Pse Kancelarja preferon të shikojë gjithnjë e më shumë nga Rusia dhe nga Kina. Tsipras qëndron si arsye, por jo edhe aq shumë
Tashmë Gjermania shikon nga Lindja. Westbindung, integrimi perëndimor, një konstante e politikës gjermane pas Luftës së Dytë Botërore, është dobësuar. Ndoshta edhe përgjithmonë. Berlini nuk ka më nevojë për mbrojtjen amerikane ndaj Bashkimit Sovjetik, është sërish një gjigant në zemër të Europës dhe ekonomia e tij varet gjithnjë e më pak nga Atlantiku dhe gjithnjë e më shumë nga fatet e Paqësorit. Ky gjykim njëherazi i pamëshirshëm dhe shqetësues vjen nga botimi më autoritar amerikan i politikës së jashtme, Foreign Affairs, i njëjti në të cilin në vitin 1947 George Kennan, Zëvendësshef i Misionit në Moskë, lëshoi paradigmën e frenimit që do të drejtonte Shtetet e Bashkuara qysh nga fillimi i Luftës së Ftohtë dhe këtej.
Ai që shkruan artikullin lidhur me Gjermaninë, të botuar në numrin e parë të vitit, është Hans Kundnani, Drejtor Kërkimesh në Council on Foreign Relations, think-tank autoritar njujorkez me tendencë centriste. Ish gazetar i “The Observer”, Kundnani (ka punuar si korrespondent në Berlin) ka studiuar Gjermanisht dhe Filozofi në Oxford në Angli dhe Gazetari në Columbia University të New Y orkut. Zotëron aftësinë për të shkruar qartë dhe për të hyrë drejt e në temë, gjë që shpesh u mungon diplomatëve apo profesorëve. Edhe për këtë, pa perifrazime, prek menjëherë thelbin e çështjes.
Analiza fiton akoma më shumë peshë sot, pas rifillimit të përleshjeve në Ukrainë dhe pas fitores së Syrizas në Greqi që rrezikon të lëkundë ekuilibrat jo vetëm ekonomikë, por edhe politikë e ushtarakë të të gjithë Europës, duke vënë në provë aftësinë drejtuese të Angela Merkelit dhe klasës drejtuese gjermane në tërësinë e saj. Sepse Gjermania po tenton të ripërcaktojë vetveten, vendin e saj “në diell”, hapësirën jetike, dimensionin europian të saj.
E ka bërë herë të tjera gjatë historisë moderne dhe pasojat kanë qenë gjithmonë të mëdha, bile në tri herë kanë qenë të tmerrshme, si në 1870, në 1914 dhe në 1939. Kështu, shqetësimi amerikan është më shumë se i justifikuar dhe nuk ka të bëjë aspak me antigjermanizmin me profil të ulët, në modë midis Romës dhe Athinës. “Pushtimi rus i Krimesë në mars të 2014 ka qenë një tronditje e vërtetë për Gjermaninë”, shkruan Kundnani në artikullin e tij të titulluar “Duke lënë prapa Perëndimin”. Pavarësisht varësisë nga gazi rus, Merkeli ka vendosur që të mbështesë sanksionet, megjithatë opinioni publik në shumicë është reshtuar për të mos dalë në krah të NATO-s, por për të luajtur një rol ndërmjetësi. Nuk është ndonjë risi. Ka qenë Gerhard Schröderi ai që i ka bërë më të ngushta lidhjet tregtare me Rusinë, aq sa kur la Kancelarinë, shkoi e u bë konsulent i Gazpromit.
Nuk ishte vetëm një çështje interesash personale, por ishte pjesë e një strategjie të quajtur Wandel durch Handel, ndryshim nëpërmjet shkëmbimeve tregtare, që evokonte formulën Wandel durch Annäherung, ndryshim nëpërmjet afrimit, e krijuar gjatë Ostpolitikës së ish Kancelarit Willy Brandt dhe krahut të djathtë të tij, Egon Bahr, duke filluar nga viti 1969. Domethënë, një konstante e socialdemokracisë. Dhe sot Ministër i Jashtëm është një eksponent i SPD-së si Frank-Walter Steinmeier, prej kohësh i konsideruar pro-rus, prirje që del edhe nga përgjimet e National Security Agency. Nga ana tjetër, pse vallë amerikanët do ta kishin krijuar një rrjet spiunazhi të tillë ndaj klasës politike gjermane, nëse do ta kishin konsideruar besnike deri në fund? Pikërisht linja e Steinmeierit kishte ngjallur dyzime të forta nga ana e Foreign Affairs në prillin e 2014, në një artikull të titulluar “Ostpolitika e re e Gjermanisë”. Kjo politikë e jashtme ka pasur edhe një anë ekonomike që synon drejt lindjes, deri në Detin e Kinës. Në këto vite Gjermania është bërë një vend i tërhequr gjithnjë e më shumë nga shitjet e produkteve në tregjet ndërkombëtare. Pesha e eksporteve respektivisht PPB-së ka kaluar nga 33 në 48 përqind të PPB-së duke filluar nga hyrja e euros. Dhe përgjigja gjermane ndaj krizës së 2008 nuk ka bërë gjë tjetër veçse e ka forcuar tendencën. Raporti me Lindjen e Largme dhe në veçanti me Kinën bazohet mbi fuqinë e makinës bankaro – industriale: V olkswagen, Daimler, Siemens, Deutsche Bank janë katër kalorësit që drejtojnë një ushtri të madhe ndërmarrjesh të mesme të mëdha, të ashtuquajturat Mittelstand. Udhëtimet e shpeshta në Pekin të Angela Merkelit, e shoqëruar nga bosët e industrisë e të financës (siç bënin dikur presidentët francezë dhe ata amerikanë) e kanë konsoliduar raportin që për kinezët edhe ushqehet me një rënie politike e strategjike, sepse duke filluar nga viti 2008 Kina kultivon gjithnjë e më shumë projektin e një forcimi të Bashkimit Europian si fuqi konkurrente ndaj Shteteve të Bashkuara, një variant i ri i Europës si forcë e tretë, që i pëlqente aq shumë Charles de Gaulle. Kështu, Kancelarja Merkel bën patinazh mbi një akull të brishtë. E kupton vallë këtë gjë? Amerikanët e respektojnë dhe e konsiderojnë një figurë të fuqishme dhe të aftë që të luftojë me gjithçka ka në shtytjen më tej, por jo deri në pikën sa të prishë urat, edhe pse janë bërë gjithnjë e më shumë të paqëndrueshme. Gjermania ka ndërhyrë në Kosovë në 1999 dhe në Afganistan, pastaj është penduar. Në 2003, lidhur me Irakun, Kancelari Schröder i ka kundërvënë asaj amerikane “rrugën gjermane”, e cila konsiston në të qënin faktor ndërmjetësimi diplomatik të jetë si të jetë, një “Friedensmacht”, një forcë paqeje, shprehje tjetër e përdorur shumë nga politikanë dhe diplomatë. Qëllim i lavdërueshëm, por ku çon? Franczët e kanë kapur kur Berlini ka refuzuar t’i ndihmojë në Mali. Amerikanët kanë mbetur duarthatë lidhur me Sirinë. Në 2011 Gjermania ka abstenuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lidhur me ndërhyrjen ushtarake në Libi, krah për krah me Rusinë dhe Kinën kundër Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Britanisë së Madhe. Një aleancë e re e trifishtë kundër Antantës trefishe perëndimore? Apo kërkimi i një hapësire jetike që, në epokën e globalizimit, shkon përtej Europës Qendrore?
Pas Hitlerit, jo vetëm termi, por edhe vetë koncepti i Lebensraum-it nuk ka më të drejtë qytetarie, megjithatë hapësira jetike nuk vjen nga “Mein Kampf”. Ideja e një kombi gjerman të ndarë edhe pse i shtypur nga fuqi të mëdha rrethuese (Francë, Rusi, Suedi, Perandori Austro – Hungareze) dhe i privuar nga hapësira e nevojshme për të jetuar dhe begatuar i përket Tetëqindës, e formalizuar në vitin 1901 nga gjeografi dhe etnologu Friedrich Ratzel, bëhet alibia për një ekspansionizëm kulturor në Afrikën Jugperëndimore dhe parim frymëzues i Luftës së Parë Botërore. Dokumenta të zbuluara nga historiani gjerman Fritz Fischer tregojnë se, në rast fitoreje (e konsideruar praktikisht e sigurtë duke parë fuqinë e zjarrit të disponueshme), ekzistonte një projekt ekspansioni në Poloni, Lituani e Ukrainë, por edhe në Perëndim, në Belgjikë, për t’u përfshirë në Rajh, dhe në Francë, si pjesë e të ashtuquajturit Septemberprogramm të hartuar nga Kancelari Theobald von Bethmann-Hollweg në shtatorin e 1914. Një pasojë e Gjermanisë së Madhe të re do të kishte qenë shoqata ekonomike Mitteleuropa.
Historianët nuk bien dakord lidhur me vlerën efektive të planit. Disa theksojnë se ishte një dokument informal i dëshiruar sidomos nga industria e madhe dhe ushtria. Por kjo demonstron se ekziston një fill i përbashkët i ambicieve gjermane që i përket më shumë se një shekulli më parë. Sipas një rryme mendimi britanik, më armiqësor ndaj Gjermanisë dhe ndaj Bashkimit Europian, të njëjtat aspirata janë ripropozuar pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe me bashkimin gjerman, edhe pse kanë marrë formën e një Lebensraum- i ekonomik. Disa theksojnë se vetë monedha unike është pjella. Edhe pse kush e ka ndjekur debatin dhe përplasjen politike për lindjen e euros nga viti 1989 e këtej, e di sesa i ka kushtuar Kancelarit Kohl heqja dorë nga dojçmarka, aq sa kërkoi garanci politike të forta, sidomos Francës. Megjithatë, dyshimi anglez ka gërmuar si një urith i vjetër për t’u shfaqur më pas përtej Atlantikut.
“Jo”-ja ndaj ndërhyrjeve në Lindje të Mesme dhe në Afrikën V eriore është dëshmia sesa larg ndjehet Berlini nga Mesdheu, shumë më tepër sesa Boni që, brenda ekuilibrit të terrorit gjatë viteve të Luftës së Ftohtë, e kuptonte se një ndryshim i ekuilibrave strategjikë në anën jugore do të ishte përcaktues edhe për Gjermaninë Perëndimore. Ajo që ndodh sot në Greqi apo në Itali, në Spanjë apo në Portugali vlen sidomos për efektet ndaj zonës euro, sikur stabiliteti i vetëm që ka vlerë vërtet të jetë ai monetar. Asnjëherë nuk është dëgjuar një diskutim lidhur me rëndësinë strategjike të Romës dhe të Athinës si bastione kundër synimeve ekspansioniste të islamizmit radikal, Kalifatit të ri apo “imperializmit mysliman”, siç e quan historiani Efraim Karsh, Shef i Studimeve Mesdhetare në King’s College të Oxford në një libër të mrekullueshëm të tij të vitit 2006, një tendencë që shkon nga “profeti luftarak” deri tek “lufta e shenjtë e bin Ladenit” e përtej. E gjitha kjo duket se rrëshqet si uji mbi pendët e patës mbi klasën drejtuese dhe mbi opinionin publik, të shqetësuar që të mos e trazojnë ekuilibrin e brishtë të arritur me komunitetin turk apo të mos eksitojnë minorancat ksenofobe që organizojnë marshime kundër emigrantëve në Drezden. Është e natyrshme që kriza në Ukrainë të jetë në majën e mendimeve gjermane, është një çështje gjeografike dhe politike bashkë. Por kjo nuk ndodh në brendësi të asaj që mund të jetë një ndarje e natyrshme e punëve midis fuqive perëndimore, përkundrazi duket gjithnjë e më shumë një ndarje, në mos tamam divorci i hipotezuar nga Kundnani.
Si për ta komplikuar më tej lojën vjen Greqia e Syrizas. Deri në shpërthimin e krizës së vitit 2008, politika gjermane është diferencuar nga ajo amerikane. Shtetet e Bashkuara vendosin të ndërhyjnë në mënyrë sistemike, fillimisht duke i shpëtuar bankat me një fond të financuar nga kontribuuesit. Gjermania e refuzon këtë qasje të sugjeruar nga Christine Lagarde, në atë kohë Ministre e Financave franceze. Dhe zgjedh opsionin rast pas rasti, vend për vend, që i mundëson sigurimin e bankave të veta me ndërhyrje publike masive (mbi 259 miliard euro). Kur 2 vjet më pas kërcen Greqia, duke vlerësuar se një default nuk u vjen për mbarë duke parë edhe sulmin e tregjeve ndaj euros, gjermanët propozojnë hua afatshkurtra dhe përqindje interesi të larta. Një zgjidhje katastrofike, aq sa në vitin 2012 Bashkimi Europian është detyruar që të shtyjë skadencat dhe të përgjysmojë interesat.
Qysh nga viti 2012, Administrata Obama dhe Presidenti personalisht kanë bërë presion për ta shpëtuar Greqinë mbi të cilët janë lëshuar synimet e një Vladimir Putini akoma triumfator për rolin e vet si furnizuesi me gaz i Europës. Në kujtimet e tij Timothy Geithner, Sekretari i atëhershëm i Thesarit, rrëfen se kanë qenë amerikanët ata që kanë thënë se Greqia nuk mund të lihej në mëshirën e fatit, pavarësisht gjithë asaj gjëje që kish kombinuar, dhe se kish refuzuar manovrat për ta rrëzuar Berlusconi në Itali në 2011. Shtetet e Bashkuara mbështesin Jorgo Papandreun deri në pikën sa ta bënin të propozonte një referendum lidhur me euron, gjë që i ka kushtuar postin. Gjermania ka përfituar për t’i akuzuar amerikanët, që nuk e kanë dashur monedhën unike kështu siç është ndërtuar, se donin të dobësonin jo vetëm euron, por të gjithë Bashkimin Europian, për të shpëtuar primatin e dollarit. Helme dhe dyshime reciproke prapa të cilave fshihen interesa kombëtare në kontrast me njëra tjetrën. Fitorja e Aleksis Ciprasit ka provokuar reagime shumë të ndryshme, në mos krejtësisht të kundërta në Gjermani dhe në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa Berlini i ka nxjerrë menjëherë duart përpara duke kërkuar që qeveria e re të respektojë impenjimet dhe sidomos të mos e braktisë rreptësinë financiare, komentet mbizotëruese në shtypin e madh amerikan ftojnë që të mos digjen urat: lidhur me borxhin një marrëveshje është e mundshme, bile e urueshme; zgjatja e afateve dhe reduktimi i kostos është deri e detyrueshme kur përqindjet e interesit janë zero dhe ekziston nevoja për të mbështetur rritjen.
Për sa i përket rreptësisë së bilancit, kjo nuk është prioritet respektivisht rigjallërimit ekonomik. Tezë krejtësisht e kundërt me atë që është në modë në Gjermani, sipas së cilës vetëm një detyrim i jashtëm i velfshëm mund ta shtrëngojë Greqinë që të reformohet.
Ian Bremmer, politolog i njohur amerikan dhe President i Eurasia Group, thekson se Cipras “shpërfill të gjithë rendin ekzistues europian” duke vënë në krizë hegjemoninë që Gjermania ka fituar. Por propozon që të lëvizet në mënyrë më kurajoze drejt një kompromisi, saktësisht atë që Berlini, duke imponuar kushte mjaft të ashpra, nuk e do.
Desmond Lachman i American Enterprise Institute, tempulli konservator amerikan, mban frymën, megjithatë e fton qeverinë e re greke që të bëjë një kthim në formë U- je respektivisht pozicioneve fillestare të saj dhe shpreson që gabimet e para të korrigjohen. Në revistën liberale “Foreign Policy”, Keith Johnson shpjegon se si dhe pse fituesi i vërtetë i zgjedhjeve greke është Putini, i cili po punon mbi kontradiktat e brendshme për ta përçarë akoma më shumë Bashkimin Europian. Paradoksi është se në për sa i përket Rusisë, pozicionet e Ciprasit duken të afërta me ato gjermane, edhe pse mund të kenë një shfryrje shumë më radikale. Ndërkohë, të enjten e kaluar, në daljen e tij të parë në Bruksel, Nikos Kocias, Ministri i ri i Jashtëm, ka votuar bashkë me të gjithë të tjerët për sanksionet ndaj Moskës, duke forcuar tezën e pëllumbave: edhe Cipras do të vetëdijësohet sapo ta kuptojë se “revolucioni nuk është një darkë gala”, siç thoshte Mao Ce Duni. Në përgjithësi, politika amerikane dhe vetë Administrata Obama kanë reaguar deri më tani në mënyrë të matur dhe problematike. Kuptohet se shumë kanë shpresuar se do të arrihej në një mësim ndaj përkrahësve të rreptësisë.
Dikush shpreson deri që Syriza është përdorur qëllimisht si një sinjal alarmi për ta shtyrë Berlinin që të ndryshojë pozicion. Por nga këtu për të shërbyer si yshtje për të shmangur rreptësinë financiare, duhet shumë punë. Gjithsesi, nëse dikush e ka bërë ka qenë ndonjë shtrigan i papërvojë, pasi suksesi i pastër i Ciprasit rrezikon që të shpërthejë forcat centrifuge që i çojnë gjermanët (opinionin publik më shumë akoma sesa qeverinë) në territore të paeksploruara.
Vërtet Gjermania është duke e prerë kordonin ombelikal me Perëndimin? Ndoshta figura retorike më e përshtatshme është ajo e një kavoje çeliku që nga njëra anë është e lidhur mirë dhe nga ana tjetër tregon shenja të qarta shpërbërjeje. Jo të gjitha fijet janë të shqyera. Dhe kushdo që do t’u kërkonte sot gjermanëve nëse duan ta presin deri në fund, do të merrte një “jo” pothuajse unanime. Megjithatë vendi, pushtetet e forta të tij, klasa politike e tij, ashtu si shtresat sociale që e shprehin, manifeston një siklet ekzistencial i lidhur drejtpërsëdrejti me një kërkim identitar. Çfarë është kjo Gjermani e re gjigant politik dhe jo më një xhuxh politik? Nuk qëndron ngushtë brenda një NATO-je të krijuar, siç thoshte motoja e vjetër, për ta mbajtur Rusinë jashtë, Amerikën brenda dhe Gjermaninë poshtë, kokulur? Ka akoma dëshirë ta ndajë monedhën e saj, domethënë interesat e veta ekonomike të thella, me vende që nuk i respektojnë, bile i shpërfillin dhe deri i përbuzin, rregullat e saj? Nuk janë as pyetje retorike, as vetëm të kufizuara në rrethet akademike. Janë në rend të ditës si midis antieurove, ashtu edhe në Kancelarinë e Berlinit. U takon gjermanëve që të përgjigjen, na takon ne që të mos i shtyjmë gjithnjë e më shumë drejt lindjes, atje ku donte t’i çonte Thomas Mann i “Konsideratave të një jopolitiku” në vitin 1918, kur hiqte një paralele midis Rusisë dhe Gjermanisë si antiteza ndaj botës perëndimore, atë të parimeve të 1789 dhe të demokracisë; atje ku i ka tërhequr tashmë iluzioni i një fati kombëtar të bërë katastrofik për të gjithë.
Përgatiti:
ARMIN TIRANA