MuzikePersonazhe

Muzika pas David Bowie-it

Screen Shot 2016-01-11 at 22.30.03

Daniel Cassandro

Javën që kaloi qarkullonte në internet një lojë që quhej “Cfarë bëri Bowie?” Duke shkruajtur sa vjeç je, zbulon se çfarë ka bërë ai në moshën tënde. Për shembull, kur ishte në moshën time, Bowie u martua me një prej grave më të bukura në botë. Kur unë diplomohesha, ai nxirrte “Aladdin sane”, albumin e tij të parë në krye të klasifikimit në Britaninë e Madhe.

Sapo mësova për vdekjen e Bowie, mendova për atë lojë që merrte fund. Mu shfaq para syve një fluks krijueshmërie që ndërprihej befas, në një pikë të caktuar të kohës. Thuhet se një artist i madh, kur vdes lë një boshllëk, dhe duket si klishe. Ikin gjithmonë më të mirët, etj etj. Megjithatë, duke nisur nga 10 janari 2016 nuk do të ketë më këngë të reja të David Bowie, video të reja, kopertina të reja, fjalë të reja. Eshtë një bashkëbisedim që ndërpritet.

Por në fund të fundit, çfarë ka bërë David Bowie kaq të rëndësishme? Ka shkruajtur këngë të shkëlqyera, ka krijuar look të paharrueshëm, ka patur një karrierë shumë të gjatë, por këto janë gjëra që i kanë bërë edhe shumë njerëz të tjerë. Për të kuptuar peshën specifike të një karriere si e tija, duhet reflektuar për diçka: David Bowie ka krijuar muzikën pop siç e njohim sot. Nëse popi ka pushuar së qëni “vetëm muzika e të rinjve”, dhe është shndërruar në një produkt kulturor kompleks, hibrid dhe shumëformësh që e njohim sot, për këtë i detyrohemi në thelb atij.

Bowie ka qenë ndër të parët, që ka kuptuar se muzika mund të vepronte në disa nivele: mund të bëhej teatër, kinema, performancë. Një disk nuk ishte një tingull, ishte edhe vizion, rrëfim, ëndërr, delir, fantazi seksuale, haluçinacion. David Bowie e bëri muzikën pop të rëndësishme, sepse e përzieu me forma të tjera të artit. I lejoi të kapërcejë pengesat ku ishte kufizuar, e bëri të flasë gjuhë që më parë i injoronte. E bëri edhe të futet në territore ekzistencialë të rinj për publikun.

Dhe gjithë këtë e ka bërë duke përdorur gjithmonë trupin e tij, që është instrumenti i parë i çdo artisti. Zëri i tij dhe fytyra e tij janë fragmentuar në qindra maska të ndryshme, që ai ka ditur t’i ndryshojë gjatë dekadave. “Unë jam aktor. Eshtë ky thelbi i David Bowie”, ka shpjeguar ai vetë. Dhe muzika e tij u bë teatër dhe kinema. Si pak kush, ai kuptoi rëndësinë e videos muzikore, duke ua dorëzuar, me çelësa në dorë, brezit të Madonës dhe Duran Duran.

Maska e tij kaloi e padëmtuar përmes pankut, për t’u zhvilluar më pas tek post panku dhe new wave: tualeti i Siouxsie Sioux, por edhe veshjet e Boy George dhe Steve Strange janë reflekse të Bowie. Annie Lenox e fillimit të viteve tetëdhjetë, hermafrodite dhe flokët ngjyrë karrotë të qethur zero, ishte pothuaj një klon i tij.

Secili prej nesh ka David Bowien e tij: imi ishte ai që pashë për herë të parë në MTV, madje në Videomusic, kur isha 14 vjeç. Bowie dandy dhe i sofistikuar i “Modern love” dhe “Let’s dance”. Bowie superstar i viteve tetëdhjetë, që bënte duete me Tina Turnerin dhe Mick Jaggerin dhe që për producent kishte Nile Rodgersin. Bowie që në vitin 1987 zbriti në stadiumin Flaminio të Romës, me turin e tij të albumit “Glass spider”, gjatë një vere të paharrueshme koncertesh në Itali. Dhe për secilin prej nesh, artisti u shndërrua në një gjëzë që duhej të ndërtohej nëpër kohë, duke rizbuluar albumet e mëparshëm dhe duke përshëndetur, pak a shumë me entuziasëm, ata të rinj. Dhe ndoshta nuk e kishim kuptuar, por edhe kur dëgjonim të tjera gjëra, dance, elektronike, hip hop, post-rock, në një farë kuptimi dëgjonim gjithmonë David Bowien. Sepse ishte ai që krijoi botën në të cilën dëgjojmë muzikën.

Tani që David Bowie nuk është më, nuk na mbetet veçse të bashkojmë copat e gjëzës: të rizbulojmë këngë që na kishin shpëtuar, të ridëgjojmë albume që i kishim harruar, apo të sutdiojmë sërish tekstet e tij, për të kuptuar kushedi se çfarë. Dhe do të vazhdojmë përpara në pafundësi, sepse, siç e thotë ai vet në këngën e fundit të albumit të tij të fundit, “Blackstar”, “Unë nuk mund t’ju zbuloj gjithçka”.

Internazionale – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button