Edhe me një smartphone dhe Google në majë të gishtave, disa gjëra janë thjesht të vështira për t’u rrokur nga truri juaj. Merrni, për shembull, idenë në dukje të pamundur që energjia nuk rrjedh vazhdimisht, por lëshohet në paketa të quajtura kuante. Apo idenë që tërësia e kozmosit, e cila përfshin rreth 93 miliardë vite dritë, mund të jetë vetëm njëri, në një mori universesh paralele.
Pikërisht këtu hyn Michio Kaku. Fizikani ka ndërtuar një karrierë të fuqishme si një popullarizues i shkencës në tregun masiv, duke zgjidhur disa nga konceptet më të ndërlikuara të fizikës dhe duke i përmirësuar ato për publikun. Libri i tij i fundit, “Ekuacioni i Zotit”, përshkruan përpjekjen e gjatë për të krijuar një “teori të gjithçkasë” që do të kombinonte modelin e relativitetit të përgjithshëm të Ajnshtajnit me teorinë kuantike, dhe potencialisht do të zhbllokonte kuptime të reja të hapësirës dhe kohës.
Kaku flet rreth asaj që e magjepste kur ishte fëmijë, pse grimcat nënatomike janë si shënime në një varg vibrues dhe çfarë mund të mësojmë nga fantashkenca.
Në librin tuaj ju flisni për në teori gjithëpërfshirëse të gjithçkasë, që e shihni si gralin e shenjtë të Fizikës. Pse është kaq e rëndësishme një teori e tillë?
Kur Njutoni përpunoi ligjet e gravitetit dhe të mekanikës, ai vuri në lëvizje atë që përfundimisht u bë Revolucioni Industrial, i cili e nxori njerëzimin nga mjerimi dhe varfëria agrare. Kur Maksuelli dhe Faradei përpunuan ligjet e elektricitetit dhe magnetizmit, ata vunë në lëvizje Revolucionin Elektrik, i cili na dha energjinë elektrike, radion, TV, dinamon dhe gjeneratorët. Kur Heisenberg dhe Schrödinger përpunuan ligjet e kuantit dhe atomit, që na dhanë lazerin, transistorët, kompjuterët dhe internetin. Pra, sa herë që fizikanët shpjegojnë një forcë të natyrës, ajo ndryshon fatin e racës njerëzore dhe ekonomisë botërore.
Dhe tani, jemi në prag të një teorie të gjithçkasë, e cila mund të bashkojë të gjitha forcat e universit nëpërmjet një ekuacioni ndoshta jo më shumë se 2.5 cm të gjatë. Përfundimisht, kjo mund të ndryshojë edhe një herë fatin e njerëzimit.
Mund t’u përgjigjet gjithashtu pyetjeve më të thella rreth universit, si p.sh.: A mund ta thyejmë barrierën e dritës dhe të arrijmë yjet? Çfarë ndodhi para Big Bengut? A ka universe dhe dimensione të tjera? A është i mundur udhëtimi në kohë?
Kërkimi për këtë teori ka magjepsur disa nga shkencëtarët më të famshëm të historisë. Çfarë pati tek kjo teori e gjithçkasë, që ndezi fillimisht imagjinatën tuaj?
Kur isha 8 vjeç, ndodhi diçka që më ndryshoi jetën. Të gjitha gazetat thoshin se një shkencëtar i madh sapo kishte vdekur. Por ata printuan një foto të tavolinës së tij, me një libër të hapur. Me kalimin e viteve, zbulova se emri i këtij njeriu ishte Albert Einstein dhe se ky libër ishte teoria e papërfunduar e unifikuar e fushës, e cila mund të bashkonte të gjitha ligjet e natyrës në një ekuacion të vetëm. Më duhej të dija se çfarë kishte në atë libër dhe pse ai nuk mundi ta përfundonte. Ky u bë fokusi i jetës sime.
Sot, kandidati kryesor (dhe i vetmi) për këtë teori të gjithçkasë quhet teoria e fijeve. Unë kam pasur privilegjin të punoj mbi këtë teori që nga viti 1968. Kontributi im ishte — së bashku me profesorin Keiji Kikkawa — për të krijuar teorinë e fushës së vargut, e cila mund ta përmbledhë teorinë e fijeve në një ekuacion rreth 2.5 cm të gjatë. Megjithatë, nuk është teoria përfundimtare, pasi tani e dimë se membranat mund të ekzistojnë së bashku me vargun.
Si do ta përshkruanit ju, Teorinë e Fijeve?
Për të kuptuar teorinë e fijeve, imagjinoni një llastik, i cili përfaqëson një elektron të vogël fare. Nëse e shtrini llastikun, ai dridhet në një frekuencë të saktë. Nëse e lëvizni, ai vibron në një frekuencë të ndryshme – quajeni atë një neutrino. Nëse e tundni përsëri, bëhet një frekuencë tjetër; quajeni atë një kuark. Në fakt, ekziston një numër i pakufizuar frekuencash në të cilat llastiku mund të vibrojë, që korrespondon me një numër të pafund grimcash të mundshme nënatomike.
Pra, të gjitha grimcat nënatomike të natyrës janë si nota muzikore në një varg të vogël vibrues. Thelbi i kësaj ideje u propozua mbi 2000 vjet më parë nga matematikani i madh Pitagora. Ai kuptoi se një tel i lirës (vegla muzikore) mund të dridhet me një numër të pafund notash muzikore, secila prej të cilave korrespondon me një frekuencë rezonance. Më pas ai propozoi se diversiteti i madh i materies që shohim rreth nesh nuk është gjë tjetër veçse harmonitë që gjenden në tela. Vetëm muzika, mendoi ai, ishte mjaft e pasur për të kuptuar kompleksitetin e madh të universit.
Libri juaj “Fizika e të pamundurës” eksploron besueshmërinë e koncepteve të ndryshme fantastiko-shkencore, si fushat e forcës, hiperhapësira dhe udhëtimi në kohë. Tani po jepni mësim në një kurs për fizikën e fantashkencës. Pse jeni tërhequr nga këto koncepte?
Kur isha 8 vjeç, të shtunën në mëngjes, shikoja serialin e vjetër Flash Gordon. Armë me rreze. Qytete në qiell. Rrezet e padukshme. Qytetet nën oqeane. Unë isha i magjepsur. Vite më vonë, kuptova se dy dashuritë e mia, teoria e unifikuar e fushës së Ajnshtajnit dhe fantashkenca, ishin të lidhura mes tyre. Për të kuptuar nëse fantashkenca është e mundur, e besueshme apo e pamundur, ju duhet fizika. Shkoja në filma fantastiko-shkencorë dhe numëroja ligjet e fizikës që shkeleshin.
A keni një teknologji apo koncept të preferuar të fantashkencës?
Romanet e mia të preferuara të fantashkencës, janë seria “Themeli” e Asimovit, sepse ato të detyrojnë të imagjinosh një qytetërim galaktik 50 000 vjet në të ardhmen, ku shpalosen ligje të reja të fizikës. Gjërat që ne i mendojmë të pamundura, mund të bëhen të mundura. Gjithçka mund të ndodhë. / Discover – Bota.al