Historia funksionon më mirë – është më dramatike, por edhe më groteske – nëse nisesh me një pamje të ndalur të momentit të mëparshëm. Shtator 2015: Volkswagen është ende “Das Auto”, dielli i shndërritshëm i mekanikës gjermane, që ndriçon të gjithë botën. Automobilët e tij të përsosur, të përkulur, të pastër, janë simboli fitues i Gjermanisë, frut i disiplinës së saj, bazë e forcës politike të zonjës ANgela Merkel dhe e peshës ekonomiko-morale që ajo ushtron. Populli ka mësuar vërtetë t’i dashurojë, makinat gjermane.
Dhe pastaj, “mjellma e zezë”, cunami; arma e kirmit, një varg i vockël bit-esh të fshehur fare mirë në kodin informatik të paketës elektrike, ka trukuar të dhënat për lëshimet e gazrave për 11 milionë Volkswagen, Audi, Skoda, Seat të pajisura me motorrët më popullorë Diesel (për të mos folur për kamionët). Drejtori i Përgjithshëm martin Uinterkorn, që kishte çuar Volkswagenin drejt një suksesi planetar, pranon dhe jep dorëheqjen; bota, përreth tij, shembet. E quajnë Dieselgate, e krahasojnë me rënien e ekonomisë në 1929-ën, apo me atë të Lehman Brothers, përllogaritet që Volkswagenit do t’i kushtojë 100 miliardë Euro. Por a do të mjaftojnë? Apo është thjeshtë fillimi i fundit të automobilit?