AnalizaMAIN

Na ishte një herë Perëndimi

Lucio Caracciolo

Asgjë nuk është më e sigurt.

As edhe një muaj pas marrjes së detyrës nga Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, këto pesë fjalë përmbledhin thelbin e tronditjes që po ndodh para syve tanë. Përtej propagandës dhe deklaratave publike, revolucioni gjeopolitik tashmë po shfaq krizën ekzistenciale të familjes atlantike, afrimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, si dhe bashkimin e luftërave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, të cilat duhen interpretuar brenda të njëjtit ekuacion.

E gjithë kjo ndodh në sfondin e sfidës së vërtetë strategjike globale: përplasjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Në të gjitha këto beteja, ne evropianët jemi, në rastin më të mirë, aktorë dytësorë.

Mbi të gjitha, jemi pa busull.

Samiti i improvizuar mes tetë vendeve atlantike, i thirrur në Paris nga Macron, është njëkohësisht një simptomë e dëshpërimit dhe një sinjal i zbehtë i një përpjekjeje për rikthim nga “vejushat” e NATO-s së vjetër, të dobësuar nga Trump dhe Putin.

Dhe kjo vjen nga vetëdijësimi i vonuar se, kur loja bëhet e ashpër, strukturat e Bashkimit Evropian nuk e përballojnë dot konkurrencën.

Takimi mes shtatë vendeve të BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, e cila tashmë është vënë në shënjestër nga “aleati vëllazëror” me flamurin me yje dhe shirita, për të përballuar emergjencën e sigurisë në Evropë, shënon lënien pas të skemave të konsoliduara për tre të katërtat e një shekulli.

Formati i BE-së po skadon njësoj si ai i NATO-s, duke konfirmuar se konstruksioni evropianist ishte një produkt i zgjedhjes atlantike amerikane dhe, për pasojë, nuk funksionon më kur Atlantiku zgjerohet aq shumë sa u imponon partnerëve evropianë, të kërkojnë alternativa ndaj të ashtuquajturës “ombrellë bërthamore” të SHBA.

Përpjekja për të formuar një bërthamë shtetesh evropiane të vendosura për të rindërtuar së bashku themelet e sigurisë sonë kontinentale është pranim i një realiteti dramatik, për shumë kohë të fshehur pas retorikës atlantiste dhe evropianiste.

Por prej ku duhet të rinisemi? Nëse synohet të ndërtohet një rrugë e përbashkët mes “vendeve kryesore evropiane” (siç i quan Macron), pa pretenduar që formati i Parisit të jetë ekskluziv – ai mund të zgjerohet, por edhe të reduktohet – është e nevojshme të pranojmë tre realitete të pakëndshme.

I pari, dhe më i rëndësishmi: në Shtetet e Bashkuara po ndodh një ndryshim i thellë i regjimit që po trondit identitetin, themelet dhe institucionet atje. Elitat amerikane janë të ndara për gjithçka, përveç një gjëje: prioritetit për të penguar parakalimin nga Kina.

Më saktësisht, është e papranueshme që Pekini të kapërcejë Uashingtonin në teknologjitë e reja, duke filluar nga inteligjenca artificiale dhe hapësira. Gjithçka tjetër është në funksion të këtij imperativi, duke nisur nga përpjekja për të shpërbërë çiftin e çuditshëm Rusi-Kinë, dy armiq historikë që paradoksalisht janë bashkuar nga Shtetet e Bashkuara, përmes krizës në Ukrainë.

Në këtë rikonfigurim, evropianët janë të parëndësishëm dhe të ndarë mes atyre që do të donin të rifillonin dialogun dhe tregtinë me Federatën Ruse (evropianët e vjetër) dhe atyre që dëshirojnë që Rusia të zhduket nga faqja e dheut (skandinavët, polakët dhe vendet balltike).

Sa i përket Putinit, interesi i tij është të normalizojë marrëdhëniet me SHBA, për të mos e mbyllur “karrierën” prej autokrati, si një partner i dorës së dytë i Xi Jinping.

I dyti, që lidhet edhe me të parin. Amerikanët dhe rusët janë të interesuar të nxjerrin Izraelin nga kurthi strategjik në të cilin është futur, dhe të krijojnë një ekuilibër të ri në Lindjen e Mesme, në të cilin do të përfshihen turqit dhe sauditët sot, e ndoshta iranianët nesër. Fakti që negociatat e para mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për Ukrainën po zhvillohen në Riad simbolizon paralelizmin mes konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Pra në thelb, nevojën për të zgjeruar kornizën e negociatave përmes një mekanizmi koncesionesh dhe marrëveshjesh të ekuilibruara.

I treta, dhe më i thelli strukturalisht: Ish-mbrojtësit amerikanë po kërkojnë nga evropianët, që nuk janë më nën mbrojtjen e tyre, sakrifica që nuk jemi në gjendje t’i përballojmë. Nuk është thjesht çështje e shpenzimeve për mbrojtjen, por e papajtueshmërisë mes emergjencave tona të sigurisë dhe mentalitetit të popullsive, të cilat prej tre brezash kanë forcuar bindjen se lufta në Evropë ishte zhdukur një herë e përgjithmonë. Pa përmendur faktin që mosha jonë mesatare është e destinuar të arrijë së shpejti gjysmë shekulli, gjë që përjashton mundësinë që shumica e shoqërive tona të angazhohen në çfarëdolloj fushate ushtarake.

Viktimat kryesore të kësaj situate janë dhe do të jenë ukrainasit, të cilët, pas tre vitesh rezistence ndaj pushtimit rus, duken të rraskapitur, dhe tashmë zbulojnë se janë braktisur nga amerikanët.

Një tradhëti që sigurisht nuk mund të kompensohet nga evropianët.

Përsëritet për të disatën herë një skenar i njohur, i parashikuar dhe çuditërisht i shpërfillur: amerikanët, të përqendruar në lojërat e tyre të mëdha, tregohen indiferentë ndaj fatit të Kievit, ndërsa evropianët nuk mund ose nuk duan t’i japin veprimeve të tyre peshën e fjalëve.

Mes paqartësive dhe hipokrizisë.

Na ishte një herë Perëndimi. / La Repubblica – Në shqip nga bota.al

Back to top button