Mite e Legjenda

MITE & LEGJENDA / Lufta kozmike

screen-shot-2016-11-12-at-17-47-00

Perënditë e Malit Olimp, që janë personazhet dominuese në pjesën më të madhe të legjendave të Greqisë së lashtë, morën kontrollin e Universit, duke luftuar një luftë të gjatë me paraardhësit dhe rivalët e tyre, Titanët. Historia e kësaj Lufte Kozmike, që njihet edhe si Titanomakia, përfshin shumë tema – si orakujt, fëmijët e humbur, dhe hakmarrjen – që janë të pranishme në mite të mëvonshme. Në fund të luftës, Zeusi doli si sundimtari më i lartë i të gjithë kozmosit, dhe Titanët e mposhtur u dëbuan në Botën e nëndheshme.

Miti

Një orakull i kish thënë Titanit Kronos se një prej fëmijëve të tij do ta vriste. Si rezultat, sa herë që e shoqja e tij, Rea, lindte një fëmijë, Kronosi e gëlltiste. Pasi Kronosi kishte gëlltitur pesë fëmijë, Rea hartoi një plan. Kur lindi fëmija i ardhshëm, Zeusi, ajo e dërgoi në Kretë, atje ku Amaltea, një nimfë-dhi miqësore, e rriti vogëlushin. Ndërkohë, Rea mbështolli një gur me tesha dhe ia dha Kronosit ta gëlltiste.

Rikthimi i Zeusit

Pasi u rrit, një ditë Amaltea i zbuloi Zeusit identitetin e tij të vërtetë, dhe i tregoi se si Kronosi kish gëlltitur gjithë vëllezërit e motrat e tij. Zeusi i zemëruar më pas vendosi të hakmerrej ndaj babait të tij për këtë krim. Kur ia tregoi qëllimin e tij Titanes Metis, ajo i tha se kishte ende mundësi të shpëtonte vëllezërit e motrat. Ajo i dha një ilaç që, kur ta pinte Kronosi, do e bënte të villte dhe të nxirrte kështu gjithë fëmijët e tij. Zeusi ndoqi udhëzimet e Metisit dhe i shpëtoi vëllezërit e motrat – perënditë Poseidon dhe Had, si dhe perëndeshën Hera, Hestia dhe Demetra. Më pas Zeusi liroi Ciklopët, gjigandët me një sy që Urani i kishte dëbuar në botën e nëndheshme. Perënditë dhe ciklopët e udhëhequr nga Zeusi, i shpallën luftë Kronosit.

Dy palët ishin pothuaj të barabarta dhe konflikti dukej se do të zgjaste përgjithmonë. Por ciklopët ishin mjeshtëra të përpunimit të metalit dhe ata krijuan disa lloje armësh magjike, duke përfshirë një rrufehedhës për Zeusin, një tredhëmbësh për Poseidonin dhe një helmetë për Hadin, që e bënte atë që e mbante, të padukshëm. Kjo gjë u dha zotave avantazh në konflikt. Në fund të luftës, zotat kontrollinin kozmosin dhe Titanët u burgosën në Tartar, një rajon në botën e nëndheshme plot me përbindësha të frikshëm dhe që ruhej prej gjigandëve me njëqind koka.

Beteja të tjera

Gaia, e zemëruar se fëmijët e saj ishin dërguar në Tartar, nisi një tjetër luftë kundër zotave, duke sjellë gjigandët, që ishin edhe fëmijë të saj, në betejë kundër Zeusit dhe perëndive e perëndeshave të tjera. Zotat ishin më në fund fitimtarë në betejën e njohur si Gjigandomakia, dhe gjigandët u groposën poshtë vullkaneve. Por edhe atëherë, sundimi i tyre nuk qe i sigurtë. Zeusi u sfidua për herë të fundit nga Tifoni, një tjetër fëmijë i Gaias. Ndonëse Zeusi e plagosu Tifonin – një krijesë shumë e madhe me shumë koka dhe këmbë e duar të panumërta – me rrufehedhësen e tij, përbindëshi vazhdoi të hedhë shkëmbinj pa fund në drejtim të Zeusit. Ky i fundit u kundërpërgjigj duke i goditur shkëmbinjtë me rrufe, dhe kështu ata ktheheshin mbrapsht tek Tifoni, duke ia hequr atij forcën. Në fund, Zeusi e dërgoi edhe atë në Tartar. Më në fund ishte siguruar sundimi i tij mbi Kozmosin. / www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button