MagazineMAIN

Narcisistët: Të “fshehur”, para syve të të gjithëve

Jo të gjithë narcisistët janë egocentrikë të zhurmshëm, sipas një numri gjithnjë në rritje studimesh shkencore. Ekzistojnë edhe manipulues të fshehtë që rrinë në hije brenda shumë rretheve shoqërore

Narcizmi duket se ka arritur përmasa pandemike. Fëmijët po e quajnë njëri-tjetrin narcisistë në oborrin e shkollës. Dhe përse të mos e përdorin këtë etiketë edhe fëmijët? Është bërë modë që të rriturit ta përdorin për ish-të dashurit, shefat, madje edhe për anëtarët e familjes.

Të gjithë mendojmë se kemi takuar një narcisist, ndoshta më së shumti përmes Carly Simon-it, kënga e së cilës You’re So Vain flet për një tip aq egoist saqë në refren ajo këndon: “Me siguri mendon se kjo këngë është për ty.” Por a është narcisizmi gjithmonë po aq i dukshëm sa dikush që hyn në një festë, sikur të ishte duke “hipur në një jaht”?

Studimet e fundit sugjerojnë që jo.

Edhe pse, narcisizmi mund të jetë shumë më i përhapur nga sa është menduar më parë. Çrregullimi klinik i personalitetit narcisist vlerësohet se prek një në 20 persona, duke sugjeruar se secili prej nesh ka të ngjarë të njohë dikë me këtë gjendje.

Ndoshta ata janë në të njëjtën sallë me ty tani. Këta janë njerëz me ndjenjë epërsie dhe që mendojnë se kanë gjithmonë të drejtë – njerëz që shfaqin nivele të ulëta empatie, kërkojnë vazhdimisht admirim dhe lëndohen kollaj.

Shifra një në 20 është vetëm një vlerësim, megjithatë. “Shifra reale ka gjasa të jetë më e lartë,” paralajmëron Claire Hart, profesoreshë e asociuar e psikologjisë në Universitetin e Southampton-it. Kjo sepse njerëzit me iluzione madhështie mund të hezitojnë të pranojnë që kanë një problem dhe të kërkojnë ndihmë – prandaj e shmangin diagnozën.

Ka edhe një çështje tjetër që e bën përllogaritjen edhe më të vështirë. Përveç atij tipi të dukshëm të narcisistit ‘madhështor’ të cilit i këndonte Carly Simon, psikologët tashmë kanë identifikuar edhe një formë më pak të njohur – narcisistin ‘e ndjeshëm’ (vulnerable), që është shumë më i fshehtë dhe më i vështirë për t’u dalluar… nëse nuk njeh shenjat dalluese.

Sinjalet alarmante

Njerëzit që marrin pikë të larta në testet e narcisizmit madhështor janë zakonisht ashtu siç ne i presim: Studimet e shumta kanë treguar se këta individë kanë prirje të mburren shumë, të jenë arrogantë, të kërkojnë vëmendje dhe të ndihen të kënaqur me veten.

Këta njerëz janë shumë ekstrovertë, të aftë në marrëdhënie shoqërore dhe, në fund të fundit, kanë shëndet mendor të shkëlqyer.

Ndërkohë, narcisistët e fshehur, të ndjeshëm nuk janë kështu. Ndërsa ata madhështorët priren të mos kenë thuajse fare dyshim tek vetja, ata me formën e ndjeshme të narcisizmit janë të pasigurt – të fiksuar pas mbrojtjes së imazhit të tyre superior.

Narcisistët e ndjeshëm, që përpiqen vazhdimisht të shmangin dështimin, janë natyrisht shumë më pak të lumtur se ata madhështorët dhe kanë prirje drejt ankthit dhe depresionit.

“Narcisisti i ndjeshëm është shumë i brishtë dhe nuk përballon dot kritikën,” shpjegon Hart.

Një studim i fundit, që vlerësoi nivelet e narcisizmit tek 676 të rritur në SHBA, tregoi se si narcisistët madhështorë ashtu edhe ata të ndjeshëm udhëhiqen nga dëshira për status shoqëror.

Por ndryshe nga madhështorët, narcisistët e ndjeshëm ndihen sikur nuk e kanë marrë statusin që meritojnë. Autorët e studimit arritën në përfundimin se narcisistët e ndjeshëm mund të tërhiqen nga konkurrenca me të tjerët nëse mendojnë se nuk do të kenë sukses.

“Kjo mund të çojë në rritje të stresit dhe ndjenja më të forta turpi,” thotë Hart.

Sipas të njëjtit studim, narcisistët e ndjeshëm gjithashtu ndihen të përjashtuar nga grupet shoqërore më shumë sesa do të dëshironin. (Narcisistëve madhështorë nuk u bëhej aspak vonë për përfshirjen – ata thjesht ndihen shumë më lart se ‘populli i zakonshëm’.)

Në fund, të dyja llojet e narcisistëve ndihen superiorë dhe të privilegjuar dhe mund të kalojnë shumë kohë duke fantazuar për suksesin e tyre – qoftë për pushtet, qoftë për bukuri.

Tipi i ndjeshëm mund të mos jetë aq i hapur për këto fantazi, por reagon ashpër kur imazhi i vet kërcënohet nga kritika apo konkurrenca.

“Nuk e di kur do të shpërthejnë,” thotë Hart. Por kur ndëshkimi është në mendjen e tyre, narcisistët e ndjeshëm janë më të prirur të jenë pasiv-agresivë.

Edhe pse nuk ka shumë kërkime për këtë, mund ta imagjinosh si mund të shfaqet në një ambient pune.

Nëse je në një mbledhje dhe shefi të lavdëron publikisht, ndërsa kontributi i kolegut narcisist të ndjeshëm shpërfillet, ai mund të të thotë se është i lumtur për ty përballë teje. Por pas krahëve, shpjegon Hart, mund të minimizojë kontributin tënd para të tjerëve dhe të thotë se vetë ka pasur rolin kryesor.

Ka edhe shenja të tjera.

Gjatë një takimi pas pune në pub, mund t’i gjesh duke të bërë pyetje të thella për jetën tënde, për të zbuluar informacione që më vonë mund t’i përdorin kundër teje.

Hart thotë se ndryshe nga narcisistët madhështorë, një narcisist i ndjeshëm mund të jetë më i rezervuar për të treguar gjëra për veten.

Dhe nëse ke fatin e keq që një i tillë të jetë menaxheri yt, dhe ai zbulon se ke kërkuar këshilla tek një menaxher më i lartë, mund të të përjashtojë, të të mohojë mundësi të ardhshme dhe të të përgojojë përpara të tjerëve, thotë Hart.

Qartësisht, të dyja llojet e narcisistëve kanë prirje të reagojnë ndaj njerëzve përreth në mënyra antagoniste – nivele të larta narcisizmi lidhen me bullizëm, dhunë dhe agresion, të drejtpërdrejtë apo jo.

Por narcisisti i ndjeshëm mund ta bëjë këtë për arsye të ndryshme nga madhështori.

“Ata mund të bullizojnë ose të përdorin dhunë sepse ndihen të pasigurt për veten,” thotë Hart.

“Duhet të kemi kujdes ndaj tyre.”

Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse mendon se je në një marrëdhënie romantike me një të tillë. S’është për t’u habitur që narcisistët madhështorë janë gjithmonë në kërkim të dikujt më të mirë – ata ndihen sikur meritojnë më të mirën – gjë që shpesh çon në tradhti.

“Narcisistët e ndjeshëm, nga ana tjetër, kanë më shumë nevojë për t’u përkujdesur, por gjithashtu mund të jenë kontrollues dhe manipulues në mënyra më të fshehta,” shpjegon Hart.

Edhe nëse narcisistët e ndjeshëm arrijnë ta fshehin këtë anë përballë disa njerëzve, do të jetë shumë e vështirë ta bëjnë këtë në një marrëdhënie afatgjatë.

“Ndonjëherë, në një marrëdhënie të shëndetshme, duhet të jemi në gjendje të themi çfarë na pëlqen apo s’na pëlqen,” thotë Nadja Heym, profesoreshë e psikologjisë së personalitetit në Universitetin Nottingham Trent. “Dhe nëse nuk mund ta bëjmë këtë, sepse tjetri ndihet i kërcënuar – reagon tepër dhe bëhet agresiv – atëherë do të lindin probleme në marrëdhënie.”

Tipar që ndryshon

Tani për tani, ndoshta je i bindur që dikush në jetën tënde është një narcisist i plotë, i thellë, pa filtër dhe i fshehur.

Por ai person mund të mos jetë prekur nga një çrregullim i plotë i personalitetit.

Është e rëndësishme të mbajmë parasysh që tiparet narcisiste mund të vijnë dhe të ikin, në varësi të situatës – gjë që ndonjëherë na çon në etiketimin e gabuar të njerëzve si narcisistë.

Ka rrethana që mund të nxjerrin në pah më të keqen nga të gjithë ne – duke shfaqur atë që studiuesit e quajnë “narcisizëm kontekstual”.

Nëse dyshon që dikush në një marrëdhënie toksike apo në një ambient pune shumë konkurrues është narcisist, ndoshta janë pikërisht këto rrethana që po ushqejnë sjelljen narcisiste.

Ndoshta në një ambient më të qetë, ai person nuk do të ishte fare narcisist.

“Narcisizmi nuk është diçka që ose e ke ose nuk e ke, si një këmbë e thyer,” thotë Heym. Përkundrazi, të gjithë ndodhemi diku në spektër. Tiparet narcisiste mund të forcohen apo dobësohen me kalimin e kohës, të nxiten nga situata të caktuara dhe të shfaqen në forma të ndryshme, në mënyra të ndryshme te njerëz të ndryshëm. Kjo do të thotë se të gjithë jemi narcisistë – deri në një farë mase.

Ndryshe nga njerëzit me çrregullim të diagnostikuar të personalitetit narcisist, njerëzit me nivele të larta të tipareve narcisiste mund të jenë në gjendje t’i “zbusin” këto prirje në situata të caktuara, për shembull kur janë pranë familjes.

Ndryshe nga çrregullimi klinik, tiparet narcisiste janë të zakonshme dhe po bëhen gjithnjë e më të përhapura në shumë vende të botës.

Për shembull, një meta-analizë mbi narcisizmin në universitetet amerikane tregoi se ky është rritur ndjeshëm mes viteve 1985 dhe 2006.

Përjashtim ishte Kalifornia, ku autorët sugjeruan se rritja e madhe e studentëve me prejardhje aziatike – që mund të jenë ndryshe në aspektin kulturor – mund të jetë arsyeja.

Një test i zakonshëm për të vlerësuar tiparet narcisiste quhet “Inventari i Personalitetit Narcisist”. Ai përbëhet nga 40 pyetje me dy alternativa, ku merr zero nëse zgjedh përgjigjen më modeste dhe një pikë nëse zgjedh opsionin më narcisist.

Për shembull, mund të të pyesin nëse pajtohesh më shumë me: “Nuk jam më i mirë apo më i keq se shumica e njerëzve” apo me: “Unë jam një person i veçantë.”

Sipas Hart, rezultati mesatar në këtë test në Mbretërinë e Bashkuar është rreth 12 nga 40, ndërsa në SHBA arrin në rreth 16 nga 40.

(Disa pyetje lidhen posaçërisht me narcisizmin e ndjeshëm.)

Ka shumë keqkuptime për narcisizmin.

“Kushdo që bën diçka të tmerrshme shpesh etiketohet si narcisist,” thotë Hart. “Por narcisizmi është kompleks.”

Zemër prej akulli?

Edhe pse studimet kanë dhënë rezultate të ndryshme mbi këtë temë, Heym ka treguar se disa narcisistë mund të kenë aftësinë për të ndjerë empati – gjë që e bën edhe më të vështirë identifikimin e tyre. Hart dhe kolegët e saj kanë studiuar posaçërisht empatinë në narcisizëm.

Në një nga seritë e studimeve, ata u kërkuan 88 studentëve të universitetit, të cilët kishin kryer vlerësim për tipare narcisiste, të shikonin një video për një grua, Jenny, e cila kishte përjetuar një ndarje traumatike. Në të njëjtën kohë, ritmi i zemrës së tyre u mat me një elektrokardiogram (ECG). Zbuluan se studentët me nivele të larta narcisizmi raportonin nivele më të ulëta të empatisë për gruan.

Dhe në mënyrë befasuese, ritmi i zemrës së tyre ngadalësohej gjatë shikimit të videos – e kundërta e asaj që do të prisje tek dikush që ndjen empati.

Por ndodhi diçka interesante kur këtyre njerëzve iu kërkua në mënyrë të drejtpërdrejtë të shihnin nga këndvështrimi i Jenny-t.

“Kur u kërkuam të vendoseshin në vendin e saj, ritmi i zemrës së tyre u përshpejtua si reagim ndaj stimulit empatik – në të njëjtin nivel me një person me më pak tipare narcisiste, duke treguar se u prekën në mënyrë fiziologjike nga ajo që panë,” thotë Hart.

E gjitha kjo sugjeron se narcisistët kanë aftësinë për të ndjerë empati, por thjesht zgjedhin të mos e bëjnë shumicën e kohës. Dhe kjo ka kuptim. Nëse interesi yt kryesor është vetja, dhe je i gatshëm të manipulosh apo të tradhtosh të tjerët për të përfituar, atëherë “fikja” e aftësisë për të ndjerë empati është një avantazh.

Pse kaq shumë?

Pse jemi kaq shumë prej nesh narcisistë? Është e lehtë të mendosh se disa njerëz thjesht kanë gjenin për këtë. Por, ndonëse narcisizmi ka një përbërës gjenetik, përvojat e jetës duket se kanë rëndësi më shumë – duke na dhënë disa sinjale se çfarë duhet të kërkojmë.

Deri më tani, dimë pak për përvojat që mund të çojnë në narcisizëm.

Heym thekson se studiuesit zakonisht thjesht pyesin njerëzit për fëmijërinë e tyre dhe përpiqen të nxjerrin përfundime nga kjo.

Idealja do të ishte ndjekja e njerëzve për një periudhë të gjatë kohe, duke dokumentuar me kujdes përvojat e tyre ndërsa monitorojnë edhe nivelet e narcisizmit.

Në mënyrë intriguese, një grup studiuesish ndoqi fëmijë për dy vjet dhe zbuloi se ata që kishin prindër që i mbivlerësonin, duke i lavdëruar se ishin më të veçantë se fëmijët e tjerë, kishin më shumë gjasë të shfaqnin më pas shenja narcisizmi. Po ashtu zbuluan se fëmijët që merrnin feedback kontradiktor – ndonjëherë të mbivlerësuar dhe ndonjëherë të nënvlerësuar – kishin më shumë gjasë të zhvillonin narcisizëm të ndjeshëm.

Ndërkohë që narcisizmi madhështor është më i zakonshëm te burrat, narcisizmi i ndjeshëm është më i zakonshëm te gratë. Por kjo formë është studiuar shumë më pak. “Madje edhe klinicistët e ngatërrojnë narcisizmin e ndjeshëm te femrat me çrregullime të personalitetit të tipit kufitar (borderline),” thotë Hart.

Plani i lojës

Po si të sillemi me një person me tipare të forta narcisiste? A mund ta ndihmojmë të bëhet më pak narcisist?

Meqë narcisizmi është pjesë e karakterit, është i vështirë për t’u trajtuar. Ndërsa karakteri ynë ndryshon paksa me kalimin e kohës, ai formësohet shumë nga përvojat në rini – dhe kjo e bën më të vështirë trajtimin e çrregullimeve të personalitetit, përfshirë narcisizmin.

“Me çrregullimin e stresit post-traumatik, për shembull, ne e dimë se çfarë e shkakton dhe mund të punosh me atë faktor,” thotë Heym. “Por me personalitetin, nuk ka një shkaktar të caktuar – thjesht është diçka që formohet gjatë 20 viteve të para të jetës.”

Studimet kanë treguar se njerëzit mund ta ndryshojnë paksa karakterin e tyre duke vepruar në një mënyrë që forcon një tipar të caktuar (p.sh. të flasësh me njerëz të rinj çdo ditë për t’u bërë më ekstrovert). Por është e vështirë të thuhet nëse njerëzit me tipare narcisiste duan të ndryshojnë – apo nëse këto ndryshime zgjasin.

“Është thuajse e pamundur të reduktosh narcisizmin përgjithmonë,” thotë Hart. “Ajo që duhet të bësh është të përpiqesh të rritësh empatinë.” Ajo shpjegon se meqë këta njerëz tashmë e zotërojnë aftësinë për të ndjerë empati, çdo ndërhyrje duhet të fokusohet në motivimin e tyre për ta përdorur atë.

“Ne kemi punuar për vite të tëra për ta bërë empatinë më tërheqëse për narcisistët,” thotë ajo.

Hart dhe kolegët e saj thonë se programet duhet ta rikonceptojnë empatinë si diçka që u sjell dobi narcisistëve – për shembull, duke u treguar se të shohësh nga perspektiva e të tjerëve ndihmon për të qenë lider më i mirë apo për të pasur sukses në biznes. / bota.al

Back to top button