Motivuese

Mirësia dhe mirësjellja do të kthehen në modë. Dhe do jetë shumë bukur!

Në jetën e sotme shumë njerëz ndiejnë nevojën për t’u kapardisur si të sigurtë, duke ngatërruar agresionin dhe forcën, veçanërisht për shkak të një modeli të imponuar nga media, që pasqyron atë gjë që ka propozuar shoqëria, sipas të cilës, fiton ai që bërtet më shumë, ai që është më i vendosur dhe agresiv.

Megjithëse sigurisht që nuk është e gabuar të dini se çfarë doni dhe të jeni të vendosur, të kesh një qëndrim të sjellshëm dhe dashamirës ndaj të tjerëve nuk është në kundërshtim me këtë qëndrim, përkundrazi, përfaqëson një vlerë të shtuar.

Për fat të keq, gjithnjë e më shpesh, në jetën tonë të mbushur me stres dhe konkurrencë, mirësia, e kuptuar si dashamirësi dhe bujari, por edhe sjellje e mirë, duket se konsiderohet si gjë që duhet shmangur, si simbol i dobësisë. Njerëzit që konsiderohen të suksesshëm, shpesh e shohin veten shumë lart dhe shumë të rëndësishëm, për të treguar respekt dhe ndjeshmëri, ndërkohë që këto cilësi janë thelbësore në marrëdhëniet njerëzore.

Pikësëpari është e nevojshme të kuptohet, se çfarë është në të vërtetë mirësia.

Eshtë një cilësi e konsideruar shumë e rëndësishme që nga kohërat e lashta, madje edhe filozofi dhe perandori Marcus Aurelius e përcaktonte atë si “gëzimin e njerëzimit”, sepse përmirëson gjendjen shpirtërore, tonën dhe atë të të tjerëve dhe ëmbëlson jetën, në kundërshtim nga paturpësia dhe arroganca.

Ka dy fytyra të mirësisë që plotësojnë njëra-tjetrën, e para është edukimi i mirë, etiketa në komunikim, ndërsa e dyta është më e thellë dhe një tregues i mirësisë, përmes të qënit mikpritës, bujarë dhe vetëmohues.

Kjo cilësi, para së gjithash ndihmon në përmirësimin e punës së ekipit dhe vlerësohet shumë në intervistat, shpesh burimet njerëzore preferojnë kandidatët me nivele të larta kënaqësie dhe është gjithashtu themelore veçanërisht, kur personi është udhëheqës i një grupi.

Respektimi i kolegëve, trajtimi i tyre me barazi, mirësjellje dhe konsideratë, në fakt, lejon rezultate më të mira, sepse anëtarët e ekipit kryejnë detyrat e tyre më mirë dhe janë më të motivuar, por në këtë mënyrë ka gjithashtu një përfshirje më të madhe të të gjithë grupit, i cili punon gjithnjë e më shumë.

Për më tepër, mënyra jonë e qëndrimit, është një pasqyrë e asaj që jemi ose dëshirojmë të jemi, kështu që dinjiteti, pozitiviteti dhe respekti për të tjerët do të jetë gjithmonë kartëvizita jonë më e mirë.

Sigurisht, në këtë drejtim, gratë kanë një marsh më shumë, pasi ato janë të predispozuara natyrshëm ndaj ndjeshmërisë dhe pranimit të tjetrit.

Shpeshherë, që të konsiderohen njësoj nga kolegët meshkuj, ato bëhen edhe më agresive dhe konkurruese, ndërkohë që, duke u fokusuar në ndjeshmërinë dhe solidaritetin femëror, më shumë rezultate arrihen në afat të gjatë.

Gjeste të vogla të dashurisë, janë një strategji fituese edhe në jetën private, sepse ndihmojnë në zgjidhjen e konflikteve dhe vendosin ndjeshmërinë me njerëzit para nesh.

Në marrëdhëniet njerëzore, çfarëdo që të jenë, nga ato mes bashkëpronarëve, deri tek ato të njerëzve që ndajnë një hapësirë në transportin publik, ne kemi nevojë për dashamirësinë, ashtu si për një antibiotik.

Edhe në këtë rast gratë në përgjithësi janë më të prirura të kujdesen për njëra-tjetrën, por nuk duhet harruar se marrja e vëmendjes është gjithashtu themelore në jetën e një çifti dhe është shprehja më e lartë e dashurisë.

Mirësjellja mund të praktikohet duke filluar nga gjeste të vogla të përditshme, siç janë kujdesi për të falënderuar gjithmonë dhe për t’u përgjigjur me “ju lutem”, duke  uruar një ditë të mirë ose për të ndihmuar dikë që shohim në vështirësi, deri në pikën e ndalimit për të dëgjuar me të vërtetë nevojat e njerëzve që janë mbyllur në vetvete.

Ne gjithashtu duhet të zgjedhim me kujdes njerëzit që janë pranë nesh, duke preferuar në marrëdhënie një burrë të sjellshëm dhe të respektueshëm, që ndan këto vlera me ne.

Secili prej nesh mund të japë kontributin e vet të vogël në kthimin e mirësisë, respektit për të tjerët dhe dinjitetit. Në këtë kuptim, është e domosdoshme, duke qenë prindër, t’u mësojmë fëmijëve të jenë të mirë dhe të respektueshëm, kjo gjithashtu do t’i bëjë ata të rritur më të mirë. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button