Speciale

Muri u shemb, por jehona e betejave nuk u shua

Eshtë e vështirë të mbivlerësosh se çfarë mrekullie ishte që këto diktatura u shembën kaq paqësisht në 1989-ën. Në shekullin 20, kontinenti ynë ishte shkretuar nga dy luftëra. Pikërisht prej këtij shkatërrimi u ndërtua themeli i një projekti të përbashkët europian të paqes dhe begatisë, një arritje që – pavarësisht të gjithë problemeve që ka sot – mbetet politika më e mirë e sigurimit, që ne kemi kundër rënies në përsëritje

Screen Shot 2015-11-15 at 18.52.57

Si sot 28 vjet më parë, harta e një kontinenti nisi të ribëhet. Përkundër pritshmërive, ndryshimi nuk po vinte për shkak të një prej atyre konfrontimeve të tmerrshëm mes shteteve,  që kishin përcaktuar kufijtë e Europës dhe të shekullit 20 deri në atë kohë. Në vend të armëve dhe bombave, ishin çekanët që vërtiteshin prej sivilëve që krijuan skenën për një Europë të re dhe për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik – çekanë që shkëpusnin copat e pllakave të mëdha të betonit, të cilat prej dekadash kishin tharë zemrën e Berlinit, një simbol në dukje i pashkatërrueshëm i shtypjes dhe i ndarjes së Europës në dy blloqe.
Ndërkohë që Europa përpiqet në atë që duket si një tjetër luftë e ftohtë me Rusinë, ndoshta është koha të reflektojmë për mësimet e 1989-ës. Njëri është që stabiliteti – pikësëpari, ai i regjimeve autoritarë – nuk është asnjëherë një siguri e përjetshme. Demonstruesit e rinj në Hong Kong, të cilët kanë kërkuar liri e demokraci në muajt e fundit, padyshim që e kanë këtë gëj në mendje. Një tjetër mësim është se sa larg kishte shkuar planeti me ndërlidhjen, shumë kohë përpara se të shfaqej Interneti. Revolucionet paqësorë të vitit 1989 u bënë të mundur sepse Mikael Gorbaçovi refuzoi përdorimin e forcës, për arsye se ai i frikej turpit ndërkombëtar që kish rënë mbi udhëheqjen kineze, kur kjo shtypi kryengritjen e sheshit të Tiananmenit pak muaj më herët.
Por shumëkush në aparatin sovjetik u godit prej një poshtërimi drithërues – tek shihnin të shastisur se si, përgjatë verës dhe vjeshtës, mijëra Europiano lindorë shtyheshin në vrimat që zgjeroheshin në perden e hekurt. Një lejtnant në atë kohë i panjohur i KGB-së, i quajtur Vladimir Putin, ndiqte i dëshpëruar gjithë këto ngjarje që nga baza e tij në Drezden. Putini do të kujtonte më vonë në librin e tij me kujtime, “Në vetë të parë”, sesi kishte pritur më kot bashkë me kolegë të tjerë në zyrat e KGB-së, për reagimin e “Qendrës” (Moskës). Ishte kjo traumë, e shkaktuar nga të qënurit dëshmitar i shpërbërjes së një rendi të fuqishëm sovjetik prej pushtetit të popullit, që do ta shtynte më vonë Putinin ta përshkruante serinë e ngjarjeve të 1989-1991-shit si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit 20”. I keqmenaxhoi apo jo Perëndimi marrëdhëniet e tij me Rusinë gjatë dy dekadave që pasuan, impakti psikologjik mbi njeriun që ka bërë më shumë se kushdo tjetër për të rikrijuar tensionet lindje-perëndim në kontinentin europian, është shumë i fortë.
Në këndvështrimin që Putini ka për botën vazhdon të kumbojë tronditja e 1989-ës. Në shumë drejtime, aspiratat europiane të qytetarëve ukrainas, të demonstruara sërish në rezultatin e zgjedhjeve për parlamentin e ri në Kiev muajin që kaloi, janë vazhdimësia e frymës se përçuan shtetet europiano-lindorë 25 vjet më parë. Ky është një paralelizëm që Putini e konsideron jo vetëm irritues, por edhe si kërcënim. Dërgimi kohët e fundit i avionëve bombardues rusë mbi qiejt e Europës, madje deri mbi Portugali, është një shenjë që zakonet e vjetër vështirë se harrohen.
Eshtë e vështirë të mbivlerësosh se çfarë mrekullie ishte që këto diktatura u shembën kaq paqësisht në 1989-ën. Në shekullin 20, kontinenti ynë ishte shkretuar nga dy luftëra. Pikërisht prej këtij shkatërrimi u ndërtua themeli i një projekti të përbashkët europian të paqes dhe begatisë, një arritje që – pavarësisht të gjithë problemeve që ka sot – mbetet politika më e mirë e sigurimit, që ne kemi kundër rënies në përsëritje.
Ndonëse sot është lehtësisht i kritikueshëm, ideali europian ndihmoi shtetet të transformoheshin për më mirë. Më pak se një vit pas rënies së Murit të Berlinit, Gjermania Lindore i ishte bashkuar komunitetit, e ribashkuar me perëndimin. Dhe në të vërtetë, në vitet që pasuan, Europa udhëhoqi një zgjerim i cili afroi shumë më tepër shtete, në 2004, 2007 dhe 2013, pasi kishte shërbyer si burim frymëzimi për reformat dhe demokratizimin. Nacionalizmi revizionist që buron nga Rusia sot ka si objektiv që të pengojë përhapjen drejt lindjes të vlerave dhe institucioneve europiane. Armiqtë e Ukrainës paralajmërojnë për brishtësinë e premtimit “Kurrë më!” të bërë ditën e Armëpushimit. Në qendër të hapësirës europiane, po krijohet një tjetër vijë ndarëse. Shkelja e sovranitetit të Ukrainës nga armët e rusëve dhe aneksimi i Krimesë janë dëshmi e një rendi europian ende të pavendosur. Fragmentet e Murit janë suvenirë sot, por betejat që çuan në shembjen e tij kanë një jehonë që vazhdon të zgjasë. /THE GUARDIAN/ SHQIPERUAR NGA bota.al

* Në respekt të punës së personave që kanë punuar për ta sjellë në shqip këtë material, Bota.al lutet që të mos KOPJOHET

Leave a Reply

Back to top button