Magazine

Maskat që mbajmë çdo ditë për të fshehur ndjenjat tona

Nga Arthur C.Brooks

Një Halloween në kushtet e pandemisë, ngre një sërë pyetjesh mbi maskimin. A duhet t’i mbajmë maskat anti-Covid nën maskat e Halloween-it, apo mbi to? Shtresëzimi i maskave tona tingëllon si diçka e dhimbshme. Por në mënyrë figurative, shumë prej nesh e bëjnë këtë çdo ditë kur fshehim identitetin apo ndjenjat tona të vërteta,kur i shtypim mendimet tona apo kur veprojmë në mënyra të caktuara.

Disa nga këto maska ​​na pëlqejnë, dhe disa të tjera jo. Disa jemi të detyruar ti veshim për tu përballur me jetën, dhe të tjera i mbajmë vullnetarisht dhe kemi frikë ti heqim. Kjo temë debatohet shpesh dhe me tone të ashpra.

Disa komentues në rrjetet sociale apo jetën reale na nxisin të jemi vetvetja dhe origjinalë për hir të shëndetit tonë mendor dhe integritetit personal. Të maskohesh, siç thotë Holden Kaulfilld, do të thotë të jesh një mashtrim i përbuzur.

Të tjerë e mbështesin njëfarë shtypjeje të asaj që jemi në të vërtetë kur jemi në kontakt me botën e jashtme. Për shembull, kolumnisti Xhorxh Will, argumenton se ta bësh këtë gjë, është një kërkesë e thjeshtë e civilizimit” tonë. Atij i vjen keq për një pjesë të mirë të autenticitetit që shohim aktualisht në jetën publike.

Në fakt që të dyja palët kanë disi të drejtë. Në kontekstet e duhura, maskimi i asaj që jeni në të vërtetë mund të jetë i shëndetshëm dhe çlirues. Dhe disa pengesa janë një pjesë themelore e një shoqërie funksionale. Por kur maskimi është një pjesë e përhershme dhe qendrore e punës apo e jetës suaj, diçka nuk shkon dhe problemi është serioz.

Ashtu siç një maskë kirurgjikale nuk mund të mbahet 24 orënë7 ditë të javës, maskat tona metaforike duhet të hiqen. Vendosja e maskave nëpër festa është padyshim diçka argëtuese. Shumica prej nesh kanë kujtime të lumtura të fëmijërisë kur visheshim për Halloween.

Qëkur festimet e kësaj dite përmes maskimeve fituan popullaritet në Shtetet e Bashkuara gjatë emigrimit të madh irlandezeve gjatë viteve 1840, kjo festë është bërë festa e tretëe preferuara e amerikanëve, pas Krishtlindjeve dhe Ditës së Falënderimeve të cilat kryesojnë.

Gjatë karnavaleve, të kremtuara përpara Kreshmës në vendet katolike si Italia dhe Brazili, të rriturit mund të gjejnë strehë tek anonimati i përkohshëm përpara se të pendohen për mëkatet e tyre për 40 ditët në vijim.

Ndërkohë gjuha gjermane ka një fjalë të veçantë për lumturinë që sjellin këto zakone:“Maskenfreiheit”, pra liria që gjendet pas një maske. Lumturia e Maskenfreiheit mund të jetë reale në festimet e karnavaleve, pasi fshehja e fytyrës të mbron nga gjykimi i të tjerëve. Por nuk duhet të jetë kështu. Mendoni pak për ndjesinë që keni kur ndodheni në një mjedis ku nuk njihni absolutisht askënd.

Ndoshta lëvizja në një qytet të ri si adoleshent mund t’jua ketë ndryshuar për mirë jetën. Ndoshta në fillim ndjeni emocione nga fillimi i një bisede në barin e hoteli me një të huaj, në të cilën thoni gjëra që nuk do tia tregonit kurrë dikujt që njihni. Ndoshta udhëtimi i vetëm të bën të ndihesh i pamposhtur.

Ne e hasim “Maskenfreiheit”brenda një turme, edhe kur i njohim të gjithë rrotull nesh. Studiuesit kanë zbuluar se lëshimi i vetvetes në një identitet grupor (i njohur gjithashtu si “Mendja e kosheres) për periudha të caktuara kohore mund të jetë një përvojë shumë e këndshme.

Për këtë mjafton të shihni fytyrat e njerëzve në ekstazë gjatë një meshe në një sekt fetar,apotë fansave në një koncert të grupit Rolling Stones. Por maskimi i ndjenjave bëhet problem kur nuk është i vullnetshëm. Në shumë raste ne ndihemi të detyruar t’i fshehim emocionet tona të vërteta, sidomos kur ato janë negative.

Por një maskë e tillë është shumë e vështirë për tu mbajtur. Mendoni pak për tëashtuquajturën “Buzëqeshja Pan Am, që i referohej stjuardesave të kompanisë së njohur ajrore, të cilat udhëzoheshin tu buzëqeshnin pasagjerëve pavarësisht se çfarë ndjenin nga brenda.

Buzëqeshjet e vërteta që burojnë nga lumturia, përfshijnë dy grupe kryesore muskujsh: muskujt zygomaticus major, të cilët tërheqin cepat e gojës dhe muskujt orbicularis oculi, të cilët rrudhin cepat e syve. Kur japim një “Buzëqeshje Pan Am” goja bën detyrën e saj, por sytë nuk arrijnë të bashkëpunojnë.

Eksperimentet tregojnë se zakonisht njerëzit arrijnë të bëjnë dallimin midis buzëqeshjeve të vërteta dhe atyre të rreme, për shkak të atij ndryshimi rreth syve. Prandaj mund ta dalloni nëse dikush është i lumtur edhe pas maskës së tij anti-Covid.

Një botë në të cilën të gjithë mund të shprehen plotësisht lirshëm, është e paimagjinueshme dhe ndoshta edhe e padëshirueshme. Por ne mund t’i maskojmë dhe ç’maskojmë ndjenjat tonë në mënyra më të shëndetshme nga sa jemi mësuar deri tani. Dhe ja cilat janë 3 rregulla për ta bërë këtë.

1. Merrni një pushim për veten tuaj

Të gjitha pushimet e mira kanë një element të përbashkët:Ato ndalin për pak kohëpërgjegjësitë dhe oraret tona të pandërprera, në mënyrë që të pushojmë pa u ngacmuar nga angazhimet tona. E njëjta ide vlen edhe për përgjegjësinë e të qenit vetja.

Energjia e nevojshme për të ruajtur identitetin tuaj ndoshta është më e madhe se sa e kuptoni,dhe gjetja e një mënyre për t’u shkëputur për pak kohë mund tju ndihmojë të rifitoni energjitë. Angazhimi në aktivitete të zgjuara, si komunitetet fetare dhe argëtimi në grup, është një mënyrë e lehtë për t’u relaksuar. Gjëja kryesore është të çliroheni nga kufizimet tuaja.

2. Hiqeni maskën tuaj ndaj atyre që doni më shumë

Shumë vite më parë,një ditë isha duke pritur autobusin e shkollës. Pashë djalin tim duke luajtur plot gëzim me miqtë e tij për disa minuta, para se të më shihte mua. Sapo i thirra, buzëqeshja i iku nga fytyra dhe ai vrapoi drejt meje duke qarë, duke më treguar për të gjitha tmerret që i kishin ndodhur atë ditë.

“Si shpjegohet një sjellje e tillë?”-e pyeta mësuesen. Ajo qeshi dhe më tha se është klasike: Fëmijët janë të maskuar gjatë gjithë ditës, por ata e heqin maskën sapo takojnë prindërit e tyre, pasi e dinë se janë emocionalisht të sigurt për ta bërë këtë.

Çështja nuk është se djali im duhej të ishte pafundësisht “origjinal” në shkollë; është se ai duhej të ishte autentik me mua, dhe e dinte se mund të ishte i tillë. E njëjta gjë vlen edhe për ju. Marrëdhëniet tuaja më të rëndësishme, ato tek të cilat investoni pjesën më të madhe tëkohës dhe energjive tuaja, qofshin ato personale apo profesionale, kërkojnë që ju të jeni në gjendje të jeni vetvetja. Në rast se jeni të maskuar 24 orë në ditë, atëherë diçka duhet të ndryshojë.

3. Sigurohuni që t’ju pëlqe ajo që fshihet pas maskës suaj

Sado rraskapitëse që mund të jetë mbajtja e maskës, lejimi i rënies së saj mund të jetë një perspektivë e frikshme nëse nuk ju pëlqen veçanërisht ajo që ajo fsheh. Ndoshta ju vjen turp ju mbani përbrenda zemërimin armiqësinë apo trishtimin që ndjeni.

Në raste të tilla, të qëndruarit i maskuar do të thotë të humbasësh një mundësi për t’u përballur me realitetin dhe për të bërë disa ndryshime pozitive. Studimet kanë treguar se vetë-pranimi mund të reduktojë ankthin dhe të mbrojë qasjen tuaj përballë pengesave, dhe nuk lidhet me depresionin. Ju mund të ndryshoni edhe tiparet e personalitetit që nuk ju pëlqejnë tek vetja juaj. Por kjo gjë kërkon ndershmëri dhe ndërhyrje të ndërgjegjshme.  / “The Atlantic” – Bota.al

Back to top button