“Ne tani do të ikim pak nga pak” është poezi e shkruar nga Sergej Esenin, e cila vendos në krahasim jetën me vdekjen. Autori krahason çfarë ka bërë në këtë jetë dhe hedh mendime se si do të jetë jeta e përtejme. Sigurisht i trajton me nostalgji kujtimet e kësaj jete dhe hedh supozime mbi jetën e përtejme dhe çfarë do t’i mungojë në atë jetë. Është një poezi me ndjenja që të bën të reflektosh gjatë për çfarë kemi kaluar dhe çfarë na pret. Kjo poezi sigurisht shpreh dhe një nxitje për ta jetuar jetën në maksimum dhe për të shijuar çdo të mirë në këtë jetë.
“Ne tani do të ikim pak nga pak”
Ne tani po ikim pak nga pak që këtej
Drejt vendit ku ka qetësi dhe gëzim.
Mbasë, shpejt edhe unë do duhet të ngre
Plaçkat e mia mortore për në udhëtim.
Pyje të dashura mështeknash!
Ti tokë! E ju, rërëra të ultësirave!
Përpara kësaj turme në vrapim
Nuk mund ta fsheh melankolinë.
Kam dashur shumë në këtë botë,
Gjithçka që vesh mish dhe shpirt.
Paqe mështeknave që hapin degët
E pasqyrohen në ujin e trëndafiltë.
Për mjaft mendime kam rënë në heshtje,
Shumë këngë brenda vetes kompozova.
I lumtur jam mbi këtë tokë të zymtë
Për gjithçka që jetova dhe frymova.
I lumtur jam që kam puthur gra,
Që shtypa lule, u shtriva mbi bar,
Dhe që nuk qëllova kurrë në kokë
Motrat tona kafshët, si i marrë.
E di që atje nuk lulëzojnë zabelet,
Nga qafa e mjellmës thekra s’fëshfërin
Ndaj para turmës së vrapuesve unë
Provoj gjithmonë rrëqethje, dridhërim.
Unë e di se në atë vend s’do të ketë kurrë
Fusha të tilla flakëverdha nën mjegulla krejt.
Edhe pse njerëzit për mua janë të dashur
Dhe jetojnë me mua mbi këtë tokë të shenjtë.