Analiza

Ndeshje “hockey” me Putinin

Thomas L. Friedman

playing hockey with putinPak përpara Olimpiadës së Sochit, presidenti rus, Vladimir Putin luajti një ndeshje hockey atje. Parë në retrospektivë, është e qartë që po bënte nxemjen për pushtimin e Krimesë. Gjeopolitikisht, Putini nuk më duket si një lojtar shahu. Ai preferon hockeyn, pa arbitër, ku goditjet me bërryl, rrëzimet dhe përplasjet lejohen të gjitha. Mos shkoni kurrë në një ndeshje hockey me Putinin, dhe të prisni që të luhet me rregulla futbolli. Beteja për Ukrainën është një ndeshje hockey, pa arbitër. Nëse duam të luajmë – ne, europianët dhe ukrainasit properëndimorë duhet të jemi seriozë. Nëse nuk jemi, duhet t’u themi ukrainasve që tani: Bëni ujdinë më të mirë që të mundeni me Putinin.

A jemi seriozë? Varet nga kuptimi i fjalës “serioz”. Fillon me pranimin, cfarë shtytje e madhe do të ishte që të ndihmoheshin ata ukrainas që dëshirojnë të clirohen prej orbitës së Rusisë. A jemi gati ne dhe aleatët tanë – përmes Fondit Monetar Ndërkombëtar – që të financojmë nevojat masive të rindërtimit dhe ato për energji të Ukrainës, afro 14 miliardë dollarë si fillim, duke ditur që këto para po shkojnë për një qeveri ukrainase që, përpara se të rrëzohej presidenti i mëparshëm, renditej e 144-a nga 177 vende në listën e Transparency International, të vendeve më të korruptuar në botë, në një nivel me Nigerinë?

Vec kësaj, ne nuk mund ta ndihmojmë Ukrainën nëse ne dhe Bashkimi Europian nuk kemi një strategji sanksionesh ekonomike – që kërkon të sakrifikojmë – për të dëmtuar Putinin dhe Putinizmin, sepse Ukraina nuk do të ketë asnjëherë vetëvendosje, sa kohë që Putini dhe Putinizmi do të jenë të fortë.

Politika e jashtme dhe politika e brendshme e Putinit janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën: politika e tij e brendshme  ezhvatjes së Rusisë dhe qëndrimit në pushtet me të ardhurat e shitjes së naftës dhe gazit, pavarësisht një ekonomie të dobët, duket se kërkon aventura si ajo e Ukrainës që i fryjnë nacionalizmit dhe ndjenjave antiperëndimore, për të shpërqëndruar publikun rus. Dhe a jemi edhe ne gati që të luajmë pisët? Putini është i zënë duke përdorur ukrainasit prorusë që të pushtojnë ndërtesa qeveritare në Ukrainën Lindore – për të shtruar rrugën për një pushtim rus atje, apo për një kontroll de facto nga aleatët e Rusisë.

Së fundit, të jesh serioz në lidhje me Rusinë do të thotë të mësojmë nga gabimi ynë pas rënies së Murit të Berlinit. Këtë gabim e bëmë kur menduam që mund ta zgjeronim NATO-n – kur Rusia ishte në momentin e saj më të dobët dhe më demokratik – dhe që rusët nuk do e kishin problem. Ishte gabim kur menduam që mund ta trajtonim një Rusi demokratike si armik, a thua se Lufta e Ftohtë vazhdonte, dhe të prisnim që Rusia të bashkëpunonte me ne – dhe të mos prodhonim një kundërgoditje antiperëndimore si Putinizmi.

Historiani Walter Russell Mead ka thënë një një postim në internet: “Pikëpyetjet e mëdha që Perëndimi nuk i ka përballuar asnjëherë janë: Cila është politika jonë ndaj Rusisë? Ku e sheh Perëndimi Rusinë, në rendin ndërkombëtar? Që kur u morën vendimet për zgjerimin e NATO dhe BE nga ana e administratës Clinton, politika perëndimore kundrejt Rusisë… kishte dy projekte të mëdhenj në hapësirën postsovjetike: NATO-ja dhe BE-ja do të zgjeroheshin në zonat që ishin dikur nën Paktin e Varshavës dhe në ish Bashkimin Sovjetik, por vetë Rusia përjashtohej nga të dyja… Sic e kanë thënë shumë njerëz në vitet tridhjetë, kjo ishte një strategji në kërkim të telasheve”.

Një prej atyre që e theksoi këtë gjë ishte George Kennan, arkitekti i strategjisë së frenimit dhe kundërshtar i zgjerimit të NATO-s. Unë vetë e intervistova në 2 maj 1998, menjëherë pasi senati ratifikoi zgjerimin e NATO-s. Kennan ishte 94 vjec. Kishte qenë ambasador i SHBA në Moskë. Ai e dinte që nuk po tregoheshim seriozë.

“Mendoj që është fillimi i një tjetër Lufte të Ftohtë”, më tha për zgjerimin e NATO-s. “Mendoj që rusët do të reagojnë gradualisht në kundërshtim, dhe kjo do të ketë ndikim në politikat e tyre. Mendoj që është një gabim tragjik. Nuk kishte asnjë arsye për ta bërë këtë. Askush nuk po kërcënonte askënd. Ky ekspansion do i bënte të lëviznin atje ku prehen, baballarët e këtij kombi. Kemi firmosur të mbrojmë një sërë shtetesh, ndonëse nuk kemi as burimet, as qëllimin për ta bërë këtë në mënyrë serioze. Zgjerimi i NATO-s ishte thjeshtë një veprim i pamenduar i një Senati që nuk ka një interes real në cështjet e jashtme”.

Ajo që më shqetëson është se sa sipërfaqësor dhe i keqinformuar ishte i gjithë debati në Senat”, vazhdoi Kennan. “Më shqetësuan vecanërisht idetë që e shohin Rusinë si një vend që po vdes të sulmojë Europën Perëndimore. A nuk e kuptojnë njerëzit? Dallimet tanë në Luftën e Ftohtë ishin me regjimin komunist sovjetik. Dhe tani po u kthejmë shpinën po atyre njerëzve që zhvilluan revolucionin më të madh pa gjakderdhje në histori, për të rrëzuar atë regjim sovjetik. Dhe demokracia e Rusisë është po aq e përparuar, në mos më e përparuar, se sa demokracitë e po atyre vendeve që ne sot firmosim të mbrojmë nga Rusia. Tregon kuptim të mangët të historisë së Rusisë dhe të historisë sovjetike. Sigurisht që do të ketë një reagim të keq nga Rusia, dhe atëherë ata që duan zgjerimin e NATO-s do të thonë që, a ju thamë që kështu janë rusët – por po ju them që kjo është shumë e gabuar”.

Kemi nevojë për një strategji për të ndihmuar Ukrainën dhe dëmtuar Putinizmin sot – dhe për të riintegruar Rusinë nesër. Eshtë një barrë shumë, shumë e madhe. Kështu që, le të jemi të ndershëm me veten dhe me ukrainasit. Nëse Putini po luan hockey dhe ne jo, ukrainasit duhet ta dinë këtë gjë sot.

Leave a Reply

Back to top button