Krahasuar me hapësirat e mëdha të kontinenteve të Afrikës dhe Azisë, Europa është relativisht e vogël; megjithëkëtë, ajo ka një histori kulturore të gjatë. Pjesë e trashëgimisë është edhe trupi i miteve dhe mijëra legjendave, të ndara në një sërë traditash të shumëllojshme në të gjithë kontinentin. Këto variojnë, nga historitë e rrëfyera prej sllavëve të Europës lindore, tek mitet për veriorët e Europës Perëndimore, dhe nga panteoni kompleks i Greqisë dhe ROmës së lashtë, deri tek historitë kalorësiake të Mesjetës. Shumica e këtyre traditave janë bërë të mirënjohura përreth botës, për shkak të historisë së gjatë të kulturës së shkruar në Europë.
Por mitet dhe legjendat e Europës, ashtu si ato të gjithë pjesëve të tjera të botës, e kanë origjinën shumë përpara shpikjes së fjalës së shkruar. Disa prova të këtyre traditave prehistorike kanë mbijetuar, por ajo që ka mbetur është minimale. Romakët, për shembull, shkruanin për disa prej perëndive dhe perëndeshave të keltëve, territoret e të cilëve i pushtuan, por përshkrimet që ata i bënin perëndive kelte janë të mangëta. Edhe kur bëhen bashkë me zbulimet arkeologjike të mbishkrimeve, statujave, altarëve, stolive dhe sendeve të tjera, ato krijojnë vetëm një panoramë të pjesshme.
Aspekte të tjera të mitologjisë Europiane kanë ardhur deri tek ne përmes historive popullore nga traditat gojore – histori që nuk janë regjistruar nga shkruesit dhe folkloristët deri shumë kohë më vonë. Shumë prej zotave dhe historive nga Europa Qendrore dhe Lindore kanë mbijetuar në këtë mënyrë, dhe janë risjellë në jetë kur kanë frymëzuar shkrimtarë, piktorë dhe kompozitorë, që i kanë riimagjinuar në vepra të reja. Histori nga mitologjia ruse, për shembull, kanë sjellë piktura nga ilustrues dhe artistë të mirënjohur si Ivan Bilibini, dhe në muzikë, nga kompozitorë të famshëm si Çaikovski dhe Stravinski.
Megjithatë, legjendat më të njohura europiane kanë ardhur deri tek ne përmes letërsisë. Mite me origjinë në Greqinë e lashtë – perënditë e Olimpit, heronjtë dhe shumë qenie gjysmëhyjnore – patën jetë të gjatë prej poetëve dhe dramaturgëve grekë. Të mrekullueshme si ishin, historitë e perëndive si Zeusi dhe Apolloni, dhe heronjve si Herakliu apo Perseu fituan përjetësi sepse u bënë temë e veprave të shkrimtarëve grekë si Homeri, Hesiodi, Eskili, Euripidi etj. Kur romakët adoptuan perënditë e grekëve, një brez i rishkrimtarësh, si Ovidi dhe Virgjili i zhvilluan edhe më tej këto histori. Një tjetër shembuj i një kulture të pasur letrare që përqafon mitologjinë dhe që i kish rrënjët në një periudhë shumë më të hershme, gjendet në veprën e poetëve dhe shkrimtarëve të Mesjetës, që rrëfyen sërish historitë e Mbretit Artur dhe kalorësve të tij, si dhe rrëfime të tjera kalorësiake.
Rrëfimet letrare të miteve europiane na kujtojnë sofistikimin e shoqërive që i prodhuan, nga Greqia e lashtë deri tek Kristianizmi në mesjetë. Megjithatë, ky sofistikim është vetëm njëra anë e legjendave, sepse bota e mitologjisë europiane nuk është aspak e sofistikuar. Beteja jashtëzakonshmërisht të përgjakshme, trupa të shqyer, perëndi që sillen krejt shpërfillëse ndaj moralitetit – të gjithë këto janë tipare të zakonshme të miteve greke e romake. Dhe shtrigat, ogrët, ujqit, dhe qenie të tjera të errëta që janë të pranishme në shumë prej historive të Europës qendrore mund të jenë po kaq të dhunshme e të frikshme. Kështu që, pavarësisht gjithë kësaj epoke të lartë sofistikimi, mitologjia e Europës mbetet po aq e mjegullt dhe me dy anë të medaljes, sa ka qenë gjithmonë.
Bota.al fillon nga sot botimin e disa prej miteve dhe legjendave më të mirënjohura nga e gjithë bota. / www.bota.al