Nga Andrea Muratore
Nëntëmbëdhjetë lobues për çdo eurodeputet: Brukseli është një udhëkryq për palët e interesuara nga kompanitë, grupet e presionit dhe kompanitë financiare. Janë mbi 13 mijë lobistët e regjistruar në regjistrin zyrtar të Bashkimit Evropian, ose 19 herë më shumë sesa numrit të përgjithshëm të deputetëve të Parlamentit Evropian, 705.
Nga ky këndvështrim, skandali “Panzeri–Kaili” rrezikon të hedhë një hije të rëndë mbi punën e profesionistëve të marrëdhënieve me publikun, të cilët janë në mënyrë legjitime palë të interesuara. Më shumë se sa lobim, nëse vërtetohen akuzat për skandalin në fjalë, do të detyrohemi të flasim për një histori të trishtë korrupsioni dhe degradimi moral, siç e nënvizoi edhe Komisioneri për Çështjet Ekonomike në BE, Paolo Xhentiloni.
Por skandali rrezikon të dëmtojë imazhin e gjithë këtij sektori, brenda të cilit – përveç Panzerit – ka edhe ish-eksponentë të shumtë të institucioneve. E përditshmja italiane “Corriere della Sera” kujton se deri 485 ish-deputetë punojnë për grupime të ndryshme interesi.
Ndërkohë shumë figura të niveleve të larta drejtuese mbajnë sot poste të rëndësishme tek shumëkombëshet e mëdha. Hoze Manuel Barroso, ish-president i Komisionit Evropian, ka qenë një menaxher i nivelit të lartë në bankën amerikane “Goldman Sachs”.
Ish-deputeti dhe zëvendëskryeministri britanik Nik Kleg është që nga viti 2018 zëvendës/president i Facebook. Dhe ka edhe shumë raste të lobingjeve në organet administrative që merren me paditë apo proceset vendimmarrëse. Për shembull vitin e kaluar, Nik Banaseviç, një tjetër zyrtar i lartë i përfshirë në një padi kundër Google dhe Microsoft, u largua nga BE për t’iu bashkuar “Gibson Dunn”, një studio e njohur ligjore.
Sipas dosjes “Uber Files”, ish-komisioneri holandez Neli Kros, dyshohet se përfaqësonte kompaninë private të transportit në fazën 18-mujore midis fundit të mandatit të tij dhe kufirit ligjor të shënuar nga Komisioni Evropian për të marrë një rol në sektorin privat.
Britanikja “Financial Times”, raporton se ky problem është trajtuar vetëm në frontin e konsulencës: “Brukseli po i kufizon mundësitë për zyrtarët e BE-së që punojnë për kompanitë e sektorit privat, nëpërmjet shfrytëzimit të lobimeve midis institucionit dhe studiove ligjore apo kompanive të këshillimit”.
Por në përgjithësi bota e lobimit nuk ka rregulla të përcaktuara dhe krahas profesionistëve transparentë, kjo krijon një botë të ndërmjetme palësh të interesuara, e cila ekziston paralelisht me forcimin e agjencive dhe aparateve, si dhe me vendimet strategjike të marra nga BE.
Ata që punojnë në Bruksel kujtojnë zhurmën e seancave dëgjimore që u zhvilluan në kohën e diskutimeve mbi Këshilli Evropian i Industrisë Kimike (GDPR), kur kompanitë e mëdha të teknologjisë ishin më kritiket ndaj rregulloreve evropiane. Këshilli Evropian i Industrisë Kimike është sot investitori kryesor në lobim në Komisionin Evropian me 9 milionë euro, i ndjekur nga Google me 6 dhe Microsoft me 5.
Facebook dhe ExxonMobil lobojnë secila me 3 milionë euro. Muhamed Shahim, eurodeputet socialist, nënvizoi se si në qershor lobimi i prodhuesve të mëdhenj të automjeteve ishte intensifikuar për të ndaluar opsionin e kalimit në energji elektrike deri në vitin 2035.
Dhe së fundi, siç vëren POLITICO, shumë deputetë besojnë se ai “mashtroi ligjvënësit evropianë gjatë negociatave për 2 ligjet e rëndësishme të teknologjisë së BE-së, Aktin e Tregjeve Dixhitale (DMA) dhe Aktin e Shërbimeve Dixhitale (DSA), duke u fshehur pas organizatave të tjera: lobe që supozohet se përfaqësojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilave u dhanë fonde”.
Ndërkohë, lobet pretendonin se ishin përfaqësues zyrtarë të SME-ve, duke promovuar dhe mbrojtur interesat tregtare të Big Tech, pa bërë të ditur lidhjet e tyre. Pra një shembull tjetër i faktit që problemi nuk është lobimi në vetvete por mungesa e një rregullimi vertikal në këtë sektor dhe rreziqet gjatë periudhave kalimtare, të cilat për momentin, kanë të bëjnë vetëm me 9 agjenci të BE-së.
Rregullat për konfliktin e interesit ekzistojnë, dhe do të mjaftonte vetëm zbatimi i tyre. Por edhe dallimi i profesionistëve të çështjeve institucionale nga amatorët që përfitojnë nga kontakti i drejtpërdrejtë ndërmjet përfaqësuesve institucionalë dhe sektorit privat. / “Il Giornale” – Bota.al