Anglia e epokës së revolucionit industrial kishte shumë martesa të pakënaqura, por divorci ishte një proces i gjatë dhe i shtrenjtë që nuk ishte i përballueshëm për klasat e ulëta. Prandaj, ata krijuan një traditë të re: shitja e bashkëshortes.
Koncepti u shfaq rreth mesit të viteve 1700 dhe u bë popullor gjatë shekullit të 19-të. Kjo nuk ishte një procedurë zyrtare dhe asnjëherë nuk e zgjidhte ligjërisht martesën. Megjithatë, shumica e magjistratëve vendorë ishin të gatshëm të bënin një sy qorr, pasi të dy burri dhe gruaja duhej të binin dakord mbi shitjen.
Një nga rastet më të njohura të shitjes së gruas ndodhi më 7 prill 1832, kur një fermer me emrin Jozef Thomson shiti gruan e tij në Carlisle. Veprimtaria u paraqit në edicionin e vitit të Regjistrit Vjetor dhe më vonë u botua në Librin e Ditëve të Robert Chambers, një përmbledhje popullore e kurioziteteve, çudive dhe anekdotave nga jeta britanike.
Sipas rrëfimit, Thomson shkoi në Carlisle dhe njoftoi synimin e tij për ta nxjerrë në ankand gruan e tij për “ofertuesin më të lartë dhe më të ndershëm”. Pasi u mblodh një turmë mjaft e madhe, ai vazhdoi të ekspozonte gabimet dhe virtytet e saj. Gjatë gjithë kohës, gruaja ishte ulur në një karrige të madhe me një litar rreth qafës së saj. Ankandi zgjati rreth një orë, dhe në fund, Thomson shiti gruan e tij tek Henry Mears për 20 shilinga dhe një qen Njufaundlend. / Bota.al