Një spiune misterioze, në gjendje të joshë diktatorë dhe mbretër. Mbajti në ankth Londrën dhe Berlinin në vitet tridhjetë. Ndoshta kishte një projekt të fshehtë: sjelljen e kryqit të thyer në Britaninë e Madhe. Eshtë e njohur mbi të gjitha, për arsye se ishte shkaku i heqjes dorë nga froni, nga ana e Eduardit VIII, sovrani i Britanisë së Madhe në vitin 1936. Të vjen e natyrshme ta krahasosh me Coco Chanel. Si stil feminiliteti, ajo dhe Coco kanë influencuar të gjithë Nëntëqindën
Viti 1937. Revista “Time” i dedikon kopertinën Wallis Simpsonit: është e para grua që shfaqet në të përjavshmen prestigjoze amerikane. Konsiderohet nga të gjithë një grua magjepsëse, e parezistueshme. Një personalitet femëror unik në panoramën e shekullit XX. Eleganca i jep, në janar të vitit 1946, vendin e parë në klasifikimin e grave të veshura më mirë, sipas New York Dress Institute. Nuk është aq hijshme sa bukuritë e kohës, por i fiton gjithësesi njerëzit më të kamur të Amerikës, Kinës dhe Europës. Si ia del? Cili është sekreti i saj?
Mjeshtre e stilit
Valeria Palumbo, gazetare dhe historiane që ka botuar disa vëllime mbi zonjat më të famshme dhe me ndikim të historisë, e përshkruan Wallis Simpson si një grua shumë elegante. “Të vjen e natyrshme ta krahasosh me Coco Chanel”, shpjegon. “Do të thoja që si stil feminiliteti, ajo dhe Coco kanë influencuar të gjithë Nëntëqindën”. Wallis Simpson është një joshëse e pagabueshme, ndoshta më efikasja e kohës së vet. Po përse njerëz shumë të pushtetshëm dhe plot përgjegjësi, kanë lënë kokën pas saj? Përpiqet të shpjegojë historiani Giorgio Galli: “Kishte mësuar disa aspekte të të ashtuquajturës “magji e kuqe”, ose “magjia seksuale”. Dhe kjo e bënte një grua vërtetë të veçantë”.
Influenca e familjes së babait, dhe frekuentimi, që në rini, i salloneve më elegantë, kanë kontribuar për të përsosur ndjeshmërinë e saj shoqërore dhe armët e saj si njeri magjepsës. Që në moshë të re, për shembull, ishte në gjendje që të mësonte përmendësh rezultatet dhe statistikat e lojtarëve të futbollit që kishte frekuentuar gjatë viteve të shkollës së mesme, si dhe të njihte përbërësit e ndryshëm të një avioni me dy motorrë, kur u apasionua pas burrave me uniformë. Argumenta këta, që të përdorur nga një grua e guximshme dhe tejet e drejtpërdrejtë, nuk mund të mos magjepsnin burrat e zënë në befasi prej iniciativave të saj.
“Sigurisht – vazhdon Valeria Palumbo – ka qenë një mjeshtre e stilit. Dhe ishte një feminilitet i ri”. Për shembull, ishte një grua shumë e dobët: jo prototipi i bukurisë së kolme. Megjithatë, ishte shumë elegante. Shkallarja drejt pushtetit
Wallis Simpson është me siguri gruaja magjepsëse më me ndikim e të gjithë kohërave. Kapte në ajër situatat në të cilat gjendej dhe nuhaste se si mund të fitonte burrat, të cilët pa asnjë përjashtim, kapitullonin para saj. Për të, nuk kish dallim mes ushtarëve, biznesmenëve dhe monarkëve. Me vetëdije ose jo, mjeshtëria e saj në përdorimin e gjuhës së trupit dhe komunikimit jo verbal ka qenë ndër më të rafinuarat që janë parë në artin e joshjes. Por një jetë e jetuar shpesh përtej limiteve që nuk njihen, rrezikonte të merrte me vete edhe një grua me një aftësi të madhe kontrolli, si ajo.
Historia
Wallis Simpson ka bërë një jetë që, pjesa më e madhe e grave të kohës së saj mundeshin vetëm ta ëndërronin. Ka jetuar në tre kontinente dhe ka qenë e rrethuar nga pasuria dhe nderimet. Eshtë e njohur mbi të gjitha, për arsye se ishte shkaku i heqjes dorë nga froni, nga ana e Eduardit VIII, sovrani i Britanisë së Madhe në vitin 1936, si dhe për një histori dashurie të quajtur “më romantikja e të gjithë kohërave”. Megjithatë, Wallis Simpson i kishte të gjithë letrat në rregull për një jetë të tillë: dhunti diplomatike dhe aftësi të mëdha joshëse. Edhe për këto arsye, ishte gjithmonë mysafire e pëlqyer. Dinte të manipulonte burrat më të pushtetshëm, dhe i merrte gjithmonë informacionet për të cilët kishte nevojë.
Lidhje të rrezikshme
Megjithatë, në një moment, Wallis Simpson u shndërrua në një problem me rëndësi themelore për të gjithë perëndimin. Eshtë ajo që i prezantoi Eduardit burrat më të spikatur të Rajhut të Tretë. Dhe është ajo që punoi në fshehtësi të madhe për regjimin nazist.
Prapa ndjenjës së shpallur nga çifti më i diskutuar i atyre viteve, kishte një histori shqetësuese intrigash dhe makinacionesh politike, që do të kishin mundur të ndryshonin fatet e Luftës së Dytë Botërore, si dhe të kishin një ndikim të madh mbi botën, ashtu si e njohim sot. Rreziku ishte vetë Wallis Simpson, e akuzuar se ishte një spiune e gjermanëve, me objektivin që të merrte kontrollin total të perandorisë më të madhe koloniale të planetit: Britanisë së Madhe.
Europa në udhëkryq
Mbrëmjen e 6 dhjetorit 1936, Eduardi mori vendimin e jetës: të heqë dorë nga froni. Nuk ka ndërmend të rrezikojë një luftë civile. Nuk dëshiron të jetë sovran i një mbretërie, Mbretërisë së Bashkuar, të ndarë mes mbështetësve dhe kritikëve të tij. Martesa e tij e paralajmëruar me Wallis Simpsonin, kish qenë shkaku i një konflikti të madh në mbretëri. Por Eduardi nuk dëshiron të heqë dorë nga Wallisi. Ajo nuk arrin, dhe nuk do të arrijë kurrë, të krijojë një marrëdhënie të qetë me familjen mbretërore britanike. Dhe një prej ëndrrave të Eduardit, dhënia të dashurës së tij Wallis, e titullit të Madhërisë së Saj, nuk do të realizohet asnjëherë.
Në vjeshtën e vitit 1937, Eduardi – që tashmë ka hequr dorë nga froni – dhe Wallis ndodhen për vizitë në Gjermani. Zyrtarisht, për të verifikuar kushtet e punës në fabrikat gjermane. Por ndoshta është thjeshtë justifikim. Në të vërtetë, është rasti i mirë për të takuar të gjithë krerët e shtabit të regjimit nazist. Në 22 tetor, takojnë edhe Hitlerin. Për Fyhrerin, është rasti i duhur për të hartuar një plan: pasi të fitonte luftën, do të dërgontenë mërgim familjen mbretërore angleze në Kanada, dhe do të rikthente në fron Eduardin. Wallisi do të ishte në krahun e tij si mbretëreshë.
Hitleri i thotë Eduardit se qëllimi i tij është të sulmojë Rusinë për të shkatërruar komunizmin, duke ruajtur mbështetjen dhe aleancën me Anglinë. Eduardi i beson. Para se të largohen, Hitleri i kap duart Wallisit, në një përshëndetje të përzemërt, dhe duke u kthyer nga përkthyesi thotë: “Do të ishe një mbretëreshë shumë e mirë”.
Me afrimin e konfliktit, vendoset që Eduardi të qëndrojë sa më larg atdheut që të mundet. Në atë periudhë, Wallisi dhe Eduardi, kudo ku shkonin, i nënshtroheshin presioneve të shumtë. Gjermanët shtyjnë që të bashkëpunojnë me ta, anglezët i duan në atdhe që të merren në pyetje. Në fund, të dy vendosin që gjëja më e mirë është të nisen për në Bahamas.
Shërbimi i fshehtë anglez, për t’i bindur që të kthehen e të bashkëpunojnë me regjimin nazist, hartojnë një plan që parashikon depozitimin e 50 milionë frangave zvicerane në llogarinë në emër të Eduardit. Por projekti nuk përfundon mirë. Po të kish patur sukses, historia e konfliktit dhe e botës si e njohim, do të kish qenë ndoshta shumë e ndryshme. “Gjermania – tregon Giorgio Galli – kishte përgatitur operacionin Luani i Detit, që do të kish sjellë një zbarkim në Angli. Po të ia kish dalë, ndoshta do ta kish kthyer menjëherë Eduardin në fron”.
Sipas shërbimit të fshehtë britanik, Wallis Simpson do të kish mundur të ndryshonte historinë, jo vetëm duke punuar për një marrëveshje të mundshme mes Anglisë dhe Gjermanisë, por edhe duke punuar për të shmangur ndërhyrjen e SHBA në luftë. Pasojat, në rast suksesi, do të ishin të tmerrshme. / StoriaIn – Përgatiti: www.bota.al