Nga Domenico Letizia
“Opinione.it”
Operacionet pak të njohura ushtarake dhe operacionet e njësive paraushtarake të ndërmarra nga Rusia në shumë skenarë gjeopolitikë delikatë, janë në qendër të denoncimeve dhe sanksioneve nga ana e institucioneve evropiane.
Këshilli i Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian, i ka dhënë dritën jeshile zbatimit të paketës së sanksioneve kundër organizatës paraushtarake ruse “Vagner”. Këto sanksione prekin 8 individë dhe 3 subjekte të lidhura me këtë organizatë, përfshirë ngrirjen e aseteve të vendosura në Evropë, dhe ndalimin e udhëtimit të tyre në vendet e BE-së.
“Vagner” akuzohet nga Evropa për shkaktimin e akteve të dhunës, shkeljen e të drejtave të njeriut, plaçkitjen e burimeve natyrore, dhe të qenit një avokate e “frikësimit të civilëve” në Siri, Libi, Ukrainë dhe në Republikën e Afrikës Qendrore.
Miratimi i paketës së këtyre sanksioneve erdhi pas një autorizimi unanim, dhe sipas autoriteteve evropiane ai synon të sinjalizojë “vendosmërinë e fortë të Evropës për të mbrojtur interesat e saj, dhe për t’u përballur me ata që kërcënojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.
Ky zhvillim, duket veçanërisht i rëndësishëm për situatën aktuale në Ukrainë, e cila po përshkallëzon marrëdhëniet midis Perëndimit dhe institucioneve të drejtuara nga Vladimir Putin. Shumë organizata joqeveritare, kanë denoncuar praninë e organizatave paraushtarake dhe mercenare ruse përgjatë kufirit ukrainas, dhe shumë prova për këtë u janë paraqitur institucioneve evropiane.
“Paprekshmëria e kufijve, është një nga themelet e paqes në Evropë ”- përsëriti së fundmi kancelari i ri gjerman Olaf Sholc, që foli mbi krizën në kufirin midis Ukrainës dhe Rusisë gjatë pjesëmarrjes në samitin e parë të BE-së në Bruksel.
“Ne duhet të punojmë të gjithë së bashku dhe të bëjmë gjithçka që është e mundur për të siguruar ruajtjen e kësaj paprekshmërie”-shtoi kancelari. Ministria ukrainas i Mbrojtjes, konfirmoi aksionin e mercenarëve rusë kundër ushtrisë së rregullt të Ukrainës në rajonet Novoluhanske dhe Piski.
Moska i hedh poshtë këto akuza. Por presioni ushtarak po rritet. Dhe pasi ka vënë nën shënjestër rajonin e Donbasit, Vladimir Putin synon tani edhe destabilizimin e Ukrainës nga Krimea, dhe kontrollin e kufirit me Bjellorusinë.
Një ndër financuesit kryesorë të organizatës paraushtarake ruse “Vagner” është oligarku shumë i afërt me Putinin, Jevgeni Prigozhin. Ai është vënë nën shënjestër nga Brukseli, ndërsa FBI-ja amerikane e akuzon atë për përfshirje në një komplot për të mashtruar Shtetet e Bashkuara me synim ndërhyrjen në sistemin e saj politik.
Paraushtarakët e mbështetur nga Moska, janë një “ushtri” shumë e organizuar, shumë luftarake, dhe me një preferencë të theksuar për luftëtarët sllavë. Nuk është për t’u habitur që ajo pak çka dihet mbi organikën e organizatës, është pikërisht për shkak të episodeve të lidhura me milicët serbë.
Një prani shqetësuese për vetë Evropën. Ngjarjet politike aktuale, kanë krijuar nevojën për arritjen e një marrëveshje të arsyeshme për ndërprerjen e armiqësive në kufirin ukrainas. Institucionet e Putinit do të donin një garanci të firmosur nga Evropa dhe SHBA-ja, se “nuk do të ndërmerret asnjë zgjerim perëndimor” drejt Evropës Lindore dhe pranë kufijve të Rusisë.
Për më tepër, rusët do të donin që NATO të hiqte dorë nga premtimi i bërë në vitin 2008 ndaj Gjeorgjisë dhe Ukrainës, për anëtarësimin e tyre të mundshëm në aleancë, dhe të siguroheshin se nuk do të vendoset asnjë armë në vendet e republikave baltike.
Kërkesa që nuk përputhen me realitetin e qëndrimit rus, pasi ndërsa bën thirrje për çmilitarizimin e kufijve dhe neutralitetin gjeopolitik të Evropës Lindore, ushtria ruse vazhdon të ushtrojë presion në vendet e konsideruara “rebele”, madje edhe duke financuar mercenarë dhe organizata paraushtarake.
Struktura rreth mekanizmit misterioz “Vagner”, është ajo e një organizate paraushtarake që mburret me financuesit e mëdhenj rusë, burime të mëdha financimi që vijnë nga plaçkitjet, tregtia e naftës dhe lëndëve të para të nxjerra në Siri, me një sërë komandantësh si Aleksandër Kuznecov, përgjegjës për operacionet brutale në Libi, dhe i përfshirë në “abuzime serioze me të drejtat e njeriut”, përfshirë torturat dhe ekzekutimet jashtëgjyqësore në Libi, Siri, Donbas, Republikën e Afrikës Qendrore, Sudan dhe Mozambik. / Opinione.it – Bota.al