbëdhjetë, këto tri kujtime janë përditësuar në mënyrë të tillë, që t’i përshtateshin situatës politike dhe fetare, në dinamika të kundërta. E para është një dinamikë radikalizimi memorial, që është i lidhur me konfliktet të cilat shënojnë historinë e kontinentit, deri në vendosjen e kufijve fetarë në mesin e shekullit të shtatëmbëdhjetë.
Ajo ka si pasojë, forcimin në një mënyrë ose në një tjetër të kujtimeve të Luterit, trashëguar nga shekulli i gjashtëmbëdhjetë – portretizimin e Luterit nga Bossuet në librin e tij, Historia e ndryshimeve të Kishave Protestante(1688), ku ai e përshkruan atë si një “profet të ri, që sjell të reja të pabesueshme”.
Ky radikalizim është ushqyer nga fakti se nga pala gjermane, Luteri u bë një figurë e gjermanizmit, që edhe nazistët nuk hezituan ta glorifikonin. Kjo mund të shpjegojë ndoshta refuzimin e francezëve, edhe protestantëve, për t’u ngatërruar me dishepujt e Luterit, sidomos në një kohë kur kundërshtarët e tyre katolikë, projektonin tek ata, pikërisht atë imazh.
Në anën tjetër, një dinamikë afrimi mund të vërehet kudo ku vërehen formula të bashkëjetesës paqësore (sipas mënyrës “cuius regio, ejus religio”, iniciuar në 1555) ose tolerancës (si në Angli, Holandë apo në territore të caktuara të perandorisë), me pasojë zbutjen e përplasjeve dhe nisjen e një kujtese laike të Luterit.
Një Luter laik
Ky laicizëm u përforcua në shekullin e tetëmbëdhjetë. Për mbështetësit e Iluminizmit, dhe edhe më shumë për ata që aspironin për progres, Luteri u shndërrua në një pikë referimi pozitive. Në sytë e Kantit, ai ishte i pari që kishte firmosur parësinë e ndërgjegjes mbi doktrinën, ndërsa Herderi e admironte si çlirimtar të gjuhës gjermane.
Gëte, edhe pse kundërshtonte “rrëmujën” e teologjisë së Luterit, pranon se ai “çliroi mendimin, që deri atëherë mbahej rob”, Thomas Carlyle e shihte atë si një prej çlirimtarëve të mëdhenj të së kaluarës, ndërsa Michelet e lartësonte, sepse shihte tek personi i tij, ”mishërimin e gjeniut popullor i krijuar prej Natyës dhe Lirisë”.
Të vetmit që nuk përziheshin në këtë koncert lavdërimesh ishin ata, veçanërisht në anën katolike, që ndiheshin të lidhur fort me bindjet e shekullit të gjashtëmbëdhjetë – por dhe ata si Marksi, që besonin se revolucioni i Luterit mbetej thjesht teorik.
Dimensioni Europian i kujtimit të Luterit është i qartë nga kjo pasqyrë të shpejtë: nga shekulli i gjashtëmbëdhjetë deri në ditët e sotme, në çdo epokë njerëzit shihnin tek ai një bashkëkohës, edhe pse kish jetuar në të kaluarën, dhe në këtë mënyrë kërkonin vazhdimisht të krahasonin veten e tyre, me njeriun mesazhin e tij.
Kudo, kjo kujtesë është megjithatë e kundërta e një kujtesë të përbashkët: ashtu si sot, ajo është e shënuar nga trashëgimia që ka lënë, dhe konteksti në të cilin ajo është e shprehur.
Në anketën e vitit 2003, Luteri nuk erdhi befasisht në vendin e parë në Gjermani. Por në Britani, vendi ku trashëgimia kryesisht protestante luterane është vetëm margjinale, ai është në vendin e tretë. Spanja, Franca, Italia dhe Polonia, të gjitha vendet katolike, e rendisin vetëm të pestin.
* Profesor në Universitetin e Berlinit, autor i “Kujtime gjermane” / “L’Histoire” – Përgatiti: bota.al