Siç e dinë mirë brezat e shumta të nxënësve, vepra letrare përgjegjëse për katapultimin e historisë së Luftës së Trojës në imagjinatën kolektive të botës, është “Iliada”. Kjo poemë epike greke është një nga më të famshmet në të gjithë historinë, por origjina e saj është e mbuluar me mister.
Në qendër të gjëzës qëndron poeti të cilit i është atribuar tradicionalisht libri: Homeri. Ishte i verbër? A ishte Iliada produkt i imagjinatës së tij, apo ai po regjistronte një histori të vjetër, që ishte përcjellë gojarisht nëpër shekuj? A mos nuk kishte vetëm një Homer, por disa, që e shkruajtën legjendën në bashkëpunim?
Nuk do ta dimë kurrë. Por mund të jemi mjaft të sigurt, se Iliada nuk u shkrua në kohën e ngjarjeve që ajo përshkruan (në epokën e vonë të bronzit), por diku midis 750 dhe 650 para Krishtit. Strukturat shoqërore feudale që përshkruan Homeri mbajnë të gjitha shenjat dalluese të asaj periudhe, ndërsa disa nga armët që përdorin heronjtë e tij, nuk kishin ardhur në Greqi deri në fundin e Epokës së Bronzit.
Pavarësisht gjithë pasigurisë që rrethon Iliadën, nuk ka asnjë dyshim për ndikimin e saj të madh në letërsinë perëndimore – dhe, më konkretisht, atë britanike. Nga shekulli i 12-të, poema kishte depërtuar në kulturën britanike në një masë të tillë që, në historinë e tij të mbretërve të Britanisë, Geoffrey i Monmouthit shkruante se ishulli u themelua nga Bruti, pasardhës i heroit të Trojës, Eneas. Një vlerësim edhe më i madh erdhi kur, shkrimtari ndoshta më i madh i të gjithëve, Uilliam Shakespeare, krijoi veprën e tij “Troilus dhe Cressida”, përreth një historie tragjike dashurie, me në sfond Luftën e Trojës. / bota.al