Mark Mardell
“Vetëm lidhuni” – (Just connect!). Kur EM Forster na bëri thirrje që “të mos jetojmë më në fragmente”, kjo ishte një shpresë për të ardhmen, dhe jo një mallkim.
Por, ky nuk është një epitaf i keq, për një vit kur globalizimi “kafshoi” mbrapsht dhe lajmet më të mëdhaja binin mbi njëra tjetrën, duke u rritur kështu si një kristal malinj.
Migrim dhe terror. Kufij dhe bomba.
Lufta civile në Siri është kazani ku zien gjithçka, baza e re e fuqisë së xhihadistëve, të cilët lulëzojnë në mesin e kaosit, teksa një qeveri brutale kapet fort pas pushtetit. Numri i atyre që ikin është rritur shumë. Nuk është çudi. Shumë sirianë mendojnë se kudo tjetër do të jenë më mirë, por Europa është toka e premtuar.
Edhe në një kohë kur europianët vënë në dyshim kontinentin e tyre, ai është kryesisht pa luftëra mes shteteve që e përbëjnë, e si pasojë, plot me “qumësht dhe mjaltë”.
Së dyti, Siria ka qenë një vend ideal për evolucionin më të fundit të radikalizmit xhihadist, më brutal, më i përshtatur territorialisht se sa paraardhësit.
Armiku i vjetër, al Kaeda, të duket pothuaj i mirë po ta krahasosh, të paktën në imagjinatën popullore.
Boko Haram mund të ketë vrarë më shumë njerëz, por është i ashtuquajturi Shteti Islamik që u fanepset politikanëve perëndimorë, ashtu si i ashtuquajturi Lordi i Errët tek “Harry potter”, i cili që nga emri është kaq i fuqishëm, saqë as nuk duhet të belbëzohet.
Ajo fuqi mund të burojë nga fakti që disa prej luftëtarëve të tij më entuziastë vijnë nga vende europiane, sidomos nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, të shtyrë për të vrarë, siç thonë vetë, prej një besimi se Perëndimi është në luftë me Islamin, ose të paktën me markën e trye të Islamit.
Ajo që ndodh në Siri ndez zemërimin dhe imaginatën e atyre që janë të prirur të urrejnë shtëpinë e tyre europiane. Aspirata territoriale e Shtetit Islamik, nënkupton që sundimtarët e kalifatit të vetëshpallur mirëpresin këtë migrim në drejtim të kundërt.
Europa po tronditet
Por pikërisht pamja dhe telashet e refugjatëve që dynden nga Siria, kanë shkaktuar një impakt kaq të fortë politik. Ata rrezikojnë vdekjen në Mesdhe, duke u përpjekur në mënyrë kaotike nëpër kontinentin europian, duke vënë në dyshim vetë idenë e Bashkimit Europian.
BE sapo ishte duke marrë veten prej tronditjes sizmike të krizës greke, dhe pothuaj vdekjes së euros, një prej simboleve më të çmuar të unitetit europian.
Tani, shtetet që dikur shembnin me gëzim mure, janë duke ngritur tela me gjemba. Vende që krenoheshin me simbolizmit të bashkimit me një bllok, ku pasaportat ishin bërë po aq të pazakonta sa dhe kuajt me karroca, tani kanë nisur të flasin për kufij të rinj.
Eshtë një tjetër goditje, ndaj një tjetër shprehje të çmuar të bashkësisë europiane. BE po tronditet. Kur të bjerë në gjunjë, ajo mund të mos ngrihet më lehtësisht në këmbë.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, shpallet Njeriu i Vitit nga revista “Time” – por bujaria e saj ndaj refugjatëve, ka bërë që shumë prej votuesve të saj të vënë në dyshim mençurinë e saj, ndërkohë që admiron motivet.
Eshtë arritje jo e vogël të kesh një ovacion nëntë minutësh në një konferencë partie, që donte të zhbënte politikën e saj, por do të ishte kokëkrisje të mendoje se kriza ka mbaruar, për të apo për Gjermaninë.
Kriza e imigrantëve ka një rol të drejpërdrejtë në votimin në Mbretërinë e Bashkuar, për anëtarësimin në BE.
Ne jemi një ishull, dhe Kryeministri David Cameron do të preferonte më mirë që bënte qejfin e votuesve dhe të mbante refugjatët jashtë, se sa të shpallej njeriu i vitit nga Time.
Por ata që duan Mbretërinë e Bashkuar të qëndrojë në BE, janë të alarmuar se fokusimi i vazhdueshëm tek “dallgët” e njerëzve që lëvizin nëpër Europë, nuk do t’i ndihmojë që të fitojnë.
Luftërat dhe pasojat e tyre
Goditja tjetër ndaj vetëbesimit europian erdhi nga Lindja dhe Rusia. Presidenti Vladimir Putin ishte bërë më i guximshëm, për shkak të një konfrontimi kryesisht të suksesshëm për të, mbi Ukrainën. Aq shumë, saqë ai mori vendimin e guximshëm që të ndërhyjë jashtë kufijve të Bashkimit Sovjetik të dikurshëm, për herë të parë që nga rënia e asaj superfuqie.
Bombardimi prej tij i Sirisë, ndoshta jo si ata të aleatëve të Britanisë dhe SHBA, e ka ndryshuar vërtetë dinamikën. Mundësia e rënies së presidentit Asad dhe triumfit të atyre pak të moderuarve sirianë që ushqejnë iluzione, duket edhe më e largët.
Sigurisht, shumë luftëra krijojnë valë përtej kufijve të tyre, që mbërrijnë deri shumë larg. Por kjo është e re, dhe bota ka ndryshuar. Ajo është tkurrur sa nga mediat sociale, ashtu edhe nga “globalizimi”. Kur ti mundesh të dërgosh në çast një fotografi nga Athina apo kampet e refugjatëve në Berlin, në drejtim të vendit tënd, joshja për ata që kanë mbetur pas do të jetë më e fortë. Udhëtimi, sado i vështirë, sado fatal, bëhet i rrokshëm prej imagjinatës.
Pak minuta pas një sulmi vrastar, ne kontrollojmë Tuiterin për të parë se çfarë po thuhet në lidhje me të në Siri. Koha për të menduar, për të reflektuar, për të reaguar është tkurrur nga disa javë, në disa orë. Vrasësit e frymëzuar nga Siria sulmuan Parisin, dhe brenda dy javësh e gjysmë, deputetët në Londër miratuan që të shtrijnë aksionet ushtarake nga Iraku, edhe në Siri.
Ambicie të dështuara
Nuk është vetëm teknologjia që i lidh këto probleme.
Ajo ofron një masë për vetë dështimin e saj. Për muaj të tërë, politikanët dukeshin të shastisur, duke mos bërë asgjë përballë masave që vërshonin drejt Europës.
Janë dashur muaj të tërë për të bërë disa hapa të vegjël, drejt një politike koherente qoftë edhe gjysmake – ndërkohë që implementimi i saj duket si ëndërr e largët. Kjo gjë do të turpëronte një shtet-komb, lëre më një super shtet.
Dhe nxjerr në pah faktin se BE as nuk është, dhe as nuk di me siguri se çfarë do që të jetë.
Ajo po thyhet nën peshën jo thjeshtë të ambicieve të veta, por edhe dështimit të saj për t’i përmbushur ato ambicie.
Siria: Një objektiv, disa këndvështrime
Ne po hyjmë gjithashtu në një epokë të re imponimi prej shteteve, teksa vargonjtë e fundit të letargjisë së Luftës së Ftohtë po zhduken tutje.
Siria nxjerr në pah dallimet. Shteti Islamik është, sigurisht, armiku i betuar dhe i shpallur i çdo shteti. Por një rrezik global i përbashkët nuk i ka heshtur interesat kombëtare.
Të gjithë shtetet i shtojnë nga një kusht që “vret” kompromisin, luftës së tyre ndaj terrorit:
– Për SHBA dhe koalicionin europian, armiku është Shteti Islamik plus presidentin Assad.
– Për Turqinë, është ISIS plus kurdët.
– Për Arabinë Saudite, është ISIS plus Iranin.
– Për Rusinë dhe Iranin, është ISIS plus kushdo tjetër që lufton Asadin.
Frika nga ISIS dhe dëshira për ta mposhtur atë është e përbashkët dhe reale. Por qëllimi çapitet për shkak të pikëpamjeve të ndryshme të botës, të cilat vijnë e përplasen mes tyre.
Shumica e politikanëve britanikë, francezë dhe amerikanë do të mohonin që besojnë se kanë të drejtën morale të riformësojnë rajonin, por megjithëkëtë duan që sunditari aktual dhe kundërshtarët e tij më të efektshëm, që të zhduken.
Eksportimi i një revolucioni?
Disa mendojnë se debati në lidhje me mencurinë e këtij entuziasmi për forcën mbahet me kujdes larg prej rrjedhës së përgjithshme – konsiderohet sikur është njësoj si të thërrasësh “hitler” në një sallë të mbushur plot, për të argumentuar se terrorizmi xhihadist është një reagim ndaj politikës së jashtme të Perëndimit atje. Pikëpamja e Presidentit Putin është një kundërvënie e qartë, e përsëritur shpesh dhe zakonisht, e injoruar krejtësisht nga SHBA dhe Europa. Ai argumenton se në Ukrainë dhe Siri, Perëndimi është përpjekur të eksportojë një revolucion, dhe të imponojë një sistem politik.
Ai nuk e pranon se revolucionarët nuk janë asgjë më shumë se një mjet i dobishëm për perëndimin. Fakti që në shënjestër të tyre janë sundimtarët kleptokratë të pothuaj- demokracive nuk i shpëton syrit të tij prej gjahtari.
Arabia Saudite dhe Irani, si luani dhe njëbrirëshi, zhvillojnë betejën e tyre përmes të tretëve lartë e poshtë Lindjes së Mesme, një zgjatim i një përplasje disa shekullore fetare, politike dhe kulturore. Asnjë prej dy shteteve nuk është një partner i lumtur, në një luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm fanatik.
Kredoja e E.M. Foster është e mençur, nëse politikanët dhe politikat e tyre lidhen, por për momentin, duket se të vetmit që lidhen mes tyre janë problemet./BBC – Në shqip nga: Bota.al