Si Vladimir Putin dhe Barak Obama do të shkatërrojnë Aleancën e Atlantikut të Veriut
Nga Matthew Continetti
“Washington Free Beacon”
Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, e themeluar në vitin 1949, ka 28 anëtarë të përkushtuar ndaj idesë së sigurisë kolektive. Parashikim:Deri kur presidenti amerikan Obama të lërë detyrën në vitin 2017, premtimi i NATO-s për mbrojtjen e ndërsjellë, në kundërpërgjigje ndaj një agresioni të jashtëm, do të ketë rezultuar i pavlefshëm. Objektivisht aleanca do të ketë pushuar së ekzistuari. Fajtorët? Vladimir Putin dhe Barak Obama.
Tani për tani bota është e fokusuar tek Lindja e Mesme:avionët rusë, që veprojnë nga një bazë e madhe ajrore në Siri, po bombardojnë kundërshtarët e diktatorit dhe kriminelit të luftës, Bashar Al-Asad. Rusët thonë se po godasin Shtetin Islamik, por nuk ka dëshmi se ata po veprojnë realisht kështu. Dhe as nuk kanë arsye për një gjë të tillë, duke pasur parasysh se qëllimi i luftës së Putinit, është të ruajë sundimin e Asadit dhe të zgjerojë, për herë të parë në dekada, sferën e ndikimit të Rusisë në Lindjen e Mesme.
Çelësi tek strategjia e Putinit, shkruajnë analistët Frederik dhe Kimberli Kagan, është doktrina e “kontrollit refleksiv”:përcaktimi i fakteve në terren “në një mënyrë të tillë, që armiku të zgjedhë kursin e preferuar nga Rusia të veprimit vullnetar, sepse është më e lehtë, dhe sepse të gjithë të tjerat duken shumë më të vështira e të rrezikshme, në mos të pamundura”.
Gjërat nuk duhej të ishin kështu. Pavarësisht propagandës së Moskës, Rusia është një shtet i dobët me kapacitete ushtarake në përkeqësim e sipër, pretendimet e të cilës për statusin e një fuqie të madhe, bazohen tek arsenali i saj bërthamor. Por, duke vepruar me vendosmëri dhe në mënyrë më provokuese, Putini ka gjetur mjetet për të rikthyer sovranitetin dhe epërsinë ruse, duke iu shmangur sfidave të regjimit të tij autoritar.
Në një fjalim të vitit 2007 në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Putini tha se “modeli unipolar është jo vetëm i papranueshëm, por edhe i pamundur në botën e sotme”. Zgjerimi i NATO-s, vazhdoi ai, “përfaqëson një provokim të rëndë që redukton nivelin e besimit të ndërsjellë”. Pastaj erdhi kërcënimi: Rusia është një vend me një histori më shumë se 1000-vjeçare, dhe ka përdorur praktikisht gjithnjë privilegjin e të paturit një politikë të jashtme të pavarur. Ne nuk do ta ndryshojë këtë traditë sot”.
Vitin që pasoi, qeveritë e Gjermanisë dhe Francës, të frikësuara nga retorika e Putinit dhe të ndërvarura nga marrëveshjet për furnizimin me energji dhe armë ruse, sabotuan përpjekjet amerikane për t’u ofruar anëtarësimin në NATO ish-republikave sovjetike të Gjeorgjisë dhe Ukrainës.
Të privuara nga garancia e sigurisë së NATO-s, të dyja këto demokraci të vogla, të varfra dhe të reja, u bënë pre e lehtë për Moskën. Putini pushtoi Gjeorgjinë në vitin 2008. Ai vazhdon edhe sot të ushtrojë ndikim atje.
Teknikat e kontrollit refleksiv, patën ndikimin e tyre të fundit tek Barak Obama. Kur u bë e qartë në vitin 2013, se presidenti nuk kishte asnjë interes në zbatimin e vijës së tij të kuqe kundër armëve kimike të përdorura në Siri, Putini dhe ministri i tij i Jashtëm Sergei Lavro u hodhën në veprim. Lavrov sugjeroi publikisht se Rusia do të ndihmonte Shtetet e Bashkuara në “shkatërrimin” e rezervave të Asadit në armë të shkatërrimit në masë.
Obama, frika më e madhe e të cilit është një dislokimi i madh i forcave tokësore amerikane në Lindjen e Mesme, nuk mund të ndihmonte duke thënë po. Papritmas, Amerika ishte në partneritet me qeveritë e Rusisë dhe Sirisë (dhe më vonë me Iranin), për të inspektuar dhe zhvendosur armët kimike. Ky vendim shmangu jo vetëm ndërhyrjen amerikane dhe garantoi mbijetesën e Asadit. Ajo i lejoi këtij të fundit që të helmojë me gaz popullin e tij edhe në të ardhmen.
Në vitin 2014, kur protestat e detyruan presidentin ukrainas Viktor Janukoviç të largohej për tek mbështetësit e tij në Moskë, Putini e pa këtë si një mundësi për të rikërkuar Ukrainën nga Perëndimi. Mobilizimi ushtarak rus në kufirin lindor të Ukrainës, e pengoi NATO-n të reagonte ashpër kur parlamenti rus miratoi aneksimin e Krimesë. Teknikat e maskirovkas-dizinformacionit dhe mashtrimit- garantuan një mbulesë për armatosjen dhe trajnimin e rebelëve anti-Kievit në lindje të Rusisë.
Sanksionet dhe retorika e ashpër, nuk u cilësuan një kosto e mjaftueshme për të ndaluar Putinin nga nxitja dhe përjetësimi i një luftë civile, e cila ka shkaktuar deri më tani mijëra të vdekur. Presidenti Obama ka injoruar këshilltarët e tij, duke refuzuar të furnizojë me armë vdekjeprurëse mbrojtëse pro-perëndimorët ukrainas, duke besuar në mënyrë të çuditërishme, se ndihma ndaj Kievit vetëm sa do të nxitë “përshkallëzimin” e mëtejshëm të situatës.
Konflikti ukrainës aktualisht është i ngrirë – Putin mund ta “shkrijë” dhe “ngrijë” sipas dëshirës së tij. Qëllimet e tij mbeten:zhdukja e pretendimeve perëndimore deri tek supremacia ideologjike dhe ushtarake, si dhe zëvendësimin e presidentit Petro Poroshenko me një lolo të drejtuar nga Kremlini.
Dy javë më parë, në një bisedë telefonike me kryeministrin malazez, zv.presidenti amerikan Xho Bajden sinjalizoi se Amerika do të mbështesë kërkesën e Malit të Zi për anëtarësim në NATO. Mirë për atë vend. Por megjithatë ne duhet të pranojnë se kjo lëvizje është tek e fundit një vogëlsirë. Ajo e lë në hije faktin se Obama do të ishte në të kundërt, presidenti i parë në një brez që nuk ka kryesuar një zgjerim të NATO-s.
Pra, Shtëpia e Bardhë mbështet një komb strategjikisht të parëndësishëm e të rrethuar nga shtetet anëtare të aleancës. Ka pra një përkushtim të ç’interesuar të administratës amerikane ndaj aleancës dhe Evropës. Kremlini e ka vënë re këtë kundërthënie. Ndërhyrja ruse në Siri, është më shumë sesa thjesht mbajtja në pushtet e Asadit.
Udhëheqja ruse e një koalicioni pro-Asadit, që përfshin Iranin dhe Irakun, e zhvendos efektivisht SHBA-në si fuqia e jashtme më me ndikim në rajon. Provokimet ruse, e kanë detyruar Uashingtonin të vetëdeklarohet për “de-konfliktizimin”, duke iu dhënë Moskës liri veprimi mbi hapësirën ajrore të Sirisë, dhe ndoshta edhe të Irakut. Dhe vendndodhja e bazës ruse, hap një front shtesë në luftën e Putinit kundër NATO-s.
Më pak se 50 milje nga kufiri i Turqisë – një anëtare e NATO- baza ajrore “Bassel Al-Asad” i jep forcave ajrore të Putinit aftësinë për të lëvizur jo vetëm kundër Turqisë, por edhe ndaj aleatëve të SHBA-së në rajon si Izraeli, Jordania dhe Arabia Saudite.
“Ai gjithashtu do të lejojë”, shkruani Kagan “që flota e tij ajrore të eklipsojë Flotën e Gjashtë Amerikane, që gjendet në Mesdheun Lindor. Putini mund ta detyrojë Turqinë dhe aleatët e saj të NATO-s, të nisin patrullimet ajrore luftarake përgjatë kufirit jugor të Turqisë”-shprehet Kagan. Shanset e një incidenti vdekjeprurës rriten çdo ditë.
Putini po grushton NATO-n. Objektivi i tij i ardhshëm janë shtetet balltike. Të dielën e kaluar në emisionin “60 minuta”, ai shpjegoi se arsyeja pse e ka cilësuar shembjen e Bashkimit Sovjetik, si “ngjarjen më të rëndë të shekullit të kaluar”, është se “brenda një çasti, 25 milionë njerëz e panë veten, përtej kufijve shtetërorë të Rusisë”. Qëllimi i tij është t’i bashkojë rusët që jetojnë jashtë vendit, në vendet balltike, Ukrainë dhe më gjerë.
Presidenti i Letonisë, Raimonds Vejonis, tha për “Wall Street Journal”, se provokimet ruse mbi kombet balltike janë në rritje. Në intervistën e tij të plotë me Çarli Rouz, Putin veçoi Lituaninë:”Më shumë se gjysma e qytetarëve janë larguar nga vendi”- gënjeu ai. “A mund ta imagjinoni një situatë, ku më shumë se gjysma e amerikanëve lënë territorin e Shteteve të Bashkuara? Do të ishte një katastrofë!”
Imagjinoni këtë skenar:Në 16 muajt e ardhshëm, shpërthejnë trazirat civile në një ose të treja shtetet balltike. Popullata ruse, bën thirrje për “pavarësi” nga pushteti qendror, dhe kërkon lidhje më të ngushta me Moskën. Fillojnë luftimet, teksa shumë tanke ruse qëndrojnë gati përgjatë kufirit, ndërsa avionët fluturojnë mbi Riga, Vilnius ose Talin. Ato janë të gjithë shënjestra.
Merrni Vilniusin: Ndërsa ka pak rusë etnikë në Lituani, kryeqyteti është ura tokësore mes Nënës Rusi dhe enklavës ruse të Kaliningradit. Furnizimi i Kaliningradit do të jetë casus belli (shkaku i luftës) për Putinin. Autoritetet balltike i bëjnë thirrje NATO-s të reagojë – duke iu referuar Nenit 4 të Kartës së Atlantikut, e cila kërkon konsultime, dhe me gjasë edhe Nenin 5, që parashikojn përdorimin e përbashkët të forcës nga ana e vendeve anëtare të aleancës.
Por Perëndimi është i hutuar. Evropa është e tronditur nga kriza në Greqi dhe Ukrainë, nga referendumi në Mbretërinë e Bashkuar për braktisjen e BE-së, si dhe nga emigrimi i vazhdueshëm i emigrantëve dhe refugjatëve myslimanë në veri. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara janë të zëna me zgjedhjet e saj presidenciale, Sirinë, Irakun Afganistanin, si dhe tronditjet ekonomike.
Klithmat për ndihmë kalojnë pa u dëgjuar. Administrata Obama ka refuzuar madje edhe të përpiqet të ndërtojë baza të përhershme ushtarake në Balltik – çka do të ishte një pengesë e besueshme – me sa duket për shkak të besimit, se sigurimi i një mbrojtje të vërtetë do të ishte diçka “provokative”. Ne jemi shumë të zënë, shumë të vetë-absorbueshëm, tejet të hutuar për t’u shqetësuar mbi premtimet e bëra vite më parë.
Obama nuk do të armatosë ukrainasit. Çfarë na bën të mendojmë se ai do të mbrojë lituanezët, letonezët apo estonezët? Para se Shtëpia e Bardhë të marrë veten nga “surpriza” në vendet balltike, Putin do të ketë arritur qëllimet e tij strategjike dhe vendosur kontroll refleksiv mbi situatën.
Presidenti Obama dhe kancelarja gjermane Merkel dhe Sekretari i Shtetit Kerri, janë të sigurtë të deklarojnë se harku i historisë do të mposhtë Rusinë, ndërsa edhe ata e akomodojnë veten në realitetin e Putinit. NATO-ja do të ekspozohet si një besëlidhje pa shpatë. Dhe miliona evropiano-lindorë do të gjenden nën thundrën e Vladimir Putinit. Viktima të kopracisë së Kremlinit. Viktima të dobësisë së Obamës.
“Washington Free Beacon” – Bota.al