Motivuese

Më shiko siç shihet një shans i humbur

Kam ecur përpara duke marrë me vete një lumë me kujtime, që megjithatë nuk kthehen më. Duhet të mësojmë t’i japim cilësi kohës sonë. Duhet të vlerësojmë çdo moment që jetojmë krah njeriut që duam, sepse herët a vonë era do të fryjë dhe do të marrë me vete gjithçka që nuk kemi ditur ta rrokim fort

Kthimi pas nuk është i mundur. Ju mund ta dëshironi atë me gjithë fuqinë që keni në trupin tuaj, por asgjë dhe askush nuk mund të shkojë kundër rrjedhës së paepur të kohës që kalon. Akrepat shkojnë përpara, me tingullin e tyre hipnotizues shënojnë momente, çaste të jetës sonë që kurrë nuk do të kthehen. Ne e humbim perceptimin   ndërsa jetojmë jetën tonë. Ne jemi kaq të mësuar me idenë se ka kaq shumë kohë, saqë shumicën e kohës nuk i japim asaj vlerën e duhur.

Ka raste kur na duket se koha nuk kalon kurrë, momente të tjera kur na duket sikur na rrëshket nëpër gishtërinj, dhe kjo ndodhte kur isha me ty. Ndjehesha si një vajzë e vogël në prag të Krishtlindjeve, e paduruar për të nxjerrë dhuratat e saj nga shiritat e lidhur gjithmonë shumë ngushtë. Vështirësia e hapjes së atyre pakove më bënte më të paduruar çdo moment, duke dëshiruar që koha që më ndante nga dhuratat e mia të bukura të fluturonte shpejt, dhe pastaj të ndalej në momentin kur lumturia ime ishte në kulmin e vet.

Ti ishe dhurata ime. Më e bukura, ajo me fjongon më të madhe, me letrën më shumëngjyrëshe. Qëndrimi larg teje më bënte të dëshiroja që orët të iknin sa më shpejt, ndërsa kur ishim bashkë, shpresoja që ai moment të zgjaste përgjithmonë. Thuhet se kur jemi të lumtur duhet të kemi më shumë vëmendje; duhet t’i shijojmë ato momente lumturie deri në fund. Por në fakt, kur jemi të lumtur, koha gjithmonë ikën shumë shpejt.

Ti shkëputeshe shpejt nga ato përqafime. Dhe në orët që ishe larg prej meje, as nuk më mendoje. Kohën që unë e mbushja me mungesën tënde, ti e mbushje me një mijë gjëra që nuk ishin unë. Ekziston një lloj ekuilibri kozmik në botë, një ekuilibër në të cilin ata që duan shumë e me gjithë shpirt, janë të destinuar të mos marrin mbrapsht të gjithë këtë Dashuri. Dhe unë nuk bëja përjashtim.

Ndoshta sepse ndryshe nga ti, u kam dhënë gjithmonë shumë peshë atyre që janë në jetën time. Koha rrjedh shpejt dhe nuk i bën ulje askujt. Unë këtë e di mirë. Kam humbur kaq shumë njerëz që doja… Njerëzit ikin me të njëjtën lehtësi që hyjnë në jetët tona, dhe çdo çast i jetuar me ata që duam është i vyer.

Kështu tani, ndërkohë që unë kam mësuar t’ia rezervoj kohën time atyre që bëjnë të njëjtën gjë me mua, ti ke mbetur atje duke më vështruar.

Kam ecur përpara duke marrë me vete një lumë me kujtime, që megjithatë nuk kthehen më. Duhet të mësojmë t’i japim cilësi kohës sonë. Duhet të vlerësojmë çdo moment që jetojmë krah njeriut që duam, sepse herët a vonë era do të fryjë dhe do të marrë me vete gjithçka që nuk kemi ditur ta rrokim fort.

Leave a Reply

Back to top button