Articles

Nga filozofia politike, tek profesionalizmi gazetaresk: Perspektivat e ndryshme mbi LAJMIN

Ka shumë këndvështrime se çfarë e përbën atë që ne e quajmë LAJM. Disa prej tyre plotësojnë njëra tjetrën dhe funksionojnë së bashku, ndërkohë që të tjera janë në konflikt mes tyre. Të shohim katër prej këtyre këndvështrimeve në detaje.

Perspektiva e Filozofisë Politike

Perspektiva e filozofisë politike e koncepton lajmin si rrjedhën e përditshme të informacionit nga gazetarët ekspertë drejt publikut të gjerë, me qëllim edukimin e popullatës në mënyrë që ata të mund të bëjnë zgjedhje të mirëinformuara në një demokraci. Redaktorët janë ekspertë që përcaktojnë se cilat janë ngjarjet dhe çështjet më të rëndësishme çdo ditë. Redaktorët u caktojnë gazetarëve detyrën e mbulimit të këtyre ngjarjeve dhe çështjeve duke mbledhur të gjitha faktet përkatëse dhe duke i grumbulluar ato fakte në një prezantim objektiv, që është i paanshëm dhe i saktë. Kështu, lajmet duhet të ndërtohen nga fakte të sakta dhe jo nga opinionet e gazetarëve, në mënyrë që njerëzit të mund të edukohen për atë që po ndodh realisht dhe të vendosin vetë se çfarë pozicionesh duhet të marrin për çështjet dhe cilët kandidatë të votojnë kur zgjedhin liderët e tyre.

Kësaj perspektive i qëndrojnë fort filozofët dhe kritikët socialë, të cilët e shohin qëllimin e shtypit si edukimin e përditshëm të publikut për botën, duke krijuar dhe mbajtur një publik të informuar që do të merrte vendimet më të mira të mundshme në zgjedhjen e liderëve të vet dhe mbështetjen e kauzave shoqërore në një vend demokratik.

Këta njerëz besojnë se shtypi nuk duhet të jetë një instrument i përdorur nga elitat e fuqishme (si qeveria apo bizneset e mëdha) për të arritur qëllimet e tyre. Shtypi duhet të jetë i pavarur nga presionet politike apo ekonomike, në mënyrë që të mund t’i prezantojë publikut një përfaqësim objektiv të ngjarjeve madhore çdo ditë. Kërkimi i objektivitetit është “arritja më krenare, por edhe më e vështira për t’u mbështetur, e gazetarisë. I konsideruar si një mjet vendimtar për demokracinë, objektiviteti supozohet se siguron një hapësirë për informacion neutral, faktik dhe diskutim publik jashtë korrupsionit, inateve dhe shtytjeve partiake që normalisht karakterizojnë diskursin publik”.

Perspektiva e profesionalizmit gazetaresk

Perspektiva e profesionalizmit gazetareske  përmbledh atë që gazetarët besojnë se është qëllimi dhe natyra e lajmit dhe e paraqet këtë përmbledhje si një model, se çfarë duhet të jetë lajmi. Koncepti i tyre për lajmin pasqyrohet në shtatë kritere që gazetarët përdorin si udhëzime për atë që duhet të mbulohet si lajm çdo ditë. Këto shtatë kritere janë koha, rëndësia, afërsia, rëndësia, konflikti, interesi njerëzor dhe devijimi.

Koha është kriteri më i vetëkuptueshëm për vlefshmërinë e lajmeve. Një ngjarje duhet të jetë aktuale në mënyrë që të konsiderohet lajm. Rëndësia i referohet përmasës së pasojave të një ngjarjeje. Kështu, një atentat që rezulton në vdekjen e pesë personave është më i rëndësishëm për lajm, se një që rezulton me vetëm një vdekje.

Afërsia i referohet informacionit se sa afër është ngjarja me audiencën e lajmeve. Kështu, atentatet që ndodhin në qytetin ku ndodhet redaksia e një gazete janë më të denja për lajm në atë qytet në krahasim me ato që ndodhin një mijë kilometra larg.

Vëmendja i referohet faktit, se sa njerëz dhe institucione të njohura konsiderohen si lajme të vlefshme. Kështu, nëse goditet kryebashkiaku i një qyteti, kjo është ngjarje më e vlefshme për lajm, se sa të goditet një endacak.

Konflikti i referohet shkallës në të cilën palët në një ngjarje nuk pajtohen mes tyre.

Interesi njerëzor i referohet faktit se sa fort ngjarja do të tërheqë emocionet njerëzore.

Devijimi (nga normaliteti) i referohet shkallës në të cilën një ngjarje është jo e zakonshme -nëse një qen kafshon një njeri, kjo nuk është e vlefshme për lajm; por nëse një njeri kafshon një qen, kjo është e vlefshme për të bërë lajm.

Ironia është se ne varemi nga lajmet për të na treguar se cila është norma. Për të qenë të informuar mirë, duhet të dimë se si funksionojnë gjërat zakonisht, çfarë ka të ngjarë të ndodhë nesër dhe cilat janë rreziqet relative të dëmtimit. Por mediat e përqendrojnë vëmendjen tonë ngjarjet jashtë normales. Dhe për shkak se shohim kaq shumë devijime nga normalja nëpër lajme, fillojmë të besojmë se devijimet janë normë.

Perspektiva Ekonomike

Perspektiva ekonomike mbi lajmet fokusohet në mënyrën se si mediat veprojnë si biznese. Fokusi është në mënyrën se si ata shpërndajnë burimet e tyre ndërsa prodhojnë produktin – lajmet. Historitë e tyre duhet të tërheqin lexues që do të paguajnë për to. Bizneset e lajmeve duhet gjithashtu të tërheqin reklamues të cilët do të paguajnë për akses në audiencën e ndërtuar nga këto organizata lajmesh. Suksesi i një organizate lajmesh përcaktohet nga madhësia e fitimeve të saj. Për të maksimizuar fitimin, prodhuesit e lajmeve duhet të vazhdojnë të rrisin të ardhurat duke ulur shpenzimet e tyre. Natyra komerciale ka një ndikim të fortë në mënyrën se si ato prodhojnë dhe shpërndajnë lajmet.

Komercializimi nuk është gjë e re. Nëse ka pasur ndonjëherë një kohë kur lajmet u bënë për herë të parë një mall tregtar, nuk ndodhi . . . me shpikjen e gazetës, por shumë më herët: në tetëdhjetë vitet midis 1450 dhe 1530, pas shpikjes së shtypshkronjës. Shtypshkronjat e kthyen oreksin ekzistues për lajme në një treg masiv. Perspektiva ekonomike është kritikuar për disa arsye. Një arsye është se kur vendimet e lajmeve udhëhiqen më shumë nga fitimi për ofruesin e lajmeve sesa edukimi i publikut të gjerë, atëherë përfitojnë vetëm bizneset.

Një tjetër kritikë e perspektivës ekonomike është se ajo tenton të ndryshojë përmbajtjen e lajmeve në një mënyrë që është e dëmshme për publikun. Për shembull, gazetarët që operojnë nën perspektivën ekonomike kanë më shumë gjasa të paraqesin histori që tërheqin vëmendjen e audiencës së madhe duke theksuar të pazakonshmen, në mënyrë që të zgjojnë dhe të tronditin njerëzit, ndërkohë që kanë më pak gjasa të paraqesin histori më pak ngacmuese – por shumë më të rëndësishme – për të edukuar njerëzit rreth natyrës së qeverisjes, ekonomisë dhe institucioneve të tjera publike. Dëshmi për këtë kritikë u gjet nga një analizë e përmbajtjes e 13,000 artikujve në 12 gazeta ditore; Studiuesit zbuluan se gazetat me orientim ekonomik publikuan më pak artikuj rreth qeverisë dhe çështjeve publike dhe më shumë artikuj rreth stilit të jetesës dhe sportit.

Perspektiva e marketingut

E lidhur me perspektivën ekonomike është edhe perspektiva e marketingut, e cila fillon me premisën se organizatat e lajmeve janë biznese që duhet të gjenerojnë të ardhura të mjaftueshme për të qëndruar në biznes, ndaj duhet të tërheqin një audiencë të madhe. Të kuptosh se çfarë do të tërheqë përdoruesit është një përpjekje e rrezikshme, sepse nëse ata mendojnë gabim për atë që një numër i madh njerëzish duan në mbulimin e tyre të lajmeve, atëherë nuk do të jenë në gjendje të tërheqin mjaft përdorues dhe shpejt do të dalin jashtë biznesit. Shumë organizata lajmesh marrin një qasje marketingu në të cilën fillimisht identifikojnë nevojat e lexuesve të tyre të mundshëm dhe më pas prodhojnë llojet e artikujve që do të kënaqnin këto nevoja ekzistuese.

Sot, redaksitë e shumë gazetave, revistave dhe stacioneve televizive kanë përqafuar, në një masë më të madhe ose më të vogël, këtë qasje për të krijuar lajme. Në mënyrë tipike, një organizatë e drejtuar nga tregu zgjedh tregjet e targetuara për produktin e saj, identifikon dëshirat dhe nevojat e klientëve të mundshëm në ato tregje dhe kërkon të kënaqë ato dëshira dhe nevoja në mënyrë sa më efikase të jetë e mundur.

Një nga nevojat më të përhapura në çdo popullatë është nevoja për informacion që konfirmon bindjet e lexuesit, në vend që t’i sfidojë ato. Ky njihet si parimi psikologjik i “ekspozimit selektiv”, i cili është dokumentuar mirë nga studiuesit e medias për shumë dekada. Ekspozimi selektiv do të thotë që njerëzit kërkojnë informacion që përputhet me sistemet e tyre ekzistuese të besimit dhe shmangin informacionin që sfidon bindjet e tyre. Prandaj, organizatat e lajmeve e dinë se është një sfidë e vështirë të ushqesh me forcë publikun, me atë që filozofët mendojnë se është e mirë për publikun; në vend të kësaj, ata preferojnë të ndjekin strategjinë më pak të rrezikshme, të përpjekjes për të kënaqur nevojat që publiku i ka shfaqur tashmë.

Nëse publiku demonstron nevojën për raportim të thelluar të çështjeve të ndërlikuara sociale, atëherë organizatat e lajmeve do t’i ofronin ato produkte. Por nëse publiku demonstron nevojën për lajme të shkurtra, të tretshme lehtësisht, që përputhen me atë që ai tashmë di dhe shkaktojnë emocione kënaqësie (nga lajmi i mirë) dhe tmerri (nga lajmi i keq) në vend të artikujve që kërkojnë më shumë punë për t’u lexuar dhe kuptuar, atëherë organizatat e lajmeve do t’i ofronin ato produkte. Publiku ka demonstruar shumë më tepër nevojën e parë se sa nevojën e dytë. Kjo shpjegon pse lajmet janë bërë më të shkurtra dhe më të thjeshta. (TruthHub)

Burimi: Media Literacy

Back to top button