Në këto ditë plot ngjarje, të shumtë janë ata që shqetësohen mbi efektin që Donald Trumpi do të ketë mbi vendin e tij, shkruan Martin Caparros për El Pais (Spanjë). Krejt papritur, Trumpi ka shtyrë politikanë, gazetarë, shkrimtarë e aktorë që të shprehin nostalgjinë e tyre për atë “shembull për botën”, që ishin SHBA. Flasin për demokracinë model, shoqërinë e drejtë, lirinë dhe gjithë gjërat që apoteoza e Trumpit do i shkatërrojë, apo i ka shkatërruar tashmë.
Eshtë e çuditshme. Në realitet flasin për vendin ku pabarazitë ekonomike e sociale janë ekstreme, ku e famshmja 1 % e popullsisë zotëron më shumë se një të tretën e gjithë pasurisë. Një vend që ka shpenzuar 700 miliardë për të shpëtuar banka që po e shpinin në buzë të greminës. Flasin për një vend i cili vetëm vitin që kaloi ka hedhur 26 mijë bomba në Siri, Irak, Afganistan, Libi e Jemen. Një vend që ka ende kamp përqëndrimi jashtë territorit të vet, ku mbyll kë të dojë. Flasin për një vend të armatosur, ku gjysma e burrave kanë armë zjarri dhe ku 12 mijë vetë në vit vdesin nga plumbat. Flasin për një vend ku dy në tre vetë janë në favor të dënimit me vdekje, dhe ku 3 mijë vetë presin ekzekutimin. Flasin për një vend, në kartëmonedhat e të cilit është shkruar “Tek Zoti ne besojmë!”. Një vend ku katër të rritur në dhjetë besojnë se një Zot e ka krijuar njeriun ashtu si ai është sot, më pak se dhjetë mijë vjet më parë, ashtu si e thotë Bibla.
Flasin për një vend që prej dekadash udhëhiqet prej dinastive familjare (babë e bir, burrë e grua), që do ishin objekt turpërimi në cilëndo republikë në jug të kontinentit. Një vend ku fuqitë e mëdha ekonomike bëjnë presion dhe marrin në duar ligjvënësit, për të miratuar ligje që u shkojnë për shtat interesave të tyre ekonomke. Flasin për një vend që është edhe plot me njerëz magjepsës, artistë e shkrimtarë të mëdhenj, universitete e biblioteka, risi shkencore e teknike, nisma bujare. Por që nuk është modeli i virtytit që përshkruajnë sot.
E dimë se kohët e shkuara janë përherë të mira. Problemi është se ky lexim nostalgjik i historisë na pengon ta kuptojmë. Nëse e mendojmë Trumpin jo si pasojë e një procesi, por si një incident, nuk do gjejmë rrugëdalje. Nëse ky tërmet do shërbejë për dicka, do të jetë se shumëkush do të vendosë që të rimendojë jetën dhe shqoërinë e vet. Do të ishte mëkat që vetëm të “vajtonin” për një parajsë të humbur, sepse ajo s’ka ekzistuar asnjëherë. /Në shqip nga bota.al