“Ne gazetarët duhet të pushojmë së “qaravituri”. Sigurisht që Trumpi është një tip autoritar dhe kanosës, që do të bëjë të pamundurën për të na bërë të heshtim, “por nëse nuk shohim mbyllje të gazetave e revistave dhe arrestime të gazetarëve”, nuk ka arsye për panik. Nuk ke nevojë për një tryezë në Shtëpinë e Bardhë, për të gërmuar për prova që Trumpi po gënjen, apo po e përdor pozicionin e tij për të forcuar interesat e biznesit. Aksesi zyrtar nuk është gjithcka. “Përgjigja ndaj sulmeve kundër gazetarisë, është gjithmonë më shumë gazetari”
“Sundimi i mbretit Trump” ka filluar, shkruante Robert Reich në Salon.com – dhe gazetarët bëjnë mirë të kenë kujdes. Presidenti i ri i Amerikës nuk e fshehu përbuzjen e tij për mediat “e neveritshme” gjatë fushatës. Ai anuloi kredencialet e fushatës për mediat që e kritikonin, përgojoi gazetarë të ndryshëm, dhe premtoi që të zgjerojë ligjet për shpifje. Futja në Shtëpinë e Bardhë, s’ka bërë asgjë për të zbutur qëndrimin e Trumpit. Në një fjalim në selinë e CIA-s, në Langley, Virginia, fundjavën e kaluar, ai foli për një “luftë në vazhdim” me mediat. Sekretari i tij i shtypit, Sean Spicer, ndërkohë, sulmoi mediat, duke i akuzuar pa dëshmi mbështetëse, se kishin nënvlerësuar madhësinë e turmës në inaugurimin e presidentit.
Dhe stafi i Trumpit së fundmi bëri plane për të zhvendosur 50 gazetarët e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, nga zyra e tyre në West Wing, në një sallë më të madhe. Atje, Trumpi do të kishte mundësinë që të “hollonte” praninë e tyre me dhjetëra gazetarë dhe blogerët të krahut të djathtë, të cilët mund ta brohorasin e përgëzojnë në konferencat për shtyp. Pas një proteste, Trumpi e hodhi poshtë këtë plan javën e kaluar, por me siguri ai do të kërkojë për mënyra të tjera për të neutralizuar mediat kryesore, shmangur vëzhgimin, dhe shtrembëruar faktet. As mos kini dyshime, shkruante Jay Rosen në PressThink.org: për median “dimri po afrohet”.
Shtypi ia bëri vetes këtë gjë, shkruante George Neumayr në Uashington Examiner. Gjatë fushatës, gazetarët e njëanshëm bënë gjithçka që mundën për të penguar Trumpin që të fitonte. Që nga dita e zgjedhjeve, ata kanë punuar për ta delegjitimuar atë, një përpjekje që kulmoi në vendimin e turpshëm të BuzzFeed për të publikuar dosjen e akuzave të paverifikuara kundër presidentit të ri. Na vjen keq, por kur ju shkelin standardet themelore të gazetarisë, ju nuk keni “të drejtën e shenjtë që të thirreni në konferencat e shtypit”.
Ne gazetarët duhet të pushojmë së “qaravituri”, shkruante Josh Marshall në TalkingPointsMemo. Sigurisht që Trumpi është një tip autoritar dhe kanosës, që do të bëjë të pamundurën për të na bërë të heshtim, “por nëse nuk shohim mbyllje të gazetave e revistave dhe arrestime të gazetarëve”, nuk ka arsye për panik. Nuk ke nevojë për një tryezë në Shtëpinë e Bardhë, për të gërmuar për prova që Trumpi po gënjen, apo po e përdor pozicionin e tij për të forcuar interesat e biznesit. Aksesi zyrtar nuk është gjithcka. “Përgjigja ndaj sulmeve kundër gazetarisë, është gjithmonë më shumë gazetari”.
Në fakt do të ishte një gjë e mirë, nëse marrëdhënia mes Shtëpisë së Bardhë dhe mediave të Uashingtonit do të bëhej më pak e ngrohtë, shkruante Jack Schafer në Politico. Gazetarët do të duhet të gjejnë rrugë të reja për të siguruar lajmin. Me siguri nuk do të ketë mungesë materialesh. Institucionet federale dhe komuniteti i inteligjencës me siguri do të nxjerrin informacione, ashtu sikurse dhe shumë armiq të Trumpit në Partinë Republikane. Dhe media do të gjejë një audiencë të etur: vini re gjithë botimet sot, që shesin regjistrime me premtimin që të “mbajnë Trumpin në llogaridhënie”. Për momendin mund të duket si dimër, por shumë shpejt do të kemi”pranverë të gazetarisë”. /www.bota.al