Ishte kapiteni i Atletico Nacionál dhe i Kolumbisë së Maturana, që ndoshta do të kishte veshur edhe fanellën e Milanit: por u vra pas Botërorit USA ’94
“Jeta nuk është ajo që jetohet, por ajo që kujtohet dhe si kujtohet për ta rrëfyer”. Fjalët e një aforizme të famshme të Gabriel García Marquez, shkrimtar dhe nobelist kolumbian, i përshtaten plotësisht ndodhisë jetësore dhe futbollistike të Andrés Escobar, mbrojtësit të pafat kolumbian të vrarë në moshën 27 vjeçare pse kishte shkaktuar me një autogol eliminimin e Cafeteros-ve nga Botërori i 1994, mbi të cilin qenë vënë shuma të jashtëzakonshme parashë në rrethin e basteve klandestine.
Pavarësisht një ekzistence tejet të shkurtër, e ndërprerë në mënyrë të tmerrshme me një akt të poshtër e të dhunshëm, që do të gjejë drejtësi vetëm më 2018, mësimi dhe vlerat që Andrés u ka transmetuar të gjithëve, familjarë, shokë, miq dhe futbollit e sportit kolumbian, janë më shumë se kurrë të gjalla e aktuale edhe 26 vite pas vdekjes tragjike. Kjo është historia e tij, një histori dashurie për futbollin dhe për jetën, që lidhet pashmangshmërisht me atë të shtetit kolumbian.
Narkofutbolli dhe Botërori USA ’94
Si në një udhëtim sëprapthi, rrëfimi i ndodhisë së Andrés fillon domosdoshmërisht nga epilogu i tij, domethënë Botërori USA ’94 dhe nga sa ndodh menjëherë më pas. Është data 22 qershor dhe në “Rose Bowl” të Los Angeles, i njëjti ku disa javë më pas Roberto Baggio do të gjuante lart penalltinë vendimtare të finales së madhe kundër Brazilit, re të zeza rëndojnë mbi kombëtaren e trajnerit Francisco Maturana. Kolumbia, e nënkuptuar si shtet, në 1994 ishte një fuçi baruti e gatshme që të shpërthente. Vrasja e “El Patrón”, Pablo Escobar Gaviria, mbretit të pakundërshtueshëm të narkotrafikut më 2 dhjetor 1993, kishte bërë që të shpërthente lufta për supremacinë në tregun e kokainës, duke shkaktuar në vendin latinoamerikan një valë gjaku dhe terrori. Në muajt pak përpara Botërorit amerikan ishte regjistruar ngjitja e Los Pepes, akronim spanjisht për “Perseguidos por Pablo Escobar”, fjalë për fjalë “Të persekutuar nga Pablo Escobar”.
Ky ishte emri i një organizate paraushtarake, që kishte lidhje me DEA e CIA, gjithmonë e impenjuar në një luftë të përgjakshme kundër Kartelit të Medellin, kishte dalë në skenë prej një serie krimesh mizore kundër të afërmve dhe aleatëve të bosit dhe, pas vdekjes së këtij të fundit, nën egjidën e Vëllezërve Castaño kërkonte që të çonte përpara luftën e armatosur kundër grupeve të tjera guerrilase të pranishme në vend. Bashkëpunimit të Los Pepes i shërben në mënyrë gjithnjë e më konsistente Karteli i Cali, që brenda pak muajsh arrin të marrë kontrollin e narkotrafikut kolumbian.
Klima e terrorit që pason nuk kursen askënd, as kombëtaren e futbollit, që në fakt shkonte në Shtetet e Bashkuara me objektivin e pastrimit të imazhit negativ të vendit të saj në nivel ndërkombëtar. Për sa mund të duket e pabesueshme, në largësinë e kohës, Kolumbia nuk është më skuadra që kishte magjepsur botën duke mundur Argjentinën në shtëpinë e saj, aq sa ta bënte Pelé të deklaronte: “Kolumbia është favoritja ime për t’u bërë kampione bote”. Sikur Pablo Escobar të kishte qenë ende gjallë, për sa paradoksale, ndoshta gjërat në atë Botëror do të mund të kishin ecur ndryshe. Në fakt, Il Patrón ishte financuesi i Atletico Naciónal dhe kishte rezultuar i aftë në ndërtimin e një skuadre në gjendje që të fitonte në Amerikën e Jugut dhe në botë, aq sa konkurronte me Milan e Sacchi më 1989 Kupën Ndërkontinentale pasi kishte triumfuar në Coppa Libertadores.
Baroni i drogës i pëlqenin futbollistët, aq sa t’i ftonte shpesh në superfermën e tij për të festuar fitoret dhe të arrinte të organizonte një ndeshje me Cafeteros-ët në fushën “La Catedral”, burgun kështjellë të Medellin, në të cilin mbahej i dënuar Pablo. Dhe futbollistët, kush më shumë e kush më pak, i qenë mirënjohës për çfarë bënte për klubin. Por baroni i narkotrafikut ishte vrarë dhe qysh atëhere gjërat patën ndryshuar rrënjësisht. Futbolli i mundësonte pjesës tjetër të narkotrafikut që të pastronte paratë e pista nga shitja e kokainës dhe i dhuronte baronëve të drogës popullaritet të madh. Rivale e fortë e Atletico Nacionál ishte America Cali e Miguel Rodríguez, bashkë më vëllain një prej themeluesve të Kartelit të qytetit me të njëjtin emër. Pastaj ishte “Meksikani”, José Gonzalo Rodríguez Gacha, bos dhe krah i armatosur i Kartelit të Medellin, me “Millonarios” të Bogotà.
Veç kësaj, Kolumbia që paraqitet në Botërorin e 1994 është jetime nga René Higuita. Portieri ikonë, që pavarësisht poshtërimit të Milla në Italia ’90, ishte perfekt për lojën e Maturana prej aftësisë së tij për të lëvizur me topin midis këmbëve, duhet të vuajë më 1993 një periudhë dënimi me burg prej 7 muajsh pse kishte vepruar si ndërmjetës në kidnapimin e një personi. Por në të vërtetë duket se paguan për faktin që i ka bërë publikisht një vizitë në burg Pablo Escobar. Gjithashtu, René nuk është në Shtetet e Bashkuara dhe në vendin e tij luan Oscar Cordoba i America Cali, që kishte luajtur mirë në kualifikime dhe në vite do të demonstrohet një portier i mirë. Por botërorët e tij do të jenë katastrofikë. Pastaj ndodhin gjëra shqetësuese. 3 muaj përpara Botërorit, Luis Fernando Herrera, mbrojtës i Atletico Nacionál, pëson rrëmbimin e djalit 3 vjeçar. Shuma për ta liruar është e madhe dhe futbollistit i duhet që të bëjë apel prekës në televizor përpara se t’i sigurojë lirimin.
SHBA – Kolumbi dhe autogoli i pabesueshëm i Escobar
Favoritë në vigjilje të turneut prej futbollit të shprehur në grupe, ku kanë dominuar Grupin A jugamerikan duke shpartalluar Argjentinën 5-0 në Monumental të Buenos Airesit, Cafeteros-ët vijnë në Botëror me presione shumë të mëdha. Maturana ja beson mbrojtjen Andrés Escobar, kapiten dhe lojtar – simbol i Atletico Nacionál. Lideri i heshtur e karizmatik i Kolumbisë prej vlerave të tij futbollistike e morale, kthehet pasi është detyruar në një ndalim të gjatë pas dëmtimit të kaviljes. Escobar dhe shokët dështojnë bujshëm ndeshjen e debutimit me Rumaninë, ku humbasin 3-1 pas goditjeve të Hagi e Raducioiu, dhe detyrohen të luajnë gjithçka kundër zotërve të shtëpisë amerikanë. Por ajo ndeshje nuk është si gjithë të tjerat, pasi në vendin e grumbullimit të kombëtares jugamerikane ndodhin gjëra që e destabilizojnë më tej qetësinë e grupit.
Vëllai i Luis Fernando Herrera, sërish ai, deri është vrarë. Jo vetëm: thuhet se pas ndeshjes me Rumaninë, në televizorët me qark të mbyllur të pranishëm në hotelin ku strehohen kolumbianët, shfaqen pamje eksplicite kërcënimi. Një futbollisti tjetër të Nacionál, mesfushorit Gabriel Jaime Gomez, të cilit kritika do t’i atribuonte përgjegjësitë kryesore të humbjes me Rumaninë, dhe vetë trajnerit Maturana, i dërgohen kërcënime me vdekje. “Në rast se luan Gomez, shkruajnë në një faks të dërguar Cafeteros-ve, do të hedhim ne erë shtëpinë tënde dhe atë të trajnerit Maturana”. Ky i fundit dhe lojtari, që është vëllai i zëvendësit të Maturana, dhe, për pasojë, i konsideruar si i “rekomanduar”, në mirëkuptim me pjesën tjetër të grupit, vendosin se nuk është rasti të rrezikohet. Gomez bën një hap prapa dhe e mbyll përpara kohe aventurën në Botëror.
Kolumbia zbret në fushën e “Rose Boël” praktikisht e mbështjellë nga frika dhe nga presionet e jashtme. Andrés është i nxirë në fytyrë dhe duket se e ka humbur qetësinë e tij proverbiale. Kur nis ndeshja kjo konfirmohet. Cafeteros-ët, të katërtit në renditjen e FIFA prej rezultateve të jashtëzakonshme të 2 viteve të fundit, sulmojnë me kokën ulur Shtetet e Bashkuara, skuadër që shumë herë e kanë mundur në miqësore. Por kushdo e kupton se ka diçka anormale. “Na qëndron përsipër si një dorë e madhe e zezë”, do të thonë më pas lojtarët. Për fitoren e Kolumbisë narkotrafikantët e Kartelit të Cali venë shuma të mëdha parashë. Maturana dërgon në fushë: Cordoba, Perea, Herrera, Escobar, Perez, Rincon, Gaviria, Valderrama (që mban shiritin e kapitenit), Alvarez, De Avila, Asprilla. Kolumbia sulmon si e ndërkryer, por ndeshet me fatin e keq: Gaviria godet shtyllën nga një distancë e afërt; pas kthimit nga shtylla, De Avila godet i sigurtë, por bllokohet nga shpëtimi i dëshpëruar i portierit amerikan Balboa në vijën fatale.
Kurse nga ana tjetër ndodh e pamundura. Në të 35′ një gabim i mesfushës kolumbiane liron Harkes nga e majta. Lojtari amerikan kroson ulët dhe fort dhe Andrés gjendet në vendin e gabuar në momentin e gabuar. Kërkon një shpëtim në spaarkatë, por në vend që të dalë jashtë fushe apo të largohet nga zona, topi i kërcen mbi këmbën e djathtë dhe, me Cordoba komplet gafil, drejtohet ngadalë drejt portës së gabuar. Mbrojtësi qëndron gjatë i shtrirë, duke vënë duart në fytyrë prej hidhërimit. Sigurisht që nuk mund ta imagjinojë se çfarë do t’i ndodhë vetëm pak ditë më pas.
Vendimtar, po të shikosh pamjet, moskuptimi me portierin. Ndoshta me Higuita nuk do të kishte ndodhur. Në 52′ Steëart dyfishon dhe goli i nderit i Valencia në finale nuk e bën më pak të dhimbshme humbjen. Kolumbia e “Gjeneratës së Artë”, e futur nga bookmakers midis fituesve të mundshëm, ishte praktikisht jashtë Botërorit. I duhet një mrekulli dhe nuk i mjafton suksesi 2-0 më Zvicrën. Rumania fiton ndaj Shteteve të Bashkuara dhe kualifikohet si e para, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Zvicra me nga 4 pikë kalojnë të dyja në turin tjetër. E katërta, Kolumbia kthehet në shtëpi. Çuditërisht, Cafeteros-ët janë jashtë Botërorit.
Xhentëlmeni i futbollit
Ai me Shtetet e Bashkuara është autogoli i vetëm i të gjithë karrierës së Escobar, i mbiquajtur “El Caballero de la cancha”, domethënë “Xhentëlmeni i futbollit”. I lindur më 13 mars 1967 dhe i rritur në lagjen Calasanz të Medellin, Andrés dallohet si në fushën e futbollit, ashtu edhe në bangat e shkollës si student model. E ëma i jep edhe një edukim fetar. Vdekja e saj në moshën 52 vjeçare prej një tumori do të shënojë për futbollistin e ardhshëm një traumë të dhimbshme, që do t’i forcojë karakterin dhe kurajën. Por, në një moment të caktuar, Andrés vendos megjithatë të ndjekë ëndrrën e tij futbollistike. Fizik i zhdërvjelltë, i shpejtë dhe i fortë me kokë, por sidomos i pajisur me personalitet dhe kurajë të madhe, kur Maturana e lançon në moshën 20 vjeçare si titullar në Atletico Nacionál më 1987, nuk e humb më vendin në skuadër dhe bëhet një prej interpretuesve më të rëndësishëm të epopesë së Los Verdolagas, skuadrës që në harkun e pak viteve, falë edhe parave të një Escobar tjetër, shndërrohet në një fuqi futbollistike botërore.
Fillon të luajë edhe në Kombëtare dhe në 1988 shënon një gol historik në Wembley për Cafeteros-ët. Por viti i artë është 1989, gjatë të cilit fiton Coppa Interamericana dhe Copa Libertadores, këtë të fundit duke mundur 5-4 me penallti paraguajanët e Olimpia Asunción. Andrés trasformon me ftohtësi penalltinë e parë për të tijët. Më pas, në finalen e Coppa Intercontinentale kundër Milan neutralizon Van Basten, që ndryshe nga zakonisht nuk arrin të bëjë diferencën në këtë ndeshje. Gjithmonë i ndjeshëm ndaj më të varfërve e më nevojtarëve, nuk e koncepton dot se ekzistojnë fëmijë që nuk mund të studiojnë, kështi që financon ish shkollën e tij për të dhënë bursa studimi. Në periudhën 1989/90, përpara Botërorit italian, që luan me Cafeteros-ët, bën një përvojë të shkurtër në Zvicër me Young Boys, por më pas kthehet në atdhe. Botërori i 1994 do të duhej ta konsakronte në panoramën ndërkombëtare, ndërkohë që do t’i japin dënimin absurd me vdekje.
Vrasja, funerali dhe testamenti shpirtëror
Pas eliminimit në fazën e grupeve, Escobar kthehet në Kolumbi më 29 qershor me shokët e tjerë të skuadrës. Me rekomandimin që të mos largohet nga banesat e tij për një farë kohe, duke parë situatën e kaosit dhe terrorit që mbretëron në vend. Andrés projekton atëhere të ardhmen e tij bashkë me të fejuarën e tij Pamela Cascardo, e cila punon si dentiste. Në plane është martesa dhe më pas ardhja në Itali: i ka ardhur në fakt një ofertë nga Milan. Baresi është afër largimit, kërkohet një trashëgimtar i tij. Por mbrëmjen e 1 korrikut mbrojtësi vendos që të dalë nga shtëpia, pavarësisht se shokët e skuadrës i kërkojnë të ndërrojë mendje: “Këtu konfliktet nuk zgjidhen me mendjelehtësi, Andrés, qëndro në shtëpi se është më mirë”. I lutet edhe Maturana. Por mbrojtësi e ka ndarë mendjen: “Dua t’i tregoj fytyrën njerëzve të mi”.
Pasi ka shkuar nëpër disa bare bashkë me disa shokë të fëmijërisë me të cilët qëndron gjatë, lë takim me të gjithë në diskotekën “Padova”. Kalon që të marrë Pamelën, por ajo është shumë e lodhur nga puna dhe preferon që të qëndrojë në shtëpi të pishojë. Escobar arrin në diskotekë në orën 22 e 30 minuta ta natës. Pasi ka ngrënë një darkë të lehtë me miqtë e tij dhe ka rigjetur buzëqeshjen me tifozët që e duan shumë, në një moment të caktuar mbetet i vetëm në lokal. Ka kaluar ora 3 e 30 minuta e mëngjesit e 2 korrikut dhe gjëja e sigurtë është se ka një diskutim verbal me subjekte pak të rekomandueshëm. Janmë vëllezërit Gallón Henao, narkotrafikantë fillimisht miq të Escobar, por që pas vdekjes së tij bëhen financues të Los Pepes të vëllezërve Castaño, organizatës paraushtarake e bërë aleatë me Kartelin e Cali.
E tallin dhe e përqeshin prej autogolit me Shtetet e Bashkuara. E quajnë deri “frocio”, të shitur dhe i kujtojnë se me atë autogolin e tij të mallkuar e ka bërë të gjithë Kolumbinë të humbasë para, por sidomos ata. Andrés, që edhe ka pirë pak, nuk pranon dhe, siç ka bërë gjithmonë, përballet me kurajo dhe kërkon respekt. Ama e kupton se është rasti që të kthehet dhe shkon në parkimin ku ka lënë makinën. Por në një farë mënyre diskutimi vazhdon. Andrés është i çarmatosur. Ndërsa hipën në makinën e tij, dikush nga një makinë tjeët, që më pas do të zbulohet se ishte një Toyota Land Cruiser i zi, i thërret: “Urime për autogolin!”. Pasojnë 6 të shtëna automatiku, që i shkaktojnë vdekjen, duke e marrë në kurriz, pavarësisht se dërgohet në spital. Ka veshur xhinse blu, një këmishë rozë që lyhet në ghak dhe i ka duart që i mbulojnë fytyrën. Pamela, e fejuara e tij, zbulon se është zgjuar plot ankth atë natë: ndjen se i ka ndodhur diçka e keqe. Pak kohë më pas i vjen telefonata: Andrés i tij nuk jeton më. Vrasja e Escobar ngjall mallëngjim të madh në Medellin dhe në të gjithë Kolumbinë. Në funeralin e dy ditëve më pas merr pjesë një turme prej 150000 njerëzisht, midis të cilëve të gjithë tifozët e Atletico Nacionál, që e adhurojnë, dhe Presidenti i Kolumbisë César Gaviria Trujillo. “Andrés Escobar do të mbetet përgjithmonë në zemrat tona si një shembull integriteti moral, si një baba familjeje dhe si një kolumbian shembullor”, deklaron ai në mesazhin e tij prekës.
Por përgjegjësit e vrasjes nuk gjenden. Në vitin 1995 Humberto Munoz Castro, një roje private, vetëakuzohet për krimin. Dënohet me 43 vite burg, por do të bëjë vetëm 11 prej sjelljes së mirë, duke dalë kështu më 2005. Qartazi që nuk ekzistojnë lidhje me narkotrafikun, por e vërteta do të dalë vetëm pas 24 vitesh. Më 2018 policia arreston Juan Santiago Gallón Henao me akuzën e trafikut ndërkombëtar të kokainës. Zbulohet se është pronari i makinës me të cilën janë arratisur vrasësit e Andrés, se ja qenë ai që i ka urdhëruar vrasjen pasi me atë autogol Karteli i Cali kishte humbur shuma të majme parashë me bastet klandestine. Dalin në dritë lidhjet me Los Pepes dhe Kartelin e Cali. “Popeye”, vrasësi me pagesë i Pablo Escobar, do të zbulojë veç “Guardian” se vëllezërit Pedro dhe Santiago Gallón Henao kishin arritur t’i devijonin hetimet lidhur me ta duke korruptuar me 3 milion dollarë një prokuror. Rrethi mbyllet. Drejtësia më së fundi është bërë, anipese askush nuk do t’ua kthejë më Andrés të dashurve të tij, mësimet dhe shembulli i tij mbesin një shenjë akoma sot.
“Luftoj që të ruhet respekti. Një përqafim të fortë të gjithëve. Do të shikohemi shpejt pasi jeta nuk mbaron këtu”, kishte shkruar pak ditë përpara se të vdiste në letër – testamentin e tij dërguar nga Amerika së përditshmes “El Tiempo”. Dhe kishte të drejtë ai. Kartelet e narkotrafikut sot nuk janë më, grupet paraushtarake janë çmobilizuar dhe Kolumbia, pavarësisht se nuk mungojnë probleme të reja, e ka ndryshuar fytyrën e saj dhe nuk është më ajo e përgjakura e fillimviteve ’90. Më 2019 Andrés Escobar i është vënë emri qytetit sportive të Belén në Medellin dhe futbollisti është përjetuar në një statujë brenda tij të realizuar nga skulptori Alejandro Hernández. Sakrifica e tij nuk ka qenë e kotë: mbrojtësi është shndërruar në idhull dhe një shembull pë rata fëmijë që ai i donte shumë dhe që ëndërrojnë një ditë t’i imitojnë gjestet në fushën e blertë.
(Paolo Camedda për Goal.com)
Përgatiti: ARMIN TIRANA / bota.al