Bota

Merkeli mund të mbijetojë, por jo identiteti i ri gjerman

mrk

Nga Hans Kundnani

“New Spectator”

Teksa Angela Merkel i afrohet përvjetorit të saj të dhjetë në pushtet, gjermanët janë duke folur për një Kanzlerinnendämmerung të mundshëm –  ‘muzgun e kancelares’. Ka një zemërim në rritje, për shkak të mënyrës sesi Merkel e ka trajtuar krizën e emigracionit. Gjermania, e cila është pajtuar vetëm kohët e fundit me idenë se është një “vend emigrantësh”, duhet tanimë të integrojë një numër të madh të azilkërkuesish, duke filluar me mbi një milionë njerëz që pritet të mbërrijnë deri në fund të këtij viti.

Në të njëjtën kohë, vendi është goditur nga dy skandale të mëdha korruptive, duke përfshirë Volksvagenin dhe Federatën Gjermane të Futbollit. Shanset janë që Merkel të mbijetojë – në këtë moment është e vështirë të gjesh dikë që mund ta zëvendësojë atë. Por sfidat e papar,a me të cilat ajo përballet aktualisht, kërcënojnë diçka më shumë themelore:identitetin e Gjermanisë së pasluftës.

Gjermanët duan të besojnë se kanë lëvizur tashmë përtej kombësisë, në kuptimin klasik; se ata kanë zhvilluar një identitet post-kombëtar të bazuar në “patriotizmin kushtetues”. Me fjalë të tjera, Gjermania ka zhvilluar një nacionalizëm qytetar (në krahasim me atë etnik), të bazuar në një kulturë politike liberale, dhe i mishëruar në ligjin themelor, Kushtetutën e Republikës Federale.

Ky identitet është formësuar në pjesën dërrmuese nga një sens i përgjegjësisë, dhe pendimi për të shkuarën naziste dhe Holokaustin. Si një avokat kryesor i idesë së “patriotizmit kushtetues”, filozofi Jurgen Habermas, dikur ka shkruar:”Në Gjermani vetëm pas Aushvicit – dhe në një kuptim, vetëm për shkak të tronditjes që shkaktoi ajo katastrofë morale – ndodhi që demokracia filloi të zërë rrënjë”. Kjo nënkuptonte se në Gjermani s’kishte asnjë kuptim asnjë identitet kombëtar, përveç atij të bazuar në mësimet e vitit 1945.

Në realitet, identiteti gjerman i pasluftës, është më kompleks sesa duket në pamje të parë. Për një kohë të gjatë, ‘post-nacionalizmi’ embrional, që u zhvillua në Republikën Federale nga vitet ‘60 e më tej, bashkë-ekzistoi në ankth me një ligj mjaft regresiv mbi shtetësisë, në bazë të parimit të ‘ius sanguinis’, ose ‘të shtetësisë nga gjaku’, i cili ishte miratuar që në vitin 1913.

Deri kur ligji u ndryshua nga qeveria e Gerhard Shrëderit në vitin 2000, Gjermania vazhdoi ta përcaktonte veten në aspektin etnik. Edhe emigrantët e turq të gjeneratës së dytë apo të tretë, ishin zyrtarisht ‘të huaj’. Vetëm në dekadën së fundit apo diçka më shumë, Gjermania u pajtua me idenë se është një shoqëri multi-etnike – ende shumë gjermanë janë të shqetësuar mbi këtë ide, siç tregohet nga shfaqja e papritur e lëvizjes anti-emigrante Pegida.

Gjermania është post-kombëtare, më shumë në teori sesa në praktikë. Për më tepër, që nga krijimi i Republikës Federale e më tej, krenaria për vendin e tyre që ndjenin shpesh shumë qytetarë, nuk vinte nga kushtetuta gjermane ose nga që kishin të bënin me të kaluarën naziste, por nga suksesi ekonomik.

Në librin e tij të vitit 2008 “Mbi Mitin Gjerman”, politologu Herfrid Mynkler shkruan se “mrekullia ekonomike” e pasluftës, simboli i Mercedesit kishte zëvendësuar Kryqin e Hekurt, si një simbol i krenarisë kombëtare gjermane.

Habermasi gjithashtu argumentoi, se në mungesë të burimeve alternative të identitetit kombëtar, në vend ishte zhvilluar një lloj nacionalizmi ekonomik. Gjithësesi, për të simboli i “besimit të ri tek një komb ekonomikisht i suksesshëm” nuk ishte automobili, por monedha e Republikës Federale – një fenomen që ai e quajti “nacionalizmi i markës gjermane’.

Habermasi e shkroi atë ese në vitin 1990. Por menjëherë pas kësaj, ajo që ai e pa si simbol i ri të identitetit të Gjermanisë, u shpërbë nga vendimi për të zëvendësuar markën me euron. Ndërkohë, për një dekadë me rradhë Gjermania, luftoi për të përballuar kostot e ribashkimit të lindjes me perëndimit. Por ekonomia gjermane u rimëkëmb, dhe u bë edhe më e varur nga eksportet:sipas Bankës Botërore, eksportet u rritën nga 29 pikë përqindje në raport me  PBB-së në vitin 1999, në 51 përqind në 2013-ën.

Shumë vetë, duke përfshirë edhe Merkelin, i referohen Gjermanisë si një ‘komb eksportesh’ – një term që tregon se eksportet janë qëndrore, jo vetëm për ekonominë gjermane, por edhe për vetë identitetin kombëtar.

Nëse Habermasi kishte të drejtë ta cilësonte markën në vitin 1990, si simbolin më të rëndësishëm të identitetit kombëtar gjerman, tanimë duket se është zëvendësuar nga eksportet – ajo që unë e kam quajtur ‘nacionalizmi i eksportit’. Ndërsa intelektualët identifikohen me idenë e një identiteti ‘post-kombëtar’ apo atë që është quajtur ndryshe edhe si ‘identiteti i Holokaustit’, gjermanët e zakonshëm në vend, krenohen me suksesin e jashtëzakonshëm ekonomik të Republikës Federale.

Tensioni ndërmjet këtyre dy versioneve të identitetit gjerman të pasluftës ,u shpreh më qartë në deklaratën që supozohet se ka bërë lideri bavarez Kristiandemokrat Franz Jozef Shtraus, se “një popull që ka arritur një sukses ekonomik si i yni, nuk ka të drejtë të dëgjojë ndonjë gjë më tepër mbi Aushvicin”.

Në këtë kuadër, problemet e Merkelit marrin një rëndësi të madhe. Kriza e emigracionit është qartësisht më e madhja e më e rëndësishmja. Kur shkalla e fluksit të azilkërkuesve në Gjermani u bë më shumë e dukshme në muajin shtator, Merkeli i tha publikut gjerman:”Ne mund të bëjmë atë!” Në fakt, ajo po vinte bast mbi identitetin post-kombëtar të Gjermanisë – në të cilin ligji gjerman relativisht liberal i azilit, bazuar në nenin 16 të Ligjit Themeltar, ka qenë gjithmonë qëndror.

Prej kohësh, Merkeli është perceptuar se po aplikon politikat populiste të socialdemokratëve apo të gjelbërve gjermanë, veçanërisht për çështjet sociale dhe ato mjedisore, si një mënyrë për të ‘pushtuar’ qendrës e politikës gjermane. Vendosmëria e saj e dukshme për të integruar një numër të madh azilkërkuesish në shoqërinë gjermane, krijoi mbështetës të rinj në krahun e majtë.

Gjithësesi, ndërsa përkrahësit e Merkelit, e shohin qasjen e saj ndaj krizës së emigracionit si të guximshme, kritikët – kryesisht në të djathtë – e cilësojnë atë të pamatur. Ka patur tashmë një reagim zemërak nga votuesit, gjë që ka gjasa të rritet. Që me fillimin e krizës, euroskeptikët dhe ksenofobët  e Alternativës për Gjermaninë, që u duk se u përça pasi themeluesi i saj, Bernd Lucke, e braktisi për të formuar një parti të re në korrik të këtij viti, ka qenë sërish në rritje në sondazhe. Ndërkohë thuajse çdo ditë janë rregjistruar sulme ndaj azilkërkuesve. Këto të dyja dëshmojnë, sesa e brishtë mbetet ndjenja e identitetit gjerman.

Kjo është edhe domethënia e skandalit të futbollit. Kupa e Botës 2006, ishte momenti kur në imagjinatën popullore, u krijua Gjermania e re multi-etnike. Por akuzat e fundit të Der Spiegelit se Federata Gjermane e Futbollit u ka dhënë ryshfet zyrtarëve të FIFA-s për të siguruar organizimin e Kupës së Botës, e kanë goditur rëndë atë moment. Ndërkohë, skandali i Volksvagenit, kërcënon identitetin e Gjermanisë si një komb  eksporti.

Skandali shpërtheu në një kohë kur zhvillime të tjera, si ngadalësimi ekonomik në Kinë, kishte nxjerrë në pah brishtësinë e modelit ekonomik gjerman, të ndërvarur nga esksportet. Pavarësisht nga seria e pikëpyetjeve, që rrethojnë ndjenjën e identitetit kombëtar të Gjermanisë, Merkel ka të ngjarë të mbijetojë për momentin. Pjesa më e madhe e kritikave kanë ardhur nga krahu i djathtë i partisë së saj, Kristian Demokratët, në vend të Socialdemokratëve, partnerët e saj në koalicion.

Por duket e vështirë të imagjinohet se sfidanti më bindës i saj, ministri 73-vjeçar i Financave Volfgang Shojble, ta rrëzojë atë nga froni. Merkel me siguri do të bëjë lëshime të mëtejshme ndaj kritikëve të saj të krahut të djathtë, dhe do të ecë përpara. Megjithatë, konsensusi i jashtëzakonshëm që u përqendrua mbi Merkelin, që ka dominuar politikën gjermane gjatë dekadës së fundit, duket tanimë të jetë në zhdukje e sipër.

Ai konsensus, rreth një sinteze të politikave ekonomike të qendrës së djathtë dhe politikave sociale e mjedisore të qendrës së majtë, ishte i bazuar tek ideja e Gjermanisë si një vend emigrantësh, por edhe një kombi eksporti. Teksa sfidat me të cilat përballet tani Merkeli, kanë vendosur nën një presion në rritje këtë ndjenjë identiteti, politika gjermane mund të jetë gati për t’u bërë më e kontestuar dhe e paparashikueshme, edhe pse kjo mund të mos jetë diçka e keqe për Evropën. Kur epokës së Merkelit t’i vijë fundi, nuk është aspak e qartë se çfarë lloj vendi do të lërë ajo pas.

  • Shënim: Hans Kundnani është studiues në “German Marshall Fund”, dhe autor i librit “Paradoksit i fuqisë gjermane”.

Leave a Reply

Back to top button