PEKIN. Zhang Xianling përgjigjet me një zë të butë. Disa fjalë të ndërprera aty-këtu nga një lidhje telefonike jo e qëndrueshme. Ka të ngjarë që ka veshë të tjerë që dëgjojnë në telefonin e shtëpisë. Zhang është një nga themelueset e Nënave të Tiananmenit, gra të guximshme që për tridhjetë e katër vjet kanë kërkuar nga Partia Komuniste Kineze të vendoset drejtësi për atë që ndodhi natën midis 3 dhe 4 qershorit 1989, kur tanket hynë në zemrën e Pekinit, duke shtypur kërkesat për reforma dhe hapje të dhjetëra mijëra të rinjve që pushtuan paqësisht sheshin e pushtetit të kuq, për 50 ditë. Gratë që humbën fëmijë, por edhe vëllezër e burra në atë masakër.
Një “aksident”, siç e cilëson PKK, e që mbetet një temë tabu. Ende nuk dihet numri i të vdekurve. Megjithatë, kujtimi i asaj nate në Pekin mbi tre dekada më parë nuk është zbehur. Edhe pse gjithnjë e më pak njerëz e mbajnë mend.
Në fakt, nënat sapo kanë humbur një tjetër nga shoqërueset e tyre luftarake, Zhou Shuzhuang, 87 vjeçe, e cila në atë masakër humbi djalin e saj 24 vjeç, Duan Canglong, i diplomuar në kimi nga Universiteti prestigjioz Tsinghua në Pekin, dhe i vrarë pak kohë më pas, në orën një të natës më 4 qershor 1989, nga Ushtria Popullore Çlirimtare. E qëlluan pranë Pallatit të Kombeve, në Chang’an Jie, “rruga e paqes së përjetshme”, rruga e gjatë që të çon në Tiananmen. Zhou iku nga kjo botë pa e gjetur atë paqe.
NËN KONTROLL
Zhang nuk ishte në gjendje të shkonte në funeralin e Zhou, por ajo dërgoi një kurorë me lule. “Po pushoj prej një pneumonie të lehtë. Fatmirësisht asgjë serioze”, thotë nga shtëpia e saj në Pekin. “Ne nuk takohemi më shumë shpesh, për fat të keq. Jemi të gjithë shumë të moshuara tani, mbi 80 vjeç. Covid ka pasur një ndikim shumë të fortë tek ne”. Një mënyrë për të thënë se grupi i tyre, vit pas viti, bëhet gjithnjë e më i vogël.
Por Zhang është e qetë, e lumtur të flasë – edhe pse vetëm disa minuta – me një gazetar të huaj. Ajo na paralajmëron menjëherë: «Do të isha e lumtur të jepja një intervistë, por nëse provoni të vini këtu, me siguri do të gjeni roje jashtë shtëpisë që do t’ju bllokojnë. Më ndodhi muajin e kaluar me një mik gazetar japonez që donte të më vizitonte përpara se të largohej nga Kina. Më telefonoi dhe më pyeti nëse isha në shtëpi. Unë i thashë po. Kjo ndezi alarmin dhe për njëzet ditë kishte kontrolle kudo pranë shtëpisë sime. Nuk mund të takoheshim. Nuk e kuptoj pse autoritetet janë kaq nervozë ndaj nesh”.
E NDALUAR TË KUJTOSH
Partia, megjithatë, e kupton mirë. Çdo vit nënat u shkruajnë autoriteteve duke kërkuar shpjegime dhe drejtësi.
Shumë prej tyre, duke përfshirë edhe bashkëthemeluesen tjetër, Ding Zilin, vitet e fundit kanë qenë shpesh të mbyllura në shtëpitë e tyre në ditët “e ndjeshme” para dhe pas përvjetorit të masakrës. Në shkollat kineze masakra e Tiananmenit nuk tregohet në asnjë libër shkollor, nuk eksplorohet në thellësi nga asnjë kanal televiziv dhe nuk përkujtohet nga asnjë monument. Çdo material në internet censurohet menjëherë. Përkujtimet publike janë absolutisht të ndaluara.
Menjëherë pas masakrës, Ding Zilin dhe bashkëshorti i saj kontaktuan familjet e tjera. Zhang Xianling ishte e para që bëri një hap përpara: edhe ajo kishte humbur një djalë, vetëm 19 vjeç.
Të privuara nga e drejta për të qarë publikisht, Zhang dhe Ding u bënë bashkë, duke i dhënë dalëngadalë jetë këtij grupi që sot numëron pak më shumë se njëqind vetë, jo vetëm gra – “por mos na quani organizatë”, na korrigjon ajo në telefon – të cilët mbështesin njëri-tjetrin, mbledhin informacion dhe regjistrojnë me përpikmëri detaje në lidhje me identitetin e viktimave dhe rrethanat e vdekjes së tyre.
Me kalimin e viteve ata kanë përpiluar një listë që tani ka 202 vdekje: shumica ishin studentë midis 17 dhe 25 vjeç. Lista nuk është aspak e plotë, por është rrëfimi më gjithëpërfshirës i viktimave të Tiananmen-it që ekziston.
ASNJË MASAKËR
“Asnjë nga qeveritë që kanë pasuar njëra-tjetrën në krye të vendit nuk ka pyetur kurrë për ne dhe askush nuk ka thënë kurrë një fjalë falje, sikur masakra të mos kishte ndodhur kurrë”, shkruajnë Nënat në disa nga letrat e hapura dërguar gjatë këtyre viteve tek autoritetet komuniste.
“Të kërkojmë nga qeveria që të përgjigjet për masakrën sipas ligjit, është e drejta jonë legjitime. Prej 34 vitesh ne ndjekim në mënyrë paqësore dhe të arsyeshme tre kërkesat për të vërtetën, dëmshpërblimin dhe përgjegjësinë, duke kërkuar dialog. Historia e 4 qershorit është kthyer në një temë të ndaluar. Ne, familjet e viktimave, jemi bërë një grup i margjinalizuar njerëzish që vuajnë. Të vetmit njerëz që vijnë për të na vizituar janë policia, apo personeli i Ministrisë së Sigurimit të Shtetit”. E megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, nënat e Tiananmenit ende nuk janë dorëzuar. / Gianluca Modolo (Il Venerdi) – bota.al