Jean-François Marmion *
“Arsyeja e shëndoshë është gjëja më e baraz-shpërndarë në botë,” shkruante Dekarti. Po budallallëku?
Qoftë duke pikuar a duke rrjedhur, duke shpërthyer apo duke u derdhur, ai është kudo. Pa kufij. Nganjëherë shfaqet si një lëpirje e lehtë, pothuajse e durueshme; herë të tjera si një moçal i ndenjur dhe neveritës. E në raste të tjera, si një tërmet, një stuhi apo një valë gjigante që përpin gjithçka në rrugën e vet, duke shkatërruar, duke shkelur e ndotur gjithçka. Pavarësisht formës që merr, budallallëku na spërkat të gjithëve. Thuhet madje se burimi i tij jemi vetë ne.
Pesha e padurueshme e të qenit
Çdo njeri sheh, dëgjon dhe lexon marrëzira, çdo ditë. Në të njëjtën kohë, secili prej nesh është fajtor për prodhimin e tyre, se i mendon, i përtyp në mendje dhe i shqipton me zë të lartë. Të gjithë ne bëhemi budallenj herë pas here, duke nxjerrë marrëzira teksa jetojmë përditshmërinë tonë, pa pasoja të vërteta. Ajo që ka rëndësi është të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe të ndiejmë keqardhje; sepse të gabosh është njerëzore, dhe të pranosh gabimet është gjysma e faljes së tyre. Gjithmonë do të ketë nga ata që na marrin për budallenj, por ne shumë rrallë e njohim marrëzinë tonë. Përveç murmuritjes së përhershme të marrëzisë që na rrethon ditë pas dite, ekziston, për fat të keq, edhe ulërima e mjeshtërave të budallallëkut, mbretërve të marrëzisë – idiotëve me “I” të madhe.
Këta idiotë, qofshin ata në punë apo në shtëpi, nuk janë rastësorë. Ata të ndjekin, të përndjekin me këmbënguljen e tyre në marrëzi të pashpjegueshme, me arrogancën e tyre të pajustifikuar. Ata përparojnë, firmosin kontrata, dhe do të fshinin me një të rënë të lapsit të gjitha opinionet, emocionet dhe dinjitetin tënd. Ata gërryejnë moralin tënd dhe të bëjnë të dyshosh se në këtë botë të shëmtuar mund të ekzistojë ndonjë lloj drejtësie. Sado që të përpiqesh, nuk arrin të gjesh as edhe një fije lidhjeje njerëzore me ta.
Budallallëku është një premtim i pambajtur, një premtim për inteligjencë dhe besim që idiotët mes nesh e tradhtojnë – janë tradhëtarë të njerëzimit. Këta maskarenj janë si kafshë të trasha – krejtësisht shtazarakë! Mund të kemi dëshirë t’i përkëdhelim, t’i kthejmë në miq, por ata nuk janë në atë nivel – domethënë, në nivelin tonë.
Ata vuajnë nga një sëmundje pa shërim. Dhe, meqenëse refuzojnë të shërohen, të bindur se janë mbretër me një në vendin e të verbërve, tragjikomedia bëhet e plotë. Nuk është çudi që njerëzit janë të magjepsur nga zombit – nga simulimi i ekzistencës që ata mishërojnë, boshllëku i tyre intelektual dhe nevoja e tyre e thellë për të tërhequr poshtë të gjallët, heroikët dhe thjesht njerëzit e ndershëm deri në nivelin e tyre.
Dhe kjo ka logjikë: idiotët, ashtu si zombit, duan të hanë trurin tënd – këta qenie të dështuara nuk të zhgënjejnë kurrë. Gjëja më e keqe tek ata është se ndonjëherë mund të jenë inteligjentë, ose të paktën të shtiren si të tillë. Ata janë mjeshtëra në shndërrimin e kontureve të dijes në hekura burgu dhe do të digjnin me kënaqësi librat – bashkë me autorët e tyre – në emër të ndonjë ideologjie, ose të diçkaje që kanë dëgjuar nga ndonjë i “ditur” (idiot apo jo).
Pasiguria të çmend, siguria të bën budalla
Budallenjtë të dënojnë menjëherë, pa asnjë mundësi apelimi dhe pa pranuar rrethana lehtësuese, vetëm mbi bazën e dukjes së çastit që arrijnë të shohin përmes bllokadave të tyre të ngushta.
Ata dinë si të nxisin simpatizantët e tyre, si t’i shtyjnë drejt linçimit në emër të virtytit, zakoneve, respektit. Idioti gjuan në tufë dhe mendon në mënyrë kolektive. Siç thotë kënga e Georges Brassens: “Shumësi është i padobishëm për njerëzimin; sa herë që mblidhen më shumë se katër veta, do të gjesh një turmë idiotësh.” Ai gjithashtu shton: “Lavdi njeriut që, duke mos pasur ideale madhështore, kënaqet thjesht me faktin që nuk u bëhet pengesë fqinjëve të vet.” Për fat të keq, fqinjët tanë nuk na e kthejnë gjithmonë nderin.
I pakënaqur me faktin që të bën të vuash, idioti i bezdisshëm është i kënaqur me veten. I palëkundur. Ai është imun ndaj dyshimit tek vetja dhe i bindur për të drejtën e tij. Idioti i lumtur i shkel të drejtat e tua pa u menduar dy herë. Budallai i merr ato që beson për të vërteta të skalitura në mermer, ndërsa çdo njohuri e vërtetë ndërtohet mbi rërë.
Pasiguria të çmend, siguria të bën budalla; duhet të zgjedhësh në cilin kamp do të bësh pjesë. Maskarai mendon se di më mirë se ti – ai jo vetëm që pretendon të dijë çfarë duhet të mendosh, të ndjesh dhe të bësh me dhjetë gishtat e tu, por di edhe se për kë duhet të votosh. Ai di kush je ti dhe çfarë është më e mira për ty, më mirë sesa ti vetë.
Nëse nuk je dakord me të, ai do të të përçmojë, do të të fyejë dhe do të të sulmojë, si në mënyrë të drejtpërdrejtë ashtu edhe në mënyrë figurative, për “të mirën tënde”. Dhe nëse mund ta bëjë këtë në emër të ndonjë ideali të lartë, nuk do të hezitojë të sulmojë “plehrën” që përfaqëson ekzistenca jote për të, me një ndjenjë të plotë pandëshkueshmërie.
Dhe ja një e vërtetë e hidhur: vetëmbrojtja e justifikuar është një kurth. Nëse përpiqesh të arsyetosh me një idiot ose t’i ndryshosh mendjen, je i humbur. Në momentin që vendos se është detyra jote ta përmirësosh atë, në çastin që mendon se di si duhet të mendojë dhe të veprojë (si ty, sigurisht), loja ka marrë fund. Ja pra: tani je ti budallai — dhe për më tepër je edhe naiv, sepse beson se je në gjendje ta përballosh sfidën.
Edhe më keq: sa më shumë përpiqesh të reformosh një idiot, aq më shumë ai forcohet. Ai kënaqet duke e parë veten si viktimë që shqetëson të tjerët – dhe pikërisht për këtë arsye, ndjehet i bindur se ka të drejtë.
Duke e qortuar, ti i jep mundësinë të besojë me bindje të plotë se është një hero i antikonformizmit, dikush që duhet mbrojtur dhe admiruar. Një anëtar i rezistencës… Dridhu përpara madhështisë së këtij mallkimi: nëse përpiqesh të reformosh një idiot, jo vetëm që do të dështosh, por do ta forcosh atë dhe do të inkurajosh imituesit.
Më parë ishte vetëm një budalla: tani janë dy.
Lufta kundër marrëzisë vetëm sa e forcon atë. Sa më shumë ta sulmosh një ogër, aq më shumë shpirtra ai përpin.
Kalëruesit e Apokalipsit
Në këtë mënyrë, nuk ka asnjë mundësi që budallallëku të humbasë fuqinë e tij. Ai është eksponencial. A po jetojmë sot – më shumë se dje dhe më pak se nesër – në epokën e artë të idiotësisë? Që prej kohërave më të hershme të dokumentuara me shkrim, mendjet më të mëdha të kohërave të tyre e kanë besuar këtë. Ndoshta kishin të drejtë, atëherë.
Nga ana tjetër, ndoshta, si gjithë të tjerët, edhe ata ishin thjesht budallenj të moshuar.
Megjithatë, risia e vërtetë e epokës sonë është se sot mjafton një idiot me një buton të kuq për të shfarosur gjithë budallallëkun – dhe mbarë botën bashkë me të. Një idiot i zgjedhur nga dele që ishin tepër krenare për të zgjedhur kasapin e tyre.
Karakteristika tjetër e madhe e kohës sonë është se, edhe nëse pranojmë se budallallëku nuk ka arritur ende kulmin e tij, dimë se ai nuk ka qenë kurrë më parë kaq i dukshëm, kaq i paturpshëm, kaq i zëshëm dhe kaq i padiskutueshëm. Kjo mjafton për të të bërë të humbasësh shpresën tek bashkëqytetarët. Nga ana tjetër — kush e di? — mund të të frymëzojë t’i drejtohesh filozofisë për ta përballuar situatën, duke qenë se së fundmi është gjithnjë e më e vështirë të mohosh kotësinë e gjithçkaje dhe narcisizmin e gjithkujt, për të mos përmendur marrëzinë e pamjeve dhe mbizotërimin e gjykimeve të cekëta.
Ah, sikur të na shkruante ndonjë Erasmus i dytë një Lavdi Budallallëkut (por në shpërthime me 280 gërma, që të na shpëtonte nga migrena)! Ah, sikur të na shfaqej një Lukrec i ri për të na sjellë lehtësim dhe ndoshta edhe gëzim — gëzim që do ta shijonim të sigurt në breg, ndërsa anija e budallenjve fundoset, e sabotuar nga vetë pasagjerët e saj, që bërtasin për ndihmë ndërsa mbyten.
Si lakmitarë të pangopur, ne lëpijmë buzët përballë nektarit më të dëshiruar: luftës mes vetë budallenjve, me qimet ngritur dhe egot gati për përplasje. Mendjet e mëdha mendojnë njësoj; mendjet e vogla përplasen.
Ndërsa përpiqesh të mbetesh spektator, jo aktor, në këtë skenë beteje, do të ishte marrëzi të imagjinosh veten më pak të prekshëm nga budallallëku se bashkëkohësit e tu të zymtë, uluritës, të mjerueshëm dhe të trazuar.
Por nëse, rastësisht, do të kishe të drejtë… çfarë fitoreje do të ishte! Është më e mençur të jesh modest; nëse përpiqesh të ngrihesh mbi turmën, nuk do të të falin. Edhe nëse arratisesh nga tufa, do të përfundosh gjithsesi në thertore. Ulëri me ujqërit, blegëri me delet, por kurrë mos ec vetëm; të gjithë do të bërtasin kundër teje.
E vetëkuptueshme: nëse vërtet beson se je më i zgjuar dhe më i admirueshëm se njeriu i zakonshëm, atëherë diagnoza fatale është afër: me shumë mundësi, edhe ti je një bartës i pavetëdijshëm i budallallëkut. / Nga libri “Psikologjia e budallallëkut” – Në shqip nga bota.al