Ekonomi

Moralizmi i të pasurve, që fajësojnë të varfërit për varfërinë

Në fund triumfon gjithmonë fabula e gjermanëve milingona dhe latinëve gjinkalla. Zgjidhja më e thjeshtë. Pasuria është meritë, varfëria është faj. Pikë

Mjafton një udhëtim në Gjermani, për të kuptuar se si funksionon sot moralizmi i pushtetit. Mediat dhe njerëzit publikë në Gjermani mbushin me kritika pjesën tjetër të Europës. Mbi të gjitha ndaj popujve të jugut, grekë, spanjollë, italianë, portugezë, që janë treguar të paaftë për rreptësi fiskale dhe seriozitet, të pabesueshëm, të destinuar që t’u hapin edhe më shumë telashe veriorëve punëtorë. Cilido dyshim i arsyeshëm që mund të hidhet mbi këtë version të historisë së Europës, mund të shpërfillet si një barcaletë, në rastin më të mirë. Nuk vlen pra, që Gjermania ka qenë, në masë të madhe, vendi më i favorizuar nga unioni politik dhe monetar, që industria gjermane mundi të kanibalizojë konkurrencën, falë këmbimit fiks si dhe të reduktojë në koloni lagje të tëra industriale në Itali, Spanjë, Greqi dhe ish Jugosllavi. Nuk vlen të kujtosh se Berlini ka hyrë e ka dalë sipas qejfit në traktatet europianë, duke shkelur rregulla sipas volisë, me një fleksibilitet që gjithmonë u është mohuar të tjerëve. Apo të vësh re se rreptësia që iu imponua Portugalisë, Italisë, Greqisë dhe Spanjës me shkurtime kolosale të shtetit social dhe invesimeve publike, nuk e ka penguar Gjermaninë që të mbajë fort shtetin e saj social si dhe të rrisë investimet për kërkime, duke akumuluar kështu një avantazh teknologjik tashmë të pangushtueshëm.

Në fund triumfon gjithmonë fabula e gjermanëve milingona dhe latinëve gjinkalla. Zgjidhja më e thjeshtë. Pasuria është meritë, varfëria është faj. Pikë.

Në pak vite, pushteti ka ndryshuar paradigmë dhe rrëfim. Në vitet tetëdhjetë, modeli ishte gjinkalla. Mesazhi ishte që të gjithë mund të ishim të pasur, mjafton të donim të bëheshim. Bankat jepnin para me interesa zero, që të gjithë të hynin në borxhe për të blerë shtëpi, apo fuoristradë, apo përse jo, tv me ekran të sheshtë, ose produktin më të fundit të Apple. Pastaj erdhi kriza dhe pushteti u bë moralist. Varfëria është ndëshkimi për faktin që për një kohë të gjatë, këmbët janë shtrirë më shumë se sa jorgani. Një aparat gjigand mediatik dhe politik është vënë në shërbim të një sistemi absurd, ku një përqind e të pasurve shtyn drejt mjerimit 99 përqindëshin tjetër, por pretendon edhe t’i bëjë moral. Dhe në fund, edhe kjo është fabul e lashtë: superior stabat lupus, inferior agnus. / www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button