Nga Athina në Berlin dhe Uashington, ka diçka mbi të cilin shumë vetë bien dakord mbi Greqinë:problemi kryesor i vendit është ekzistenca e një shteti të fryrë, të mbipaguar dhe të korruptuar, i cili e ka mbytur sektorin privat.
Diagnoza është vetëm përgjysmë e saktë. Problemi rrënjësor në Greqi, është përqendrimi i pushtetit në sektorin privat dhe interesat vetjake, si dhe pabarazia shoqërore që sjellin ato.
Këto kushte kanë penguar rritjen e tregut, krijimin e atij lloji të shërbimit civil, që formon shtyllën kurrizore të të gjitha vendeve të zhvilluara, dhe drejtësisë sociale që mundëson stabilitetin politik.
Shteti i sëmurë grek, ka nga një simptomë të të gjitha këtyre problemeve, edhe pse vetëm një prej tyre e vetme i bën pasojat më të këqija. Siç pranohet nga shumë grekë liberale dhe të huajt, një grup oligarkësh mban pushtetin në mënyrë disproporcionale, duke pasur parasysh madhësinë e vogël të vendit (rreth 11 milionë banorë).
Rreth 4 familje sipërmarrësish kontrollojnë mediat greke, dhe ata marrin ende kredi masive për kompanitë e tyre që janë me humbje. Korporatat përdorin lidhjet politike, për të kanalizuar fonde tek kompantë e tyre edhe llogaritë personale.
Pr shembull, Banka Bujqësore e Greqisë, është në mesin e një procesi gjyqësor, për shkak të një shume prej 5 miliardë eurosh kredish të paligjshme. Kjo klimë lehtësoi bumin e kredive në vitet 2000, dhe bashkë me të metat që tani e kanë ngarkuar ekonominë me 164 miliardë euro kredi të këqija private.
Këto modele janë zbatuar për një kohë të gjatë, dhe për dekada të tëra, Greqia ka pasur nivelin e dytë më të lartë të pabarazisë në Evropën Perëndimore (pas Portugalisë) -dhe kjo duke llogaritur vetëm të ardhurat e deklaruara zyrtarisht. Evazioni fiskal është i shfrenuar. Ekonomia informale e Greqisë, vlerësohet të jetë e barabartë me 30 për qind të PBB-së së vendit, dhe ndoshta është edhe më e lartë se kaq.
Të vetëpunësuarit, janë shmangësit më të mëdha të tatimeve. Sipas një llogaritjeje, profesionistët kanë dështuar që të deklarojnë plot 28 miliardë euro. Pasuria tradicionalisht është përdorur më shumë për konsum, sesa investime.
Për më tepër, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë 86 përqind të punësimit (një nga normat më të larta në Evropë), dhe shumë prej tyre në sektorët e shitjes me pakicë, prodhimit, dhe turizmit. Por, menaxhimi dhe aftësitë profesionale lënë shumë për të dëshiruar, edhe pse përjashtimet e ndryshme, përbejne një kujtuese të vazhdueshme të potencialit që ka vendi.
Problemet janë përkeqësuar nga strukturat e bizneseve me bazë familjare, dhe zakoni i të trajtuarit të punësonjësve si vartës. Pjesëmarrja në tregun e punës në Greqi arrin në 53 përqind; madje dhe Irlanda e Portugalia e kanë rreth 60 përqind. Shumica e grekëve, janë të bindur se problemet janë për faj të shtetit dhe të politikanëve të korruptuar.
Por parlamenti është një mikrokozmos në shoqërinë greke. Edhe politikanët që duan ndryshimin, përballen me murin e interesave vetjake. Një shtet i korruptueshëm dhe i diskredituar ka qenë i dobishëm për gjithësecilin, që ishte i gatshëm të thyente rregullat – oligarkët s’mund të pretendojnë se qenë të “detyruar” të shmangnin pagimin e taksave; kjo ishte një zgjedhje e tyre.
Korrupsioni dhe mungesa e meritokracisë në shtet, shkon dorë për dore me përqendrimin e pasurisë dhe pushtetit në pak njerëz, çka shtrin korrupsionin në rangjet e poshtme. Këto interesa të përqendruara, si kudo e kanë kufizuar tregun në Greqi, duke sjellje kësisoj mundësi me të kufizuara për punë.
Një treg i kufizuar, kontribon në dy tipare kryesore të shoqërisë greke. Së pari, grekët me aftësi modeste apo me një histori të përjashtimit social, kthyen sytë nga shteti për punësim, veçanërisht që nga vitet ’80. Dhe shteti u detyrua të përdorë punësimin, si një zëvendësim të pagesës së mirëqenies sociale.
Ky proces, u shndërrua lehtësisht në një sistem patronazhi dhe blerje votash. Politikanët shpërndanin vende pune në qeveri, pavarësisht nëse përfituesit ishin të kualifikuar apo jo. Rezultati është se korrupsioni dhe joefikasiteti në sektorin publik, bllokuan përpjekjet për reforma (dhe gjithçka filloi pikërisht në fillim të viteve ‘90).
Në të njëjtën kohë, grekët e ripërtëritën “frymën e tyre sipërmarrëse”, dhe shumë vetë hapën bizneset e tyre;të tjerët u bënë profesionistë. Por këto janë zakonisht vetëpunësime: grekët gjerësisht e pranojnë se askush nuk pëlqen të punojë për të tjerët. Një e treta e popullsisë, është e vetë-punësuar (raporti më i lartë deri tani në Evropë), me linjat e biznesit që janë shpesh shumë joefikase, dhe të prirur për evazion fiskal.
Këto dy kushte, prodhuan një përzierje toksike. Pronarët e bizneseve të vogla dhe të vetëpunësuarit, luftuan për të mbijetuar. Çdo ditë, ata duhet të merreshin me shërbimet qeveritare, që ishin të rrënuara nga nepotizmi dhe mungesa e efikasitetit. Dhe frustrimi u shndërrua gradualisht në një urrejtje virulente ndaj punonjësve të sektorit publik, dhe iu bashkua një ideologjie të çjerrë anti-etatiste.
Kjo e fundit e bën ndërkaq të lehtë shmangien e reformave të veshtira. Ndjesi të tilla, vetëm sa i përkeqësuan problemet, duke duke krijuar dy ide të gabuara për shtetin dhe që pengojnë progresin.
A është shteti grek i fryrë dhe i mbipaguar?
Keqkuptimi kryesor, është që ai sipas të cilit shteti grek është “shumë i madh”. Me fjalë të tjera kjo do të thotë se ai ose shpenzon shumë, ose punëson shumë, ose të dyja së bashku. Këto probleme e rrënuan Greqinë në vitet ‘80, por nuk po e bëjnë këtë sot. Duke këmbëngulur vetëm tek kjo dukuri, ne vetëm sa përkeqësojmë situatën.
Përkundër të gjitha akuzave, shpenzimet publike të Greqisë ishin nën mesataren e BE-së gjatë viteve 2000, duke e kaluar mbi mesataren vetëm pak vjet. Rënia e mprehtë e PBB-së greke pas vitit 2008, natyrisht që e rriti normën. Por sot, kjo shifër është 49.3 për qind të PBB-së, ose afërsisht sa mesatarja e eurozonës.
Disa paga, sidomos në korporatat publike, ishin vërtet skandaloze. Pensionet përbënin gjithashtu një shpenzim te madh, më shumë për shkak të demografisë dhe pensionimit të hershëm, sesa shpenzimeve sistematike bujare. Shëndetësia është një barrë e madhe. Por shifrat tregojnë se problemi nuk është shteti “i madh”.
Përkundrazi, është nepotizmi dhe korrupsioni i rregullt, që krijojnë pabarazi në shpërndarje dhe mungesë të efikasitetit ekonomik. Për më tepër, të ardhurat në vend greke nuk ecën kurrë paralelisht me shpenzimet. Grekët mendojnë se janë të mbitaksuar.
Në fakt shumë prej tyre janë, por si shtet, Greqia asnjëherë nuk u mbitaksua –deri në recesionin aktual- thjesht ajo u tatua shumë keq, dhe tashmë edhe më keq akoma. Së fundmi, Greqia importonte më shumë sesa eksportonte:deficitet e llogarisë korrente ishin rreth 9 përqind gjatë gjithë dekadës së shkuar.
Gjithë kësaj iu shtua borxhi i madh i viteve ‘80, duke e bërë borxhin kombëtar në vitin 2008 të dytin më të lartë në vendet e OECD në vitin 2008, me 117 për qind të PBB-së. Por asnjë nga këto probleme, nuk janë pasojë e sektorit publik që aktualisht është shumë i madh.
Duke pranuar se shifrat mbeten një problem, në vitin 2008, edhe para krizës, qeveria punësonte rreth 19 përqind të fuqisë punëtore, duke përfshirë korporatat publike, çka ishte në përputhje me mesataren e OECD (Mbretëria e Bashkuar e ka patur 23 për qind). Në qoftë se 300 mijë punonjës, nuk do të ishin punësuar në vitet 2000-2010, kjo normë do të kishte mbetur nën mesataren.
Kur shteti është i dobët, edhe politikat më të arsyeshme minohen nga klientelizmi. Në fakt, sot pas reformave, rreth 300 mijë vende pune janë zhdukur (duke përfshirë kontraktorët privatë, ku shpesh mbretëron patronazhi); kjo përbën thuajse 30 përqind të të punësuarve gjithësej që prej vitit 2010.
Pas këtyre shkurtimeve, sektori publik grek ka sërish mungesa kritike në zyra, të fryra në sektorët jothelbësorë, dhe joefikase në thuajse gjithë të tjerat. Për me tepër, stafi i pamjaftueshëm dhe joefikas, shkakton tre pasoja. Procedurat marrin më shumë kohë sesa duhet, punonjësit ndjehen të mbingarkuar, ia varin punës apo bëhen apatikë, dhe shërbimet nuk janë në gjendje të reformojë procedurat apo t’i automatizojnë ato.
Shpesh, kërkesat për leje qëndrojnë në sirtarët e administratës për javë apo muaj me rradhë.
Ose procedurat që mund të kryhen on-line, duhet të administrohen personalisht në disa pika shërbimi. Pra, sistemi shkakton humbjen e miliona orëve punë. Ky është një shtet i pamjaftueshëm, dhe jo shumë i madh.
Së fundmi, tregu i kufizuar dhe shteti i dobët, shpjegojnë një tjetër stereotip në lidhje me punonjësit e “mbi-privilegjuar” grekë: pensioni i parakohshëm. Sot, klientelizmi dhe taksat jo racionale të sistemit, nxisin zemërim. Por logjika e pensionimit të parakohshëm, është zbatuar edhe nga qeveria në SHBA:ajo përdoret për të reduktuar listën e pagave, pa pushuar askënd nga puna.
Një i punësuar (i pakualifikuar) që del në pension të parakohshëm, mund t’i lirojë vendin dikujt që është i papunë, por edhe me i aftë gjithashtu. Në Greqi, pensionet për pensionistet e hershëm, tashmë janë kthyer në një barrë disproporcionale për buxhetet shtetërore. Pra, ishte një politikë e keqe që nuk dha asnjë përfitim.
Por përsëri, problemi e ka origjinën tek tregu i rrëgjuar i punës në Greqi. Por shkurtimet në pensionimet e hershme të vendosura aktualisht, do të thonë më pak hapësira, dhe kështu më shumë punëtorë kërkojnë punë në një sektor të rrethuar privat, me papunësinë që është afërsisht 26 përqind.
Marrë me shkurtime nga “Foreign Affairs” – Bota.al