BotaMAIN

Ndërsa SHBA tërhiqet, Europa duhet të kujdeset për veten – a është përgjigja oferta bërthamore e Macron-it?

Zhvillimi i një mburoje të përbashkët do të ishte politikisht shpërthyes për Keir Starmer. Por është një ide të cilës i ka ardhur koha.

Përçmimi i habitshëm për shqetësimet e intensifikuara të sigurisë europiane që ka shfaqur nga Donald Trump dhe bashkëpunëtorët e tij, ka rikthyer në vëmendje një pyetje të vjetër dhe të debatuar: a duhet që Britania dhe Franca të bashkojnë kapacitetet e tyre bërthamore dhe të krijojnë një mburojë mbrojtëse për të gjithë Europën, për të zmbrapsur Rusinë e Vladimir Putinit, nëse SHBA e redukton ose tërheq mbështetjen e saj?

Trumpi nuk ka kërcënuar ende drejtpërdrejt se do të shkurtojë forcat bërthamore amerikane të vendosura në Europë. Por, javën e kaluar presidenti tha se dëshironte të përgjysmone shpenzimet e mbrojtjes së SHBA, veçanërisht ato për armët bërthamore. Trumpi shpesh e përbuz NATO-n, gurin themeltar të sigurisë europiane. Vitin e kaluar, ai inkurajoi Rusinë “të bëjë çfarë të dojë” me shtetet anëtare që, sipas tij, shpenzojnë shumë pak për mbrojtjen.

Pete Hegseth, sekretari amerikan i mbrojtjes, paralajmëroi ministrat e mbrojtjes së NATO-s në Bruksel, se mbrojtja e Europës nuk ishte më një prioritet strategjik dhe ngriti mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane. Në një fjalim fyes në konferencën e sigurisë në Mynih, ai minimizoi kërcënimin e paraqitur nga Rusia. Amerikanët nuk do të jenë më “budallenjtë” e europianëve, tha ai.

Këto sulme të paprecedenta mbi lidhjet SHBA-Europë kanë shkaktuar frikë të vërtetë për një prishje të dëmshme dhe ndoshta të përhershme me Uashingtonin. Është në këtë sfond të paqëndrueshëm që presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thirrur një samit urgjent në Paris me liderët europianë, përshirë Keir Starmer. Takimi pritet të fokusohet tek Ukraina, mbrojtja e saj e ardhshme dhe përjashtimi i parashikuar i Europës nga “bisedimet e paqes” të SHBA me Rusinë, që priten javën e ardhshme.

Megjithatë, një çështje edhe më e madhe qëndron mbi samitin: si të organizohet më mirë mbrojtja kolektive e Europës në kushtet e një mbështetjeje të reduktuar, të pasigurt ose joekzistente nga SHBA dhe kërcënimeve të hapura bërthamore nga Rusia. Boris Pistorius, ministri gjerman i mbrojtjes, ka parashikuar që Putini mund të sulmojë të paktën një vend të NATO-s brenda pesë viteve të ardhshme. Polonia dhe republikat baltike ndajnë frikëra të ngjashme.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka kërkuar që të 32 vendet anëtare të rrisin shpenzimet e mbrojtjes. Shumë prej tyre, përshirë Britaninë, duken të gatshme ta bëjnë këtë. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i zhgënjyer nga ajo që shumë në Kiev e shohin si tradhti nga SHBA, tha në konferencën e Mynihut se ishte koha për krijimin e një “ushtrie europiane”. Kjo pasqyron idetë që Macron ka promovuar prej kohësh, për një mbrojtje europiane më e integruar, e zgjeruar dhe e pavarur nga SHBA.

Macroni po udhëheq debatin mbi një mburojë bërthamore pan-europiane. Ai i dha një peshë të re idesë në një fjalim të vitit 2020 në École de Guerre në Paris, kur sugjeroi një “dialog strategjik me partnerët tanë europianë … mbi rolin që luan dekurajimi bërthamor francez në sigurinë tonë kolektive”. Ai e ka përsëritur ofertën në 2022 dhe vitin e kaluar.

Propozimi i Macron-it ngre pyetje komplekse. Kush mund të urdhërojë përdorimin aktual të armëve “të europianizuara” bërthamore? Kush do ta paguajë për një forcë të tillë, veçanërisht nëse duhet modernizuar dhe zgjeruar? A do ta përkeqësonte kjo situatën, duke përshpejtuar tërheqjen e SHBA?

Por, siç argumenton analisti i mbrojtjes Joseph de Weck në Internationale Politik Quarterly, qeveritë duhet të gjejnë zgjidhje për krizën e thellë të sigurisë europiane. “Ndoshta europianët nuk kanë më kohë për gradualizëm në integrimin e sigurisë,” shkroi ai. Shtrirja e garancive bërthamore franceze dhe britanike për të gjithë Europën, përshirë Ukrainën, është një ide të cilës i ka ardhur koha. / The Guardian

Back to top button