Gjuha e Luftës së Ftohtë është rikthyer me hakmarrje, përmes një të folure të përtërirë të alarmit bërthamor, testimit të pretenduar të raketave me rreze të mesme bërthamore, dhe shqetësimeve mbi sistemin mbrojtës raketor të NATO-s. Aneksimi i Krimesë nga presidenti Vladimir Putin, pak më shumë se një vit më parë, është zgjeruar tashmë në atë, që disa zyrtarë amerikanë e shohin si një sfidë më të gjerë ruse, ndaj rendit të pas-Luftës së Ftohtë.
Lajmet e kohëve të fundit, tingëllojnë të tilla a thua se marrëdhëniet SHBA-Rusi, janë katandisur sërish drejt rrezikut të përballjeve vdekjeprurëse të viteve ‘80. Debati mbi agresionin rus, nuk është vetëm për Ukrainën. Aktivitetet e Putinit, kanë rindezur shqetësimet kryesore, që krijuan në fakt aleancën e NATO-s. Për fat të keq, këtë herë, duket se ka më pak zgjidhje trans-atlantike, për të luftuar kërcënimet që vijnë nga Moska.
Administrata Obama, po debaton aktualisht si të përforcojë politikën e saj ndaj Rusisë, por ka qartazi mosmarrëveshje të brendshme. Sekretari i Mbrojtjes, Eshton Karter dhe gjenerali Martin Dempsej, kryetar i shefave të përbashkët, duket se favorizojnë dërgimin e armëve vdekjeprurëse në Ukrainë. Por presidenti Obama, duket i mbërthyer mes dëshirës për të përmbajtur veprimet ruse, dhe shpresës të tij të vazhdueshme për bashkëpunimin e Moskës, si për bisedimet për programin bërthamor të Iranit, ashtu edhe dhënies fund të luftës civile siriane.
Një shembull i gjallë i kohës së Luftës së Ftohtë, ishte zbulimi i Putinit në një dokumentar rus fundjavën e kaluar, se ai po e merrte seriozisht në konsideratë, vënien në gatishmëri të forcave bërthamore ruse në fillim të vitit të shkuar, kur Rusia ndërhyri në Krime, pasi qeveria proruse e Kievit u rrëzua.
Komenti i tij, dëshmoi sërish rrezikun që konflikti në Ukrainë, mund të rezultojë një spirale jashtë kontrollit. Si një shenjë e kohëve të errëta, Rusia njoftoi të martën, sesi pjesë e një ushtrimi luftarak, do të dërgonte raketa të avancuara në enklavën e saj balltike të Kaliningradit dhe bombardues bërthamorë në Krime.
Procesi i kontrollit të armëve, që garantoi mbajtjen nën kontroll të Luftës së Ftohtë, tani duket të jetë në drejtimin e kundërt. Rusia u tërhoq javën e kaluar nga konsultimet rreth Forcave Konvencionale, sipas Traktatit Evropian të vitit 1990, duke sinjalizuar se efektivisht ka ndërmend
ta braktisë këtë pakt.
Moska ka bllokuar edhe diskutimet, mbi ndonjë shkurtim shtesë tek arsenali i armëve bërthamore, i parashikuar nga traktati “Neë STRART” në vitin 2010. Por avaria më shqetësuese në tensionet SHBA-Rusi, mund të jetë shpërbërja e Traktatit të vitit 1987, mbi paktin qeveritar të forcave bërthamore për raketat me rreze të mesme në Evropë, i njohur si Traktati INF.
Korrikun e kaluar, Shtetet e Bashkuara e akuzuan Rusinë për shkeljen e këtij pakti, pas testimit në terren të raketave, që shkelnin kufijtë, mbi të cilët ishte rënë dakord. Rusët kundërshtuan, duke hedhur akuzar rreth shkeljeve të supozuara të SHBA-së. Karter, paralajmëroi në raportimin e tij në Kongres muajin e kaluar, se Shtetet e Bashkuara do të konsiderojnë opsionet ushtarake, në rast se Rusia nuk do të rrikthehej të respektonte traktatin INF. Këto masa mund të përfshijnë “mbrojtjen aktive”, për të ndaluar raketat bërthamore dhe “aftësitë goditëse kundërvepruese”- tha ai.
Rrëzimi i mundshëm i marrëveshjes INF, është veçanërisht i rëndësishëm, për shkak se ajo ishte një hap vendimtar drejt dhënies fund të Luftës së Ftohtë. Traktati u negociua, pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë, vendosën t’i kundërpërgjigjen vendosjes se raketave bërthamore ruse SS-20, duke instaluar raketa të ngjashme Pershing në Evropë.
Ky hap bëri që lideri sovjetik Mikail Gorbaçov të ndalojë planin e raketave SS-20 dhe të nënshkruajë traktatin, duke inkurajuar atë që Putin e sheh tashmë si epokën e dobësisë dhe humbjes ruse. Ndërsa Putin ka ecur drejt rivendosjes së prestigjit të Rusisë, ai ka përdorur taktika të tilla si armatosja e separatistëve në Ukrainën Lindore, të cilat janë më afër operacioneve të inteligjencës sesa veprimeve ushtarake konvencionale.
Kjo qasje, e quajtur si “lufta hibride” nga analistët perëndimorë, ka mbuluar me turp Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s. Ata deri më tani, kanë hezituar t’i japin Ukrainës armë vdekjeprurëse, që të mund të luftojnë si duhet forcat e armatosura rebele, të mbështetura nga Rusia.
Ukraina nuk është një anëtare e NATO-s, dhe Shtetet e Bashkuara u përpoqën ta bënin të qartë, që në fillim të krizës se do të përdorin forcën ushtarake, për të penguar një agresion të ngjashëm kundër një anëtari të NATO-s, në bazë të nenit 5 të traktatit të aleancës.
Por angazhimi për t’u hakmarrë ndaj sulmeve nga jashtë, ngre pyetjen sesi NATO do t’i përgjigjet subversioneve si ai në Ukrainë, kundër “burrave me të gjelbër” të mbështetur nga forcat ruse. Për shembull, nëse separatistët rusisht-folës, do të pushtojnë territorin e një vendi Balltik, a do të godasë NATO Rusinë? Të papritura të tilla, duan më shumë diskutim. Për më tepër a ka ende NATO “muskujt” e mjaftueshëm ushtarakë, për të përshtatur një përgjigje efektive, duke e marrë të mirëqenë se e ka vullnetin politik?
Shtetet e Bashkuara, kanë pakësuar forcat e saj në Evropë, sidomos në pjesën ku për një kohë të gjatë ishte brezi kufitar i Luftës së Ftohtë. Ndërkohë vetë kombet evropiane, të hutuara nga kriza ekonomike, nuk kanë përmbushur premtimin për të shtuar forcat e tyre ushtarake. Edhe Britania, tradicionalisht aleati më i fuqishëm i Amerikës në NATO, nuk ka përmbushur objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes, të vendosur vitin e shkuar në samitin e aleancës në Uells.
Është pra një rrikthim në të ardhmen e Evropës së Putinit. Por muskujt e dikurshëm që parandalonin, duket se janë atrofizuar. Ka kaluar shumë kohë, qëkur NATO është vënë realisht
në provë, aq sa anëtarët e aleancës, mund të ketë harruar se çfarë do të thotë në fakt vetë-mbrojtje kolektive./“Uashington Post”/
a.g./www.bota.al