Për të arritur synimet tona, ne duhet të ndryshojmë sjelljen tonë, duke u bërë në fund një version më i mirë i vetes sonë. Sepse për momentin ne nuk jemi ende gati për të, nuk kemi zhvilluar zakonet e nevojshme, nuk kemi eliminuar disa aktivitete të pashëndetshme dhe joproduktive, dhe kemi kaq shumë burime shpërqendrimi, saqë vështirë ta dimë se çfarë është vërtetë e rëndësishme.
Por arritja e asaj që dëshironi është absolutisht e mundur. Ju vetëm duhet të bini në dashuri me qëndrueshmërinë dhe të filloni të bëni një hap çdo ditë drejt arritjes së qëllimeve tuaja. Dhe ju duhet të eliminoni gjërat që jo vetëm ngadalësojnë përparimin tuaj, por që ju pengojnë të ecni përpara. Ato janë:
1. Perfeksionizmi
Shumë njerëz kanë dëshira të mëdha brenda vetes, dhe duan vërtetë të arrijnë disa gjëra në jetë. Por ata janë të pangopur dhe mosmirënjohës edhe para se t’i arrijnë ato, dhe duan shumë më tepër sesa meritojnë. Për shembull, jo pak njerëz duan që jo vetëm t’u ofrohet një punë e mirë me një rrogë të lartë dhe të punojnë shumë për të fituar para, për të rritur cilësinë e jetës së tyre, por duan që të jenë të pasur dhe e duan këtë gjë tani.
Por kjo është një qasje e gabuar. Pasi ju duhet të jeni së pari mirënjohës për atë që keni tashmë (sado pak që të jetë, pasi të tjerët kanë shumë më pak, dhe e gjejnë ende vullnetin për të qenë mirënjohës për të). Vetëm atëherë do të ndjeni se keni diçka, dhe do ta kuptoni se zotëroni fuqinë për ta kthyer atë në diçka më shumë.
Po ashtu do të ndjeni nevojën për të punuar për këtë, duke dhënë diçka në këmbim dhe për të shijuar më pas frytet e punës suaj. Në këtë mënyrë, ju mund ta eliminoni perfeksionizmin nga jeta juaj dhe sërish të arrini atë që dëshironi.
2. Dështimi
Sot shumë njerëz kanë një perceptim të gabuar se çfarë është dështimi. Shumica e njerëzve i frikësohen atij. Dhe në shumë raste as që përpiqen, pikërisht për shkak të pamundësisë për të mos pasur sukses. Kjo është arsyeja pse ata nuk i shohin kurrë ëndrrat e tyre të realizohen.
E vërteta është se dështimi është një dhuratë e çmuar. Pasi ai është një hap i pashmangshëm në rrugën tuaj drejt suksesit, dhe një hap të cilin ju duhet ta hidhni më shumë se një herë. Dështimi është prova se ju po përpiqeni, po bëni diçka për të arritur atë që dëshironi, dhe nuk po dorëzoheni.
Ai është një nga mësimet dhe përvojat, të cilat të bëjnë më të fortë, me më shumë vullnet, dhe më të fokusuar. Dështimi ju tregon se çfarë saktësisht nuk duhet të bëni herën tjetër, pasi këtë herë nuk funksionoi. Dhe nëse vazhdoni të përpiqeni, përfundimisht do të arrini atje ku synoni. Nuk ka shembull më të mirë se ai i Tomas Edison. E gjithë jeta e tij është një dëshmi e fuqisë së dështimit, dhe se si mund të punoni me të për të arritur suksesin.
3. Fokusimi tek rezultati përfundimtar
E di që jeni shumë të etur të arrini synimet tuaja. Brenda nesh ka diçka që na bën të paduruar, ndaj ç`do gjë që kërkojmë, e duam menjëherë. Por ju duhet të kuptoni se gjërat thjesht nuk funksionojnë në këtë mënyrë. Dhe më e mira që mund të bëni, është të shijoni procesin dhe të përqendroheni më pak tek rezultati përfundimtar.
4. Mania për të hedhur hapa të mëdhenj
Ekziston një rrugë e caktuar, të cilën do të duhet ta ndiqni përpara se të arrini synimin tuaj. Dhe qëllimi i kësaj rruge është t’ju bëjë mjaftueshëm të fortë për ta përballuar suksesin që ju pret. Kjo rrugë përbëhet nga shumë hapa. Nga ato të vogla, sepse të mëdhatë na shqetësojnë dhe nxisin që as të mos përpiqemi. Prandaj ndajini qëllimet tuaja në hapa të vegjël, pastaj edhe më të vegjël akoma, derisa të keni një listë me detyra të thjeshta për të bërë çdo ditë. Dhe bëjini ato aq të lehta dhe të shpejta, sa që do të jetë e pamundur t’i thuash jo.
5. Justifikimet
Shpeshherë mund ta dëgjoni veten duke thënë disa nga këto fraza: “Unë nuk jam gati.” “Nuk është koha e duhur.” “Nuk jam mjaftueshëm i mirë.” “Jam shumë i moshuar ose shumë i ri.” “Nuk kam para, kohë apo përvojë të mjaftueshme.” “Shumica e njerëzve nuk ia dalin dot gjithsesi, ndaj as unë.” “Ndoshta nuk jam i destinuar ta bëj diçka të tillë.” “Është shumë e vështirë.” “Do të zgjasë shumë.” “Mund ta bëj gabim.” “Njerëzit do të qeshin me mua etj etj.”
Kur ndodh diçka e tillë, ndaluni dhe reflektoni pse po e thoni këtë. Kuptoni se mendja juaj është e ndërlikuar dhe preferon të qëndrojë në zonën e saj të rehatisë, duke bërë të njëjtat aktivitete, dhe të mos provojë asgjë të re. Është kjo arsyeja pse i sajoni të gjitha ato justifikime, të cilat shpesh mund të tingëllojnë shumë bindëse.
Detyra juaj është t’i eliminoni ato, madje t’i ekzagjeroni dhe të shihni se sa qesharake tingëllojnë. Sepse nëse zgjidhni opsionin tjetër – pra nëse i besoni – atëherë nuk do të bëni kurrë asgjë ndryshe me jetën tuaj dhe nuk do të shihni kurrë përmbushjen e dëshirave tuaja.
6. Zvarritja e punëve
Këtu mbani parasysh një gjë: tani është koha më e mirë për të bërë atë që dëshironi. Çdo herë tjetër është më vonë sesa tani. Momenti i tanishëm është vendi ku ju krijoni të ardhmen tuaj, dhe e vetmja kohë kur mund të jeni produktiv dhe të punoni mbi atë që besoni.
I vetmja kurë për zvarritjen e punëve është të filloni të bëni diçka menjëherë, pa u menduar shumë dhe pa i dhënë kohë mendjes tuaj për të gjetur justifikime. Pa dyshuar në aftësitë tuaja dhe pa pasur frikë nga dështimi. Mjafton të bëni diçka të vogël sot, dhe kjo do t’ju ndihmojë të ecni përpara dhe t’i afroheni përmbushjes së ëndrrave tuaja.
7. Pritshmëritë
Mos prisni kaq shumë. Kjo është një sjellje shkatërruese që sjell zhgënjim të thellë në jetën tuaj. Ju prisni që gjërat të shkojnë në një mënyrë të caktuar. Po ashtu që njerëzit të sillen ashtu siç i imagjinoni ju, dhe sa herë që kjo nuk funksionon, ndiheni të mërzitur dhe humbni çdo lloj motivimi për të ndërmarrë veprime. Prandaj hiqni dorë nga këto fantazi, eliminoni skenarët që thurni në kokën tuaj se si duhet të jenë gjërat, dhe pranojini ato ashtu siç janë. Dhe ndërkohë, vazhdoni të bëni atë që e dini se është e drejtë.
8. Shpërqendrimet
Do të ketë njerëz që do të dyshojnë tek ju, që nëse i dëgjoni do t’ju bëjnë ta humbni shpresën.
Po ashtu në rrugën tuaj drejt suksesit do të ketë shumë tundime. Shumë aktivitete të këndshme, por që do t’ju humbin kohë. Dhe shpesh do të ndiheni sikur jeta është e padrejtë sepse të tjerët kanë kaq shumë kohë, mund të hanë çfarë të duan, mund të blejnë shumë gjëra, dhe ju nuk mundeni.
Por kjo nuk është e vërtetë. Thjesht, ju keni zgjedhur të punoni për përmbushjen e qëllimeve tuaja, dhe po përpiqeni të keni një jetë më të mirë. Ndërkohë të tjerët preferojnë mënyrën më të lehtë të të jetuarit: angazhohen në aktivitete, që sjellin vetëm lumturi të përkohshme.
9. Mungesa e qëndrueshmërisë
Ky është një gjë problem serioz. Sepse çfarëdo që të bëni, nëse nuk e bëni atë çdo ditë, nuk do të shihni ndonjë përparim. Qëndrueshmëria është tipar i njerëzve të suksesshëm dhe bëhet zakon, si çdo gjë tjetër. Por pa të, nuk do të shkoni shumë larg. Prandaj ndajini hapat tuaj në hapa më të vegjël, gjeni kohë çdo ditë, dhe gjeni vullnetin për t’u ngritur dhe për ta bërë këtë gjë. Si përfundim, do t’ju them këtë: Ju nuk merrni atë që dëshironi, apo atë që mendoni se meritoni. Në vend të kësaj, merrni pikërisht atë për të cilën punoni, atë mbi të cilën fokusoheni, dhe atë për të cilën punoni çdo ditë. / A2Success – Bota.al