Ekonomi

Më në fund! Gjermania po bën zgjedhjen e duhur – për veten, për Europën, për të gjithë

Në tre muajt e fundit të 2016-ës, Gjermania ndryshoi pakëz karakter. Familjarët – që prej kohësh mendoheshin si kursimtarë fanatikë – blenë pak më shumë se zakonisht. Në fakt, për një herë në jetë, gjermanët blenë më shumë jashtë vendit, se sa eksportuan. Por ajo që të bën edhe më shumë përshtypje, është se qeveria e kthjellët, e përgjegjshme, e rreptë me financat, rriti edhe ajo pak shpenzimet.

Natyrisht, është vetëm një tremujor. Megjithatë, edhe të dhënat vjetore zbulojnë rritje të kërkesës gjermane. Përgjatë gjithë viti 2016, shpenzimet qeveritare dhe familjare, bashkë me investimet, i dhanë forcë ekspansionit ekonomik të Gjermanisë. Dhe pavarësisht tepricës së madhe tregtare, eksportet pësuan rënie krahasuar me rritjen ekonomike.

Komponentet e rritjes se GDP te Gjermanise

Të tjerë tremujorë si ai i fundit – ku kërkesa e brendshme e Gjermanisë, dhe jo eksportet, shtyjnë nxit ekonomike – janë jetikë për të korrigjuar çekuilibrat e rrezikshëm në strukturën e saj ekonomike. Këta çekuilibra janë zmadhuar në përmasa të tilla, që vënë në rrezik fqinjët e vet në eurozonë – dhe si pasojë, ekonominë globale në tërësi.

Që nga fillimi i viteve 2000, qeveria gjermane është kapur pas politikave që e bënin prodhimin të lirë, dhe parandalonin fluskat financiare apo inflacionin, që të destabilizonin rritjen ekonomike. Në krye të këtyre përpjekjeve ishin të ashtuquajturat reformat Hartz, të cilat, në fillim të viteve 2000, rritën punësimin ndërkohë që mbajtën nën fre rritjen e pagave – praktikisht duke e mbajtur prodhimin me kosto të ulët, në dëm të punëtorëve. Duke zhvendosur pasurinë nga punëtorët tek Mittelstand-ët e Gjermanisë – sipërmarrjet e mesme – dhe qeverinë, këto politika vunë presion mbi shpenzimet e familjarëve. Fiksimi pas ekuilibrimit të buxhetit rëndoi edhe më shumë mbi kërkesën e brendshme.

Këto politika e bënë Gjermaninë që të konsumojë më pak, dhe të prodhojë më shumë nga sa do të bënte normalisht. Dhe duke qenë se brenda Gjermanisë nuk kishte kush të blinte mallrat me tepri që po prodhoheshin, apo të investonte ato teprica në kursime, eksportet dhe kapitali gjerman vërshuan jashtë vendit.

Teprica tregtare e Gjermanise, si perqindje e GDP

Atje, eksportet gjermane mposhtën në konkurrencë ato të vendeve të tjera, dhe tepricat e kursimeve u dhanë hua kudo nëpër Europë, duke financuar kështu një bum tëstrehimit dhe konsumit në të gjithë kontinentin, si shpjegohet më me detaje më poshtë. Dhe si e dimë të gjithë, ajo fluskë epike, me kalimin e kohës, plasi.

Ndërkohë që kursente më shumë, Gjermania shtonte investimet tek fqinjët.

Një pjesë e madhe e kësaj tendence nuk ishte sepse punëtorët gjermanë po rrisnin prodhimin e tyre për orë. Mallrat që ata prodhonin ishin të lira, për shkak të shtrembërimeve në ekonominë gjermane, që frenuan rritjen e pagave – që do të thotë se Gjermania, në të vërtetë, nuk po e rriste pasurinë e përgjithshme. Dhe duke qenë se Gjermania nuk po kontribuonte për kërkesën e përgjithshme globale, politikat që i jepnin asaj një pjesë më të madhe të prodhimit global, morën vende pune nga punëtorë në vende të tjerë.

Megjithatë, politikat që e mbajtën Gjermaninë të qëndrueshme, u shkaktuan dëme ekonomive të partnerëve të saj tregtarë dhe konkurrentëve – kaq shumë, saqë eurozona tashmë duket gjithmonë e më shumë në rrezik që të shpërbëhet, një ngjarje e cila do ta zhyste ekonominë globale në kaos.

Eksportet gjermane kontribuan më pak për rritjen ekonomike në 2016.

Nr. 1 në agjendë për të shmangur këtë katastrofë është një rishikim i ekonomisë së vet nga Gjermania, përmes rritjes së shpenzimeve, si të familjarëve, ashtu edhe atyre qeveritare, dhe lejimi i rritjes së inflacionit. Këto duket sikur më në fund mund të jenë duke ndodhur (përtej kërkesës, edhe pagat e inflacioni patën rritje në vitin 2016). Të shpresojmë që Gjermania do të vazhdojë në këtë rrugë. / Quartz – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button